Gjykata lë në burg 41-vjeçarin nga Berati. Dëshmia e tij për gruan që e tradhëtonte dhe mbrojtja për krimin, me ndëshkimin sipas zakonit
Mariglen Mullai
Gjykata e Tiranës vendosi dje të lërë në burg një 41-vjeçar që i kafshoi hundën dhe buzët gruas së tij, për shkak të tradhtisë bashkëshortore. Vendimi u dha ndaj të pandehurit Shkëlqim Hysaj, derisa prokurori Ervin Karanxha të përfundojë hetimet për ngjarjen, prej së cilës është dëmtuar gruaja e tij, M.Hysaj. I pandehuri tha se i ishte referuar traditës, sipas së cilës gruas që tradhton burrin duhet t’i pritet hunda. Sakaq, në dëshminë e tij para gjykatës burri 41 vjeç tha se: “E kafshova në hundë gruan time dhe ja këputa, sepse ndonëse më tradhtoi”. Më tej Shkëlqim Hysaj shtoi se “Unë e fala, lashë Poliçanin ku jetonim dhe erdhëm në Tiranë për t’i dhënë një mundësi martesës”. Ndërkaq, si shkak për këtë akt barbar i pandehuri përmend tradhëtinë, duke e specifikuar me fjalët “Në kohën që unë punoja në Greqi, djali ynë e kapi në shtëpi me dikë tjetër e për shkak të dhunës ai tani ndodhet në burg. Unë e fala, por në orën 5.30 të mëngjesit, ditën e shtunë, kur unë po flija ajo hyri në dhomë për të më vrarë. Madje më këputi edhe gishtat. Atëherë, në gjaknxehtësi e sipër unë i këputa hundën”. Nga ana e tij prokurori Karanxha tha se episodi nuk ndodhi gjatë sherrit. Ai shtoi dje në seancë se “Si pasojë e kafshimit një pjesë e hundës ka rënë në tokë dhe është dëmtuar.
Në këtë rast kemi plagosje me dashje dhe dhunë në familje, akuza të parashikuara në Kodin Penal. Hunda që ka rënë në tokë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale”. Nga ana tjetër, Hysaj pretendoi se duhej lënë i lirë, pasi kishte vajzën të mitur dhe nuk ka kush e rrit. Kurse avokatja Vjollca Pustina kërkoi nga gjykata “detyrim paraqitjeje”, pasi sipas saj klienti që mbron është vetë viktimë dhe veproi për t’u vetëmbrojtur, i tronditur nga tradhtia. Në kërkesën e prokurorisë, për vlerësimin e caktimit të masës së sigurimit thuhet se “Më 30 gusht 2014, në vendin e quajtur Rruga “Ibrahim Pash Bushatlliu”, Çimi (Shkëlqim) Hysaj ka goditur gruan e tij M. Hysaj, në prani të fëmijës së tyre. Ai e ka kafshuar atë në hundë dhe nga buzët, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e fytyrës. Një pjesë e hundës ka rënë në vendin e ngjarjes. Pra në këtë rast kemi të bëjmë me dëmtim dhe shëmtim të përhershëm të një organi vital, siç është hunda. Kësisoj, organi i akuzës kërkoi që ndalimi i 41-vjeçarit, të lindur në Tozhë, Berat dhe banues në Tiranë, me gjendje gjyqësore i padënuar më parë, të vlerësohet si i ligjshëm, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Dhunë në familje”, të parashikuara nga nenet 88/1 dhe 130/a/4 të Kodit Penal. Ndërkaq, përsa i përket arsyetimit se përse ky shtetas duhet të mbetet në burg, prokurori shton se “Gjykata, në caktimin e llojit të masës së sigurimit personal, me karakter shtrëngues ndaj të ndaluarit, duhet të ketë parasysh që vepra penale e kryer ka cenuar marrëdheniet juridike të vendosura për të garantuar sigurinë në familje, paprekshmerinë e të afërmve, të mbrojtur nga Kushtetuta dhe posaçërisht nga legjislacioni penal, rrethanat e kryerjes së veprës penale, pasojat e ardhura nga vepra penale, moshën e tij të re, sanksionin që parashikon dispozita për këtë vepër penale, si dhe në tërësi rrethanat e ngjarjes. Në rastin konkret, rrezikshmëria shoqërore e veprës dhe autorit të saj plotëson kushtet dhe kriteret e përgjithshme dhe të veçanta, për caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues, të cilat parashikohen nga nenet 228, 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale”.
Gazeta Shekulli


Leave a Reply