PUKE – Në mesin e maleve të Pukës, në vendin e quajtur “Laku i Ballqit”, ndodhet kulla e Jakajve. Është i vetmi oxhak ku del tym dhe rrallë në atë zonë mund të kalojë ndonjë i “huaj”. Në këtë kullë veçuar botës “përplaset” dhimbshëm historia e dy grave, të cilat për dekada të tëra kanë jetuar mes vuajtjes, serialit të frikshëm të gjakmarrjes dhe ngujimit. Zonja e “parë” e shtëpisë është 105-vjeçarja Dile Jaku. Zoti i ka dhënë jetë të gjatë për të parë shumë skena të frikshme, e ka sprovuar me dhimbjen e humbjes së njerëzve më të dashur, por Dile Jaku nuk është dorëzuar kurrë. Ajo shprehet se jeta e saj ka qenë një kalvar vuajtjesh dhe nuk ka njohur gëzim. Për shkak të ankthit dhe frikës të së keqes që nuk i është ndarë thuajse gjatë gjithë jetës, 105-vjeçarja edhe sot e kësaj dite nuk flet asnjëherë me të panjohurit. Historia e dhimbshme e Dile Jakut zë fill që në vitin 1949, kur sistemi komunist i pushkatoi të shoqin duke e lënë atë në mes të maleve të Pukës me dy fëmijë jetimë (një djalë dhe një vajzë). Por vuajtjet do të ishin vetë jeta e saj, pasi në 1969 i vrasin për gjakmarrje djalin e vetëm, duke i lënë një fëmijë të mitur dhe nusen në shtëpi mes skamjes dhe mjerimit. Në odat e kullës së Dile Jakut, makthi i “gjaksit” do të mbërrinte deri në vitin 2000.
GJAKMARRJA
Bashkudhëtare e jetës së 105-vjeçares është nusja e djalit të saj, Liza Jaku, një grua fisnike, e cila mban mbi supe 75 vite. Ajo thotë se vjehrra e saj është simboli i qëndresës përballë dhimbjeve që do thyenin dhe gurin. “Zoti është i vetmi që i ka qëndruar pranë vjehrrës time. Në ’49-ën, asaj i vranë të shoqin si pasojë e një dëshmie të rreme se ai punonte kundër pushtetit të asaj kohe. Por fati i keq nuk iu nda nënë Diles. Vetëm pak vite pas martesës sime, gjaksi vrau tim shoq, pra djalin e saj. Kaluam shumë vite skëterrë së bashku. Atëherë (në vitin 1997), kur menduam se ishim disi më mirë, im bir, i cili ishte martuar dhe shtuar me fëmijë mori gjakun e të atit. Ai u burgos dhe sërish në kullë mbetën 3 gra me 5 fëmijë. Historia e gjakmarrjes vijoi deri rreth viteve 2000″, shprehet Liza Jaku.
DILE JAKU
105-vjeçarja, e cila ka humbur ndjeshëm dëgjimin bën çudi me veten. “Shumë herë habitem me veten që jetova kaq gjatë. Ato që më ndodhën mua e familjes sime tani mund të duken si gojëdhëna. Por, kurrizi im e di se çfarë mban përsipër. Njeriu qenka më i fortë se guri. Kam jetuar në mjerim dhe kam përjetuar shumë, shumë dhimbje dhe akoma shoh, akoma marr frymë”, thotë Dile Jaku.
http://www.albnews.al/historia-e-rralle-105-vjecarja-komunistet-me-vrane-burrin-gjaksi-djalin.html
Leave a Reply