![]()
Fenomeni Vrasësi i gazetarit amerikan, James Foley, fliste me aksent britanik, e tashmë kërkimet për të sapo kanë nisur. Ai duhet të jetë një ndër tre luftëtarët e IS-it me nënshtetësi britanike, që mbikëqyrin pengje të huaja. Ata quhen Beatles
Shërbimet e fshehta britanike po kërkojnë me ngulm vrasësin e gazetarit britanik, James Foley (Xhejms Folej). Në videon e ekzekutimit, të cilën grupimi terrorist e shpërndau në rrjetet sociale në internet ditën e mërkurë, xhelati u paraqit me nofkën John (Xhon). Gjuhëtarët e kanë përcaktuar atë tashmë, duke u nisur nga aksenti që fliste, si britanik nga Londra apo rrethinat e saj, apo edhe si banor i krahinave të Anglisë Jugore.
John-i duhet të jetë një ndër tre islamikët britanikë, që mbikëqyrin pengjet e huaja nën kontrollin e grupit islamik IS, në qytetin sirian të Rakka-s. Për shkak të aksentit të tyre, nga pengjet ata njihen si Beatles, raportojnë tashmë mediat britanike. Mbi John-in deri më tani është bërë vetëm pakçka e ditur. Autoritetet mendojnë se ai është një njeri mëngjarash, pasi ai e mban thikën në dorën e majtë, sipas asaj që paraqitet në video. Sipas britanikes The Guardian, ai paskësh qenë drejtuesi i negociatave të pengmarrësve terroristë në lirimin e 11 pengjeve të tjerë të IS-it në muajin mars të këtij viti. Në atë kohë, u lirua në këmbim të parave edhe gazetari spanjoll i gazetës El Mundo, Javier Espinosa.
Inteligjent, i mirarsimuar dhe radikal
Një peng i mëparshëm deklaroi për The Guardian, se John-i qenkësh inteligjent, i mirarsimuar dhe mbështetës i bindur i Islamit radikal. Sipas ekspertit të terrorit, Shiraz Maher nga King’s College në Londër, shfaqja e tij mbresëlënëse në video, tregon se luftëtarët britanikë në radhët e IS-it nuk janë vetëm ushtarë këmbalesh, por kanë zënë tashmë edhe pozicione kyçe në atë organizatë. Rreth 500 britanikë luftojnë në Siri dhe Irak për arritjen e një Shteti Islamik apo “Kalifatit” – sikurse edhe njëqind francezë, belgë e gjermanë të tjerë. Britanikët, sipas Maher, renditen ndër më brutalët, ata kryejnë ekzekutime dhe kryejnë e organizojnë madje edhe atentate vetëvrasëse. Të paktën 19 britanikë janë vrarë tashmë në konfliktin trevjeçar. Gazeta tjetër britanike Daily Telegraph, publikoi një galeri të tërë imazhesh të të rinjve britanikë, që i janë bashkëngjitur tashmë grupimit radikal terrorist. Ndër ta është edhe Aine D., një anëtar i hershëm i bandave të gangsterëve, që u radikalizua më pas gjatë qëndrimit në burg. Por edhe dy motra binjake 16-vjeçare nga Mançesteri, që kishin nota të mira në mësime e që donin të bëheshin mjeke, para se në korrik t’i bashkëngjiteshin të vëllait në drejtim të Sirisë. Më parë, xhamitë përdoreshin edhe për rekrutim islamikësh, shkruan Maher në një artikull në britaniken Daily Mail. Sot, mbillen kontakte personale në internet. Skema është gjithnjë e njëjta: një mysliman i ri udhëton drejt Sirisë, apo Irakut, dhe flet për miqtë e shokët e tij, për ato që gjen atje. Më pas, nuk zgjat shumë derisa atë ta ndjekin disa syresh nga rrethi i vet shoqëror në Britani, Francë, apo Gjermani për shembull.
“Sjellje të pashpirta e çnjerëzore”
Romantika fillestare në aventurën e shkretëtirës, shumë shpejt u radikalizua, duke u kthyer në një masë të tërë “njerëzish të pashpirt e sjelljesh jonjerëzore”. Maher, që ka biseduar shpesh me shumë terroristë, shkruan se motivimi i tyre ka ndryshuar radikalisht në muajt e shkuar. Rezidentët e parë sirianë në Perëndim të ardhur si refugjatë lufte, kanë dashur të ndihmojnë njerëzit e atjeshëm në nevojë e që po jetonin mes vuajtjeve. Por ndërkohë, shumë prej tyre flisnin vetëm për arritjen e “Kalifatit”. Luftëtarët britanikë të IS-it janë bërë edhe më “agresivë, të paskrupullt dhe johumanë”. Qeveria britanike po e sheh veten si e hutuar para këtij fenomeni. Kryeministri David Cameron bëri të ditur se do ta mprehë luftën kundër radikalizmit të të rinjve myslimanë në vend. Mirëpo në terma afatshkurtër, qeveria mund të bëjë fare pak. Këtë vit ajo ka mbledhur 23 pasaporta të udhëtarëve potencialë drejt Sirisë e Irakut dhe ka hequr nga qarkullimi në internet, 46 video të IS-it. Qeveria, para së gjithash, është e shqetësuar, mbi atë se çfarë mund të kryejnë kur të kthehen në vendlindje luftëtarë të tillë të radikalizuar e shumë brutalë. Shumica prej tyre janë tashmë nën fokusin e shërbimeve sekrete, mirëpo eksperienca tregon se mbikëqyrja e tyre nuk bëhet gjithnjë pa probleme. Njëri prej tyre, që tashmë është kthyer në Britani, u arrestua ndërkohë dhe u gjykua: në maj, gjykata mbretërore në Kingston, e shpalli Mashudur Choudhury-n fajtor, për përgatitje aktivitetesh terroriste në Siri. Dënimi do të bëhet i ditur muajin që vjen. Ndërkohë, shumë redaksi gazetash në të dyja anët e Atlantikut në mënyrë solidare, kanë shpallur se nuk do t’i bëjnë më jehonë e nuk do ta shpërndajnë videon e ekzekutimit të gazetarit James Foley e video të ngjashme nga IS-i, për të mos kontribuar kësisoj në linjë me propagandën e terroristëve. A.P.
![]()
Foto 1 Kush e vrau gazetarin amerikan James Foley? Milicia e terrorit e “Shtetit Islamik” shpërndau një video të ekzekutimit të tij, ku vrasësi i pretenduar flet anglisht me theks britanik
![]()
Foto 2 Britania e Madhe po kërkon vrasësin e Foley-t. Gazetari amerikan punonte për vite më radhë në Siri, e qysh nga 2012, ai ishte shpallur i marrë peng. Në këtë foto, ai paraqitet në aeroportin e Sirtes në Libi, në vitin 2011
![]()
Foto 3 Foley punonte si gazetar i lirë për Agjencinë e Lajmeve AFP dhe portalin amerikan GlobalPost
![]()
Foto 4 Ekzekutimin e Foley-t e kanë marrë përsipër anëtarët e IS-it. Nga grupi i terrorit tashmë kemi një ushtri thuajse të rregullt, plot luftëtarë radikalë
![]()
Foto 5 Luftëtarët e IS-it kontrollojnë ndërkohë pjesë të mëdha të Irakut e Sirisë. Sjellja e tyre është shpesh më se brutale
Gazeta Shqip


Leave a Reply