
Presidenti amerikan Barak Obama thotë se Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder të mërkurën do të shkojë në Ferguson të Mizurit për të marrë informacione mbi hetimin federal mbi vrasjen e një të riu të paarmatosur zezak nga një polic i bardhë që ka nxitur protesta të dhunshme.
Presidenti Obama u tha gazetarëve dje në Shtëpinë e Bardhë se zoti Holder do të takohet me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, që janë të angazhuar në hetimin e pavarur federal të vrasjes së zezakut Michael Brown më 9 gusht. Prokurori Eric Holder do të takohet me udhëheqësit e komunitetit në përpjekje për rikthimin e paqes dhe qetësisë në qytetin e Fergusonit.
Presidenti tha se ndërsa shumica e njerëzve po protestojnë në mënyrë paqësore, ai i bëri thirrje një “pakice të vogël” të protestuesve që “të heqin dorë nga zemërimi, vjedhjet, armëmbatja dhe sulmet ndaj policisë”. Presidenti Obama tha se veprime të tilla i shërbejnë vetëm rritjes së tensioneve dhe kaosit dhe minojnë përpjekjet për vendosjen “e drejtësisë”. Ai gjithashtu tha se “nuk ka asnjë justifikim për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë”, ose për çdo veprim që mohon të drejtat e protestuesve paqësorë.
Masa e ndalim-qarkullimit në Ferguson u hoq të hënën pas arritjes së trupave të Gardës Kombëtare në këtë qytet amerikan për të mbështetur forcat policore mes përleshjeve të vazhdueshme me protestuesit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon të hënën u bëri thirrje autoriteteve në Ferguson që të tregojnë përmbajtje dhe të zbatojnë të drejtën për të protestuar dhe lirinë e shprehjes paqësore.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply