Fejzula Abdulai
Në këtë shkrim do përmbahemi mbi disa shikime të arvanitasit grek mbi tolerancën fetare të shqiptareve e cila, sipas shikimeve të tij, është shembull i veçantë ndër popujt e Ballkanit. Ky studiues i denjë për çështjen shqiptare, në veprën e tij me peshë shkencore “ARVANITASIT DHE PREJARDHJA E GREKËVE” (Tiranë 2007), për të cilën në faqet e interenetit kemi bërë një analizë të përegjithshme, nxjerr në dritë raportet ndërfetare të popullit shqiptar jovetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
Botëkuptimet ndërfetare Aristidh Kola i fillon me Greqinë e lashtë. Në atë kohë fanatizmat fetare dhe fanatizmi nëpërgjithësi, kanë qenë krejtësisht të panjohura. Sipas tij helenët asnjëherë nuk kanë pasur në konceptin e tyre fetar që popujve të tjerë t’iu diktonin bindjet e tyre fetare ose frymën ideologjike e cila ka qenë e veçantë. Në kohën që cek ky arvanitas, të gjitha fetë e ruajnë veçantinë, ekskluzivitetin e së vërtetës dhe shpëtimin e njeriut. Këtë ai e potencon pasi zoti, sipas tyre, të gjithë i ka të barabartë. Në natyrë gjithçka është e bukur me një harmoni. Sipas panteonit helen, asgjë nuk është perfekte ose e shëmtuar, por normale ashtu siç i konvenon jetës së zakonshme të njeriut. Fetë e asaj kohe që kanë njohur helenët nuk kanë asgjë të përbashkët me karakteristikat e atyre që njihen sot. Helenët nuk bënin konfrontim të ideve dhe feve të reja, ashtu siç po ndoth sot ku njerëzit me vështirësi po i përballojnë.
Sot, nënvizon Kola, çdo besimtar e konsideron besimtarin e një feje tjetër si një kafshë flijimi që mund të mbarojë me eliminim fizik. Me fjalë të tjera, ekziston një kundërshtim intolerant ndërfetar. Kërkohej që kundërshtari të kërcënohej ose të zhdukej fizikisht. Çdo njeri që mendon ndryshe dhe nuk iu përshtatet rregullave të fesë greke është i destinur që të dënohet. Në fakt kjo do të thotë që besimet e tjera fetare, nënvizon ai, nuk kanë mundur që të predikojnë besimet e veta (mendon për grekët e sotëm, f.a.). Për rregullat fetare të helenëve të lashtë, Aristidh Kola thotë: “Helenët e lashtë gjithmonë e patën të hapur derën për rrymat e ndryshme idelologjike dhe fetare, por që këto ta kalonin pragun duhej të ishin me të vërtet të fuqishme dhe të pranueshme nga filtri kritik i helenëve”. Në kohën e vet, helenët bënë luftëra pushtuese, por nuk ushtruan presion kundër besimit fetar të ndonjë populli tjetër. Fetë e tjera çdo herë i kanë parë me respekt. Helenët çdo herë janë ndjerë superiorë ndaj feve të tjera, por edhe tolerantë. Mirpo popujt barbar këtë madhështi, vetëqendrueshmëri dhe epërsi të helenëve nuk e kanë parë me sy të mirë. Ndaj sipas Falmerajerit, thotë ky arvanitas (shqiptarogrek), qe arsyeja që popujt barbarë në shumë raste u hakmuar dhe deshin që fisin helen ta zhdukin nga faqja e dheut.
Megjithatë, popujt barbarë nuk ishin në gjendje të duronin superioritetit të frymës helene. Ata, konstaton Kola, më vonë i pranuan dhe i imituan grekët pa dhunë. Fara helene qe nëpërgjithësi e mirëpritur. Një tolerancë fetare që ka ekzistuar tek helenët e nuk ka ekzistuar tek grekët, paraqitet tek shqiptarët.
Nga kjo shihet se besimi helen ka qenë tolerant, por të shohim se si e shpjegon ky arvanitas tolerancën fetare tek shqiptarët, të cilët me numër edhepse janë të pakët, në rradhët e tyre kanë tre besime kryesorë dhe disa sekta fetare.
Ky arvanitas (shqiptarogrek), duke iu referuar fjalorit enciklopedik dhe dokumentave të ndryshëm, vë në dukje se shqiptarët janë populli më tolerant në botë. Pranimin e besimeve shqiptarët e bënë në etapa të ndryshme. Kështu, për shembull, ata krishterimin nga perandoria bizantine e pranuan të fundit. Megjithatë ruajtën disa adhurimesh, si bie fjala atë të Diellit, orëve, ditëve të javës si dhe të ikonave të ndryshme.
Më vonë në kohën e mesjetës, pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët qenë nën ndikimin e madh të perandorisë osmane. Shumica e tyre që t’i ruanin privilegjet dhe lirinë në këtë kohë qenë të detyruar që të pranojnë besimin mysliman. Shqiptarët që të përballonin kuranin dhe fanatizmin mysliman, Sulltan Murati i IV lëshon këtë urdhër: “Sa romakë (të krishterë) kanë feude të turqizohen (mysliomanizohen) dhe do t’i marrin ato, në rast të kundërt do t’i humbasin”(citon A.Kola, 2007). Mirpo, sipas Kuranit thotë ai, ata që nuk besojnë, jo veç që do humbin pasurinë, por da ta humbin e lirinë dhe do të jenë njerës së kategoris së dytë. Nga kjo shihet se Sulltani insistonte që në çdo mënyrë të islamizonte shqiptarët. Tani mbetej që shqiptarët të zgjidhin krishterimin që e kishin pranuar më parë apo të ruanin lirinë e pasurinë. Kola është i mendimit se shqiptarët më tepër kanë preferuar lirinë dhe pasurinë. Pra, sipas tij, ndryshimi i feve tek shqiptarët më tepër si shkak ka qenë interesi ekonomik për shtresën e të pasurve, karakterin dhe traditën e lashtë për shtresën e të varfërve. Kështu për një tridhjet vjeçar prej vitit 1620 gjer më 1650, në fenë myslimane u konvertuan 300 000 nga 350 000 banorë ( e pabesueshme, por ndoshta e vërtetë, F.A.)! Për një gjë të këtillë peshkopi katolik i Antivarës, Viçi, qe mjaft i brengosur. Ai thoshte se brenda 10 vjetësh ekziston rreziku që të gjithë shqiptarët të shndërrohen në myslimanë (Paparigopulos, vëll.5, f.16-17. Cituar nga A. Kola). Më 1691 nënvizon Kola, turqit u munduan të parandalonin ndërrimin e fesë sepse kjo qe në Kranin e shenjtë ku thuhet se imponimi i fesë me dhunë është krjtësisht i ndaluar. Kjo përsëri ndodhi, kuptohet nga faktet e përmendura pak më lartë.
Ndërrimi i fesë i brengoste turqit
Ndërrimi i fesë të shqiptarëve për interesa personale e jo për bindjet e tyrë në mirësitë e fesë myslimane, pushtetarët turq në atë kohë i brengosi teper. Kjo, sipas Kolës, qëndron në këto arsye: së pari, lirimi i shqiptarëve nga pagesa e taksave dhe së dyti, të drejtat e barabarta me popullatën turke. Këtë administrata turke e shihte me një sy të dyshimtë nga fakti se shqiptarët edhe më tutje ndaj turqëve vazhdonin të kenë urrejtje njësoj si popujt e tjerë të krishterë. Qëndrimi i tyre ndaj ndërrimit të fesë tek shqiptarët vazhdimisht ka vazhduar të jetë i dyshimtë. Shqiptarët edhe pse konvertoheshin në myslimanë, kishin urrjetje ndaj këtij populli aziatik. Këtë e kishin sepse, sipas tyre, turqit kanë qenë okupues të trojeve shqiptare. Në këtë mënyrë tek shqiptarët paraqitet një plyralizëm fetar (të krishterë dhe myslimanë). Me ndërrimin e fesë të një numri të math të shqiptarëve turqit i bregosi teper, ndaj ata u munduan tepër që të parandalonin këtë fenomen, i cili u tregua i dëmshëm për qeverinë turke të kohës.
Tek shqiptarët myslimanë nuk ekzistonte kurfarë gjurme fanatizmi. Ata (shqiptarë) nënvizon Kola, ishin aq të zhurmshëm sa edhe të krishterët. Ndaj përpjekjet e Sulltanit për të ngulitur njëfarë fanatizmi ishin të pasuksesshëme. Shqiptarët myslimanë, konsataton ky arvanitas, i përkasin një herezie, në radhë të parë ajo e bektashinjëve, e cila e shpjegon kuranin shumë thjeshtë. Në këtë libër të shenjtë, sipas tij, nuk është e lejuar poligamia, nuk ka xhami por teqe (aty mund të hyjnë lirisht myslimanë dhe të krishterë) dhe nuk ka agjerim të namazit. Madje, vë në dukje Kola, se këto dy fe (myslimane e të krishterë) nuk arritën dot të hyjnë thellë në shpirtin e shqiptarëve që të vinin në dyshim elementet tradicionale të tyre të cilat i kishin të trashëguara brez pas brezi dhe që ruhen akoma edhe në ditët e sotme. Pra shqiptarër edhe pse ndërruan fenë, ata nuk e pranuan fanatizmin turk të dëmshëm për gjatë gjithë kohës së sundimit turk në trojet shqiptare, sepse tek ata edhe më tutje në radhë të parë mbeti ndërgjegjia kombëtare.
Në këtë kontekst janë me rëndësi edhe martesat e shqiptarëve. Shqiptarët edhe pse bënë ndërrimin e fesë, martesat kurdoherë i bënin ndërmjet tyre, bile edhe të përziera, ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve të krishterë. Nuk pranonin që martesë të bëhet me përkatësitë e kombeve të tjera. Pikërisht kjo i brengosi tepër si imamët myslimanë ashtu edhe patrikanën. Patrikana kërkonte që me çdo kusht të ndalohen martesat e “përziera” duke krijuar një fanatizëm fetar dhe hendek të thellë në mes shqiptarëve myslimanë dhe atyre të krishterë. Të parët të kontrollohen nga Sulltani (myslimanët) dhe të dytët (të krishterët) të kontrollohen nga patrikana. “Por, kompaktësia e fuqishme e popullit shqiptar nuk u shkëput nga martesat e përziera”, nënvizon Kola.
Ndarrja fetare shqiptarët nuk i përçau por i forcoj më tepër
Plyralizmi fetar në Shqipëri paraqitet me invazionin e turqëve osmanilinj në shekullin e katërmbëdhjetë. Tani numri më i madh i shqiptarëve filloi të konvertohet në fenë islame duke e lënë të parën. Ndër këtë fe paraqitet edhe një besim tjetër ai i sektit bektashian. Gjer në këtë kohë, para ardhjes së turqëve në trojet shqiptare, popullata qe e besimit të krishterë, por e ndarë në të besimit katolik dhe të krishterë ortodoks. Kjo ndodhi pas ndarjes së perandorisë romake në atë të lindjes (bizante) dhe asaj të perëndimit, romano-katolike.
Ndarja e këtillë shqiptarët i forcoj akoma më tepër. Ata ndërmjet tyre krijonin institucionin e “Vëllazërisë”. Kjo do të thotë që shqiptari i të krishterë bëhej vëlla i adoptuar me myslimanin e kombit të tij. D.m.th. Krushqitë brenda fisit me fe të ndryshme vazhdonin normalisht. Kështu, thotë Aristidh Kola, “Kolokotroni ishte “Vllamë” me Marko Boçarin (i krishterë) dhe Laliotin Alifarmaqi (mysliman)”. Nga kjo shihet se ndarja fetare nuk ka qenë ndonjë pengesë e pakalueshme për marëdhëniet ndërmjet shqiptarëve. Secili kishte besimin e vet dhe nuk ndërhynte në besimin e tjetrit. Për këtë një këngë shqiptare thotë: “derin dhe kombin i kemi bashkë- të krishterë e myslimanë” (cituar nga A.Kola). Kështu ka qenë edhe me helenët e lashtë. Ata nuk e njihnin fanatizmin fetar dhe asnjëherë nuk e konceptuan të bënin luftra të përgjakshëme që t’iu impononin popujve të tjerë bindjet e tyre. Mirpo kjo karakteristikë e helenëve të lashtë nuk mund të gjendet në Bizant. Në këtë të fudit fanatizmi fetar e ka mbrijtur kulminacionin e vet, që nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër.
Për mohimin e fanatizmit ndërfetar nga ana e shqiptarëve autori A. Kola i referohet një gjeografo-etnolugu austriak, Waldkampf, i cili në vitin 1887 pat shkruar: “Shqiptarët e mohojnë fanatizmin fetar të otomanëve (dhe të krishterëve, shton autori), deri në atë pikë që të mos ta shpërfillin fare, megjithse janë të po kësaj feje. Shumica e fshatrave shqiptare nuk kanë xhami dhe besimtarët e kësaj feje nuk ngurrojnë të bashkëfestojnë Pashkët me të krishterët, gjithashtu edhe ortodoksët marrin pjesë me dëshirë në festën e Ramazanit. Shqiptarët nuk kanë asnjë vështirësi të bëjnë martesa brenda shoqërisë së tyre pavarësisht nga besimet fetare. Të gjithë shqiptarët, qoftë të krishterë, qoftë myslimanë i urrejnë njësoj turqit…” Këto janë pra të vërtetat mbi shqiptarët.
Tek shqiptarët mbi të gjitha është ndërgjegjia kombëtare
Fanatizmi fetar, qoftë ai mysliman apo të krishterë, nuk gjeti kurfarë rezistencë nga popujt evropjanë sepse u shkonte përshtat besimeve të tyre, duke e haruar ndërgjegjen kombëtare. Në kohët e para rezistencë pati vetëm nga helenët të cilët nuk pranuan fanatizëm të imponuar, i cili do ta pengonte besimin e tyre. Rezistencë e këtillë paraqitet edhe tek shqiptarët. Për këtë autori A.Kola, duke iu referuar gazetares angleze E.Durham, bën krahasim fanatizmin fetar e kombëtar ndërmjet popujve të ballkanit dhe shqiptarëve. Gjatë luftërave ballkanike gazetarja Durham vizitoj shumë anë të Gadishullit Ballkanik. Takimet që i pat bërë me popujt e tjerë (jo shqiptarë) lidhur me ndërgjegjen fetare apo kombëtare , kostaton:
“ Kur kaloja në Rumeli pyesja njerzit,
-Ç’ je ti?
-Katolik, -përgjigjej njëri.-Protestant, -tjetri.
Në Bullgari pyesja: -Ç’je ti?
-Ortodoks.
Në Jugosllavi: -Ç’je ti?
-Protestant.”
Secili pra përgjigjej sipas mendjes së vet. Me këtë Durham vë në dukje se fanatizmi fetar këtyre po ua humbet ndërgjegjen shpirtërore me anën e frikësimit dhe dogmave të papranueshme.
Ndërkaq, kur hyn në Shqipëri, vë në dukje të kundërtën, atë që duhet të jetë mbi të gjitha. Ja përgjigjet e shqiptarëve:
“-Çfarë jeni ju këtu?
-Shqiptarë, – m’u përgjigjën prerë e qartë”
Nga përgjigjia e këtillë, ajo në vetëvete thotë: “U çlirova këtu nga fanatikët dhe zotkrijuesit”.
Nga kjo çka u fol më lartë shihet qartë se arvanitasi (shqiptaro-grek) vë në dukje se shqiptarët janë i vetmi komb ndër popujt e tjerë të ballkanit ku mbi të gjitha e ka ndërgjegjen kombëtare e pastaj atë fetare. Tek shqiptarët feja është vetëm një besim, i cili është paraqitur në kohë, në kushte dhe rrethana të ndryshme, ndaj edhe ekzistojnë disa besime. Identiteti i një kombi, nënvizon ky autor, varet prej ndërgjegjes kombëgtare, e pikërisht kjo ekziston tek çdo shqiptar. Shqiptarët shikuar historikisht në të kaluarën kanë pasur peripeti dhe sfida të ndryshme. Ata kanë qenë të okupuar nga okupues të ndryshëm të cilët ua kanë ndërruar besimin fetar (tek okupuesit pat ekzistuar ndërgjegje fetare e jo komëtare), por jo edhe ndërgjegjen kombëtare. Ndaj sot e kësaj dite tek shqiptarët në të gjitha trojet e tyre ku jetojnë, mbi të gjitha ekziston ndërgjegja kombëtare e pastaj ajo fetare. Të gjithë shqiptartët ndërmjet tyre janë vëllezër e motra pa dallim besimit fetar, gjë që nuk ekziston ndër popujt e tjerë ballkanas, vë në dukje studiuesi shqiptaro-grek (arvanitasi) në veprën e tij të lartpërmendur.
geoprespa.wordpress.com


Leave a Reply