
TIRANE – Gazeta “Panorama” shkruan sot se Jaho Salihi Mulosmani rrëfehet për vrasjen e deputetëve Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi. Nga Burgu i sigurisë së lartë në Burrel 37-vjeçari ka folur për gati 5 orë me një grup prokurorësh e hetuesish të Prokurorisë së Përgjithshme për dy krimet ndaj deputetëve, njëri demokrat dhe tjetri socialist.
Me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe me leje të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve grupi i punës ka mbërritur në Burrel, në “strehën” e të burgosurit të përjetshëm, i akuzuar dhe dënuar për vrasjen më 12 shtator të vitit 1998 të deputetit demokrat Azem Hajdari. Deklaratat e tij publike se nuk ka gisht në këtë krim dhe se kishte dijeni për autorët dhe arsyet e vrasjes ende të pazbardhur të deputetit socialist Fatmir Xhindi 5 vjet më parë, kanë bërë që ai të flasë tashmë në cilësinë e dëshmitarit.
Ndonëse konfirmohet se i dënuari është marrë në pyetje për dy çështjet, për shkak të rëndësisë që kanë ato, nuk bëhen të ditura deklarimet e dhëna nga i dënuari. Burimet e gazetës tregojnë se prokurori dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore nga Prokuroria e Përgjithshme kanë udhëtuar të shtunën nga Tirana drejt Burrelit dhe kanë “biseduar” për gati pesë orë me të dënuarin Jaho Mulosmani.
Bëhet e ditur se të dërguarit e Llallës kanë pasur një takim të shkurtër me autoritetet e burgut, për t’u bërë të ditur atyre qëllimin e “vizitës” së tyre në këtë institucion.
albnews.al


Leave a Reply