Jolanda LILA
A ekziston familje në Shqipëri që nuk i ka të ikur dikush prej gjirit familjar? Pyetja është retorike, sepse nuk ka njeri që të mos zhuritet nga malli i paskajshëm dhe dhembja për atë që quhet emigrant, migrues apo mërgimtar.
Të tri këto terma kanë disa ndryshime të vogla midis tyre, por objekti është i njëjtë: Largim nga burimi i dashurisë drejt oqeanit të ftohtësisë dhe vështirësive pa fund.
Migrimi ka ekzistuar në çdo kohë dhe është një element i pashmangshëm në mbarë historinë njerëzore. Arsyet kryesore të vazhdimësisë së kësaj dukurie janë të karakterit ekonomik, social, politik, demografik etj.
Migrimet mund të jenë të përkohshme ose të përhershme. Procesi i migrimit në vetvete shpreh zhvendosjen territoriale të një individi ose të një grupi shoqëror.
Migrimet e përkohshme, në planin sentimental, janë shumë herë më torturuese se ato të përhershmet. Ato shoqërohen me një sërë plagësh shoqërore, si: tradhtia bashkëshortore, destabilizim shpirtëror dhe psikologjik, por më e rënda është ndarja për së gjalli. Shumë gra, sidomos në zonat rurale të vendit tonë, detyrohen të kryejnë funksionin e nënës dhe të babait. Kjo shoqërohet me pasoja që reflektohen më vonë në sjelljen e fëmijës. Vlen të përmendësh një rast konkret që ka ndodhur në fshatin Vinjoll të Matit, ku një banor P. K. sapo u martua, u detyrua të largohet në Greqi për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Ndërkohë, në barkun e gruas së tij po rritej fëmija i parë, Kejvi, të cilin e njohu kur u bë gjashtë vjeç. Babë e bir ishin krejt të huaj për njëri – tjetrin dhe u deshën ditë të tëra që ata të miqësoheshin e të afroheshin. Raste të ngjashme nuk është vështirë të gjesh në mbarë vendin tonë, sidomos në periudhën e tranzicionit.
Në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1990 pothuajse emigracioni ndërkombëtar nuk ka ekzistuar fare. Duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 1990, vendi u ballafaqua me emigracionin në formën e eksodeve masive, por edhe të ikjeve individuale, të cilat u përsëritën pafundësisht. Emigracioni është bërë një proces i vazhdueshëm, i cili kryhet në formën legale dhe ilegale.
Nëse do t’i referohemi të dhënave zyrtare të përftuara nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM), rezulton se deri në fund të vitit 2007, numri i emigrantëve shqiptarë kishte kaluar shifrën e 1,1 milionë banorëve. Nga këta, 57 përqind janë vendosur në Greqi, 35 përqind në Itali, 5 përqind në Angli dhe pjesa tjetër në Gjermani, Kanada, Belgjikë, Francë etj.
Shifrat janë tregues të fenomenit të bjerrjes së shoqërisë shqiptare jo vetëm në numër, por edhe në moral. Me qindra janë rastet e standardit të dyfishtë të jetesës, ku meshkujt shkojnë për të sjellë të ardhura financiare dhe harrojnë të vijnë edhe vetë, për shkak se martohen apo ndërtojnë një familje të re në vendin ku kanë emigruar. Ata harrojnë të kthejnë kokën për atë që kanë lënë pas, të mendojnë për urinë e fëmijëve në Shqipëri apo për gruan që nuk ka një sup ku të mbështetet për hallet e saj.
Për vite të tëra, mjaftohen me një “alo” dhe me disa kartëmonedha apo para, pa e kuptuar se dashuria dhe prania fizike është e pazëvendësueshme, pavarësisht arsyeve të emigrimit.
Të dhënat e anketimeve, të kryera me emigrantët shqiptarë në Greqi e në Itali, dëshmojnë se motivet kryesore të emigracionit janë: kërkesa për një pagë më të lartë (29%), nevoja për të ndihmuar familjen në vendlindje (28%), standardet më të mira të jetesës (17%), kushtet më të mira të punës (16%), mundësitë më të mëdha për shkollimin e vetë emigrantëve ose pjesëtarëve të tjerë të familjes (7%) dhe motivet politike (3%).
Emigrantët meshkuj në Greqi e në Itali janë punësuar kryesisht në ndërtim dhe në bujqësi, ndërsa gratë janë punësuar në shërbimet familjare. Fakti që emigrantët shqiptarë janë punësuar në punë të vështira i ka zvogëluar shanset e tyre për të përmirësuar kualifikimin profesional dhe integrimin në vendet ku kanë emigruar.
Procesin e integrimit të tyre e kanë vështirësuar edhe kufizimet në tregun e punës, qëndrimet ekstremiste politike dhe fetare, si dhe pasqyrimi negativ, që herë pas here, i bën media disa ngjarjeve sporadike kriminale, të cilat mund të jenë kryer nga emigrantë shqiptarë.
Megjithatë, plagët që sjell në zemrat dhe moralin e shoqërisë shqiptare, emigracioni ka pasur ndikim të rëndësishëm në uljen e papunësisë në vend.
Të shpresojmë që shteti të fillojë të mendojë seriozisht për këtë fenomen, duke hartuar politika punësimi, që ky fenomen të vijë duke u ulur, pasi do të zvogëlohet numri i divorceve, që vijnë për këtë shkak. Fëmijët do të kenë një figurë për të ndjekur dhe gruaja një sup ku të mbështetet. E ajo që është më e rëndësishmja shoqëria do të përfitojë më shumë nga puna e tyre, nëse tërë ajo forcë e energji harxhohet për tokën ku ke lindur.
Revista Familja


Leave a Reply