
Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara ndihmuan ushtarakisht forcat irakiane dhe kurdët në rimarrjen e një dige të madhe strategjike në Irakun verior nga luftëtarët e Shtetit Islamik.
Në një paraqitje të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë dje, Presidenti Obama tha se në qoftë se militantët do të shkatërronin digën e Mosulit, ajo do të shkaktonte përmbytje “katastrofike” në Irakun verior, duke vrarë mijëra njerëz.
Presidenti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara po shohin përparim të rëndësishëm në Irak, duke ndihmuar në zbrapsjen e terroristëve dhe armatosjen e forcave kurde dhe atyre irakiane.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë e sapo-formuar të unitetit në Irak dhe do të ndërtojnë një koalicion ndërkombëtar për dërgimin e ndihmave humanitare në Irak.
Pentagoni tha se ka kryer 15 sulme të tjera ajrore të hënën kundër militantëve të Shtetit Islamik pranë Digës së Mosulit, duke shkatërruar më shumë armatime dhe pozicionet e tyre luftarake.
Diga e Mosulit ka një rëndësi kritike në Irakun verior pasi ajo prodhon energji elektrike dhe mbështet sistemet e ujitjes për pjesën më të madhe të rajonit.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply