Në fund të dhjetorit 1877, dhe fillimin e janarit 1878, u mbushën 131 vjet e gjashtë muaj, të ndjekjes, gjenocidit dhe shpopullimit të afro 700 vendbanimeve të banuara me shqiptarë në Sanxhakun e Nishit.
Ftesa që shqiptarët më 10 qershor 2009, të tubohen në Prizrenin historik është e drejtë. Por, historikisht më i drejtë do të ishte që tubimi të organizohej në Kosovën Lindore, Preshevë, Bujanoc apo në Nish!
Më 10 qershor 1878 mbushën 131 vjet nga fillimi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherit një ndër Lidhjet më të organizuara Politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e XV-të.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rendësishëm kombëtarë shqiptar. Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasiqë Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri. Një këshillë i ministrave të Turqisë nga presioni reakcionar dhe personalisht nga Sulltani nuk e miratoi kërkesën e Komitetit të Stambollit për formimin e Ligës (Lidhjes Shqiptare të Prizrenit). Kështu në Shkodër u formua Komiteti i njohur i Shkodrës me nëndegë si paraprirëse të formimit të Lidhjes Shqiptare, meqë ushtria ruse po përparonte duke i thyer forcat turke dhe duke i kaluar malet e Ballkanit. Shqiptarët nën presionin e masave popullore do t`i nxisin krerët e Komitetit që sa më parë të bëhen organizime strukturore politike dhe ushtarake.
Në të njëjtën kohë nga qarqe evropiane përgatitej mbajtja e Kongresit të Berlinit, meqë sapo kishte përfunduar e ashtuquajtura Paqja e Shen Stefanit. Kështuqë pa lejen e autoriteteve perandorake, në Prizren më 10 qershor 1878 filloi nga puna Lidhja më e madhe shqiptare pas Lidhjes së Lezhës më 4 mars 1444. Punimet e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, e cila në histori njihet me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit zgjati disa ditë, madje ajo vazhdojë edhe gjatë muajit korrik të vitit 1878. Në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u miratuan dokumente të rëndësishme kombëtare, strategjike, ushtarake dhe politike. U formua Qeveria e parë shqiptare, organet qeveritare, shtetërore dhe politike, ushtarake dhe strategjike. U caktuan regjionet, rrethet dhe qendrat në të cilat do të përcaktohen afatet e formimit të degëve të Ligës në rrethet dhe qendrat kryesore shqiptare pothuajse në të gjithë territorin dhe hapësirën etnike shqiptare, duke përfshirë tërësitë e Jeni Pazarit, vendbanimet, Plavë, Guci, Luginën e lumit Cem, Shkodër Dibër, Manastir, Shkup, territoret e Kosovës Lindore, Shqipërinë e Mesme, të gjitha territoret e Kosovës të sotme aktuale dhe jashtë saj, Shqipërinë e Jugut me Çamëri, atë Lindore etj. Lidhja shqiptare e Prizrenit filloi së funksionuari mbështetur në dokumentet e Kararnamenës dhe në vendimet të cilat u morën në Kuvendin e saj. Lidhja formoi kryesinë në krye më Abdyl Frashërin, qeverinë në krye me Ymer Prizrenin dhe anëtarët e tjerë të cilët kishin arritur nga Stambolli të cilët paraprakishtë kishin të përpiluar strategjinë e platformës të Komitetit të Stambollit, e cila u përfshi në dokomentet e Kuvendit të Lidhjes.
Pastaj u formuan celulat e ushtrisë së parë organizative shqiptare nëpër degë dhe nëndegët e Lidhjes, pothuajse në tërë territoret ku kishte kushte dhe mundësi për t`u organizuar.
Meqë, në disa territore shqiptare, ushtria turke akoma ishte aktive, por e dërmosur nga luftrat ruso-serbo-turke. Liga në kohën për të cilën jemi duke folur, po përballohej edhe me numrin e madhë të refugjatëve të ndjekur nga ushtritë serbo-ruso-malazeze qysh në dimrin e vitit 1877/78. Ai numër refugjatësh sillej nga 270.000 deri në afro 300.000 syresh. Në një dokument të shkruar nga Sheh Jonuzi, i gjetur në teqen e fshatit Suhodoll të Mitrovicës, por i asgjësuar apo i fshehur në kohën e Rankoviqit, thuhet se refugjatët muhaxherë, askusht nga qarqet ndërkombëtare të Europës nuk i kishte ndihmuar me ushqim, veshmbathje apo sigurim të një ekzistence minimale. Me ta, ballafaqohej vetëm popullsia vendase, sidomos ajo e kazasë së Vushtrrisë, zona e Llapit, Prishtinës, Pejes, Ferizajit, Anamoravës etj. Por, me formimin e Lidhjes së Prizrenit, çështja e refugjatëve ndryshon për dy aspekte, Meshkujtë e aftë refugjatë të Sanxhakut të Nishit dhe krahinës së Toplicës u rreshtuan në ushtrinë e posaformuar të Ligës, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë ishte shpërndarë nëpër zonat e theksuara më lartë. Një pjesë e refugjatëve kishte marrë rrugë drejtë Turqisë dhe vendeve arabe të pushtuara nga Turqia, në Siri, Liban, Egjipt Palestinë etj. Turqia e preokupuar me luftra dhe krizë në gjiun e saj ushtarak mori mjaftë djemë shqiptar, të cilët me vite apo shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë, më në familje nga të cilat ishin marrë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878. Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444. Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 131 vjetëve, është e ngulitur thellë në mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtarë të kombit shqiptar.
Nga shumë historianë vendor dhe ndërkombëtar, këtë e e marrin si periudhë të formimit të kombit të ri shqiptarë. Mirëpo, derisa shqiptarët janë të ndarë në gjashtë shtete, 4 prej tyre mbajnë territore të tyre të pushtuara, dhe përderisa shqiptarët nuk bashkohen në një të vetmin shtet kombëtar, ata akoma nuk e kanë të formuar kombin dhe shtetin e tyre dhe të përbashkët si popujt e tjerë në Ballkan dhe në Evropë.
Pavarësisht se G. Ballkanik është një lloji labirinthi, dhe për të ekzistojnë me qindra harta, skicime dhe vija hartash e kufijsh, shqiptarët në të, sot për sot, janë populli më i dëmtuar dhe më i copëzuari me një perspektivë mjaftë të zymtë, sa i përket çështjes së këtyre hartave, atij labirinti dhe shtrirjes historike dhe asaj gjeografike në këtë hapësirë. Edhe historia më e re e këtij populli, edhe lufta e fundit në Kosovë, dhe “pavarësia e saj”, janë tejet spekulative, pa ndonjë perspektivë ekzistimi dhe qëndrimi jashtë shtetit të përbashkët kombëtar shqiptarë.
Prandaj thirrja e “Vetvendosjes” të gjithë në Prizrenin e Kuvendit të Lidhjas, ka specifikat, karakterin dhe domethënjën e vet kombëtare! Këta dhe faktorët të tjerë relevant- historik determinojnë jo vetëm një përkujtim, përkushtim apo rivlerësim të atyre ngjarjeve të Lidhjes, por nxisin për përkushtim dhe punë imanente të luftës diplomatike për bashkimin kombëtar.
albaniapress.com



Leave a Reply