
Ilir Paja
Ardhja e Papa Françeskut na risjell në kujtesë si 21 vjet më parë puthjen e Tokës shqiptare nga Papë Karol Vojtila Gjon Pali II. Atëherë kujtoj, që Ati i Shenjtë u përkul sapo zbriti nga avioni dhe sjelljen e parë që me të e quajti vizitën e tij përtej zyrtare, ishte puthja e kësaj toke. Duke qenë vend i diktuar politikisht nga një doktrinë zvetënuese e quajtur “njeriu i Ri”, me një mungesë deri ku varfëria kishte mbërritur jo në nder, por skamje e fëlliqur në vitet 90,ndryshimet demokratike premtuan shumëçka, e mbi të gjitha shtetin e pronës dhe të së drejtës. Pra, njeriu shqiptar duhej të ç’doktrinonte deri në fikje jetën që mbllaçiste slogane, e më pas duhet të ndizte me lirinë dhe dashurinë për Zotin.
Kështu, me mbërritjen e viteve të para pas atyre 90, të gjithë nisëm të besonim; së pari duke bërë plot kujtesë ritet fetare, e më tutje nisëm ringritjen e vendeve të kultit. Por, varfëria historike, e në veçanti ajo e të ushqyerit, e kishin ndryshkur trupin tonë deri në një ateizëm të frikshëm…Ishte ky ateizëm inkriminues për nga jetëgjatësia,i cili e bëri këtë popull dhe shoqëri shqiptare të pranonte të gjitha llojet e lirisë, duke lënë heshturazi të fundit, atë të Besimit. Brenda një padrejtësie historike, ne kishim përjetuar gati një mijëvjeçar, për nga fati ynë historik. Besoj se lexuesi do na e lejojë një “mbledhje” aritmetike simbolike, ku kemi 500 vite në Lindjen e një perandorie vetëm luftuese dhe aspak punëtore në raport me të ardhmen dhe një 50-të vite punë në një Lindje ndryshe, më të ftohtë, por të njëkohshme me Lindjen e parë për nga largësia “kufitare” dhe fqinjësore për nga identiteti me të cilët nuk përkonim me ato në asgjë. Italia ishte më pranë se një ditë e kthjellët pas shiut për nga të parit. Dhe Selia e Shenjtë ishte mbretërimi që keqardhshëm s’mund të kurorëzonte një popull dhe pse përpiqej jo pak të ndjehej e pranishme. Mos të harrojmë misionarë, të cilët bashkë me besimin tek Zoti ishin studiues, meshtarë, gjuhëtarë, historianë, deri dhe arkeologë. Ata vinin dhe iknin duke qenë të bindur, se fati ynë Lindor ishte një gabim, tronditje për vetë botën europiane. Ishte e tillë,sepse kuptonin se pas qytetërimit Helen “fshihej” dramatikisht një botë Ilire më e hershme, por e dënuar të terrej për arsye të shumta më e verbër se vetë poeti Homer. “Unë jam shqiptare!”, deklaroi dikur Nënë Tereza. Përtej një deklamimi të tillë të origjinës, e kuptojmë sesi ndjehemi, kur Ati Shenjtë uron për Krishtlindje në gjuhën tonë. Jo se jemi pranë. Jo se duhet të ndjehemi të prekur nga një vlerësim identiteti. Jemi në të drejtën tonë historike, tani të pakthimtë! Pritja e Papa Françeskut ka dhe një detaj, i ngjashëm me atë të 20 viteve më parë të Karol Vojtilës. Është një ardhje pa masa të rrepta sigurie. Pa ndrojtjen dhe pasigurinë se po vjen të shuajë konflikte siç ndodh rëndom në botë. Po vjen thjeshtë dhe plot madhështi. Nëse Ai mbërrin me bekimin, ne i kemi premtuar dy gjendje morali historike: tolerancën fetare, e admirueshme për çdo vend dhe kodin e zakonit tonë, ku mikpritja është besë!
Dikur, me ardhjen e Papës Gjon Pali II në shtypin e kohës, por dhe në qarqet e politikës, shumë analistë e shihnin ardhjen e Tij, si një përkrahje ndaj vendit tonë, i cili ende dhembte deri në thellësi të Adriatikut. E shihnin si mbështetje jo shpirtërore, sesa politike, kjo e fundit për fajin tonë të mbrapshtë. Kështu ndodhte të dëgjonim shpesh,se ardhja e Atit të Shenjtë do t’i sigurojë qeverisjes së asaj kohe më shumë se një mandat. Dukej se ishte gabimi ynë më trashanik. Sepse përkrahje e tillë nuk mungonte, por mungonte ende mbërritja jonë në “tavanin” e të pushtetshmit!… Vërtet që dy vizitat përkojnë nga qëllimi. Kanë të njëjtën axhendë, ku ajo që dallon është dhe shkuarja në qytetin e Shkodrës.
Qyteti i një katolicizmi pan atdhetar, intelektual dhe thellësisht europian për nga një “mijëvjeçar” i Lindjes. Ndërsa tani, ardhja e Papa Françeskut ka disa simbolika më shumë në raport me të shkuarën. Besoj se mbërritja e tij është dhe më shumë histori shpirtërore e popullit tonë, dhe më larg, më në hije një detaji përkrahje politike për cilëdo palë.Është ardhje nën qëllimin e bekimit. Është ardhje e gjitha ballkanike, ku vendi ynë cilësohet simbol për nga paqja dhe toleranca mes besimeve. Është një mbërritje jo pak, por ndoshta dhe e gjitha shqiptare, kur kombi ynë me Nënë Terezën, ia ka mbërritur të prekë altarin e shenjtërimit.
Nëse do t’i referoheshim historisë, për të mos përmendur dhe rithënë atë që ndoshta e dimë jo një masë e pakët e shoqërisë, do donim të përmendnim misionin e At Domeniko Pazit, këtij kleriku italian. Jeta e tij daton në vitet 1847-1914, ku për 20 vjet iu përkushtua “Misionit Fluturues” në Shqipëri, atë të Veriut. Të bën përshtypje emërtimi i këtij misioni. Nëse do përpiqemi të jemi përafrues për nga gjetja, mision “fluturues” mund të ketë shumë interpretime. Por mendojmë se njëri do t’i shkonte më në brendësi të kuptimit. Krenaria jonë nuk qëndron vetëm në lartësinë e shpendit tonë të shqiponjës. Duket se kemi qenë dhe jemi një popull që duhet të “fluturojmë”, që të prekim si hone dhe hoje shpirti ende të fjetura, nën trauma ku mbrapshtësitë e politikës, nuk na e kanë dhuruar kurrë të drejtën e besimit,sepse kanë ditur të mbajnë ngujueshëm atë të lirisë!
Po t’i referohemi një citimi,se “mjaft që e kaluara të pranojë që është e vdekur”, do ndjeheshim dhe më të lirë në këtë pelegrinazh, ku nga përgatitjet dhe gjithçka “skenike” të kujton një pritje dinjitoze pa e bërë dallimin mes një pritje nga një vend-shtet i madh dhe i vogël.
Mbërritja e tij ka të ngjarë të tejkalojë parashikimet e një pritjeje protokollare. Duket se pritja reale do t’i bëhet nga një shoqëri, që kur Ati Shenjtë do dhurojë dorën për përshëndetje, shumë pelegrinë, besimtarë pa dallime fetare do luten në heshtje,ndoshta duke thënë: “nëse e kaluara ende na ndëshkon duke mëkatuar mbi ne, atë “shkishëroje!”.Dhe nëse e tashmja kërkon një bekim për mbrapshtësitë e politikës sonë, atëherë qeshi popullit dhe “buzëqeshi” atyre…
Papa Françesku po mbërin. Ardhja e tij ka me vete vetë dritën që Krijuesi ia ka besuar përmes shpirtrave të besimtarëve. Populli pret vetë ta prekë, ta shohë,të ngrohë moralin e tij përmes kësaj ardhjeje. Ndërsa politikës duket se do t’i mbesë më pak se gjithçka…një tufë gjuhësh flake, ku djegin çdo ditë njëri-tjetrin dhe pse prushin e tyre jo zjarr po luks do tentojnë ta “fërkojnë”nëpër duar me një kremtim të tillë, si për të kërkuar pafajësinë dhe pse deri më tani, askush prej tyre nuk ka pranuar qoftë dhe një kritikë…
Një politikan nuk është asgjë para një besimtari. Sepse ardhja e Shenjtërisë së tij është dhe një histori më shumë e kombit tonë, e idealeve të tij, e një Shqipërie ku kanë nisur të mbushen me palcë eshtrat e saj të nëpërkëmbura. Ku ardhja e Atit të Shenjtë është dhe një histori ringjalljeje për të gjithë shpirtrat ende të pafjetur të lirisë, nga e fjalës dhe e besimit. Është bekim, jo për hijen e tyre të mbetur nga një harresë, ku ndërgjegjja është e kompromiseve, por bekim ku drejtësia mbërrin e shenjtëruar!Ju presim Ati Shenjtë!!!
Gazeta Shekulli


Leave a Reply