![]()
Në Shkup u mbajt protesta e qindra shqiptarëve me moton “Stop Dhunës ndaj shqiptarëve” në mbrojtje të familjes shqiptare në Radishan të Shkupit.
Protesta u organizua nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (IGFM) dhe shoqatat studentore. Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Strugës Ziadin Sela.
Protestuesit qetësisht me pankarta dhe sllogane kundër dhunës kanë marshuar nga sheshi “Skënderbe” drejt Qeverisë dhe më pas Parlamentit, duke i rikthyer drejt vendit ku nisi marshi. Protestuesit janë ndjekur nga forca të mëdha policie, të cilat kanë qenë në numër të madh dhe mjete të blinduara.
“Gjendja e shqiptarëve më Maqedoni është shumë më e vështirë se sa paraqitet nga disa ‘trima’ dhe patriotë shqiptarë politikan që kanë zënë kolltuqet dhe nuk ju intereson asgjë për shqipztarët. Me këtë dëshirojmë të tregojmë se shqiptarët përkrahin protestën dhe jemi të bashkuar për ta ndaluar dhunën jo vetëm në Radishan por kah mos ku ka familje shqiptare” theksoi Idriz Sinani nga IGFM.
Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela theksoi se në këtë situatë çdokush duhet të mbajë armë dhe të vetëmbrohet, për shkak se shteti tregoi se nuk mund të mbrojë qytetarët.
“Pragu i shtëpisë është i shenjtë për shqiptarët, ata duhet ta mbrojnë atë. Pushteti duhet tu sigurojë të drejtat themelore njerëzore banorëve të saj, nëse këtë shteti nuk e bën atëherë duhet të reagojë populli vet në këtë mënyrë. Koalicioni i ri qeveritar duhet të reagojë menjëherë para se të kemi ndonjë fatkeqësi më të madhe” theksoi Sela.

Deklarata e plotë e lexuar në protestë para Qeverisë
“Të nderuar vëllezër dhe motra. Unë e di se numri i atyre që dëshirojnë të jenë sot bashkë me ne është shumë më i madh nga ky numër që jemi mbledhur këtu. Është i madh numri i atyre që dëshirojnë të jenë me ne dhe të shprehin mllefin kundër diskriminimit të ego që po ju bëhet shqiptarëve në Maqedoni edhe në shekullin 21. Ne jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që sot me zemër e me mendje janë këtu, kurse me trup janë pamundësuar të prezantojnë, për shkak të presionit që kanë nga qarqe të ndryshme. Qëllimi i këtij tubimi është kombëtar, është human është solidar. Rasti i familjes Zeqiri është vetëm kulmi i politikës sistematike antishqiptare që nuk u ndërpre asnjëherë në Maqedoni. Është rast të cilit i paraprinë shumë vrasje të ushtarëve të lirisë, arrestime në raste të montuara, helmime të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, si dhe sulme të shumta nëpër shkolla e autobusë. Nëse ne si komb nuk tregojmë se jemi në gjendje të ngrejmë zërin kundër padrejtësive, aktet e tilla do të na përsëriten edhe në të ardhmen. Nëse sot viktimë e sulmeve është familja Zeqiri, nesër viktimë potenciale do të jetë çdo familje shqiptare. Për këtë arsye edhe jemi mbledhë këtu, që ti dërgojmë mesazh mbarë Evropës dhe botës, se shqiptarët nuk janë në gjendje të durojnë edhe më tepër padrejtësitë që po në bëhen, e që po manifestohen edhe me sulme terroriste, siç ishin sulmet në Radishan. Tubimi jonë është klithma e fundit për të tërhequr vëmendjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar se vullneti i shqiptarëve për të jetuar në paqe, po ngacmohet për çdo ditë në formën më të vrazhdët. Jemi mbledhur t’i themi stop dhunës, sepse dhuna prodhon vetëm dhunë. Jemi mbledhë këtu për ti treguar botës se gjendja e shqiptarëve është shumë më e vështirë, se si e paraqesin patriotët tanë nëpër kolltuqet e pushtetit. Patriotët e rrejshëm që më tepër kujdesen për postet e tyre se sa për fatin e shqiptarëve. Ata bënë maksimumin për të fshehur nga opinioni edhe sulmet ndaj familjes Zeqiri, mirëpo siç thotë populli, dielli nuk mund të fshehet me shoshë. Për të mos e zgjatur më tepër, këtë fjalim po e përfundoj me fjalët e luftëtarit të madh për liri dhe barazi Martin Luter King, që i ka thënë para shumë dekadave, por që janë aktuale edhe sot e kësaj dite. Para 50 viteve ai tha kështu: “Nuk ka kohë për t’u përfshirë në luksin e qetësisë, apo për të marrë ilaçin qetësues për t’i lënë gjërat të ecin gradualisht. Tani është koha për të bërë reale premtimet e demokracisë”. Të nderuar, ne nuk kemi ndërmend askujt të ja prishim qetësinë, ne nuk kërkojmë luks e sulltanate, mirëpo nuk do të lejojmë kurrën e kurrës që të shkelen të drejtat tona elementare. Ju falënderoj edhe njëherë, Rroftë kombi shqiptarë, Lavdi Dëshmorëve të Lirisë”. (INA)

08:14 – Në Shkup sot do të mbahet proteste në shenjë revolte ndaj heshtjes së institucioneve për dhunën dhe sulmet ndaj familjes shqiptare Zeqiri në Radishan të Shkupit.Protesta organizohet nga Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IGFM), ndërsa deri tani mbështetja ka ardhur nga shumë shoqata studentore dhe shoqata të tjera.
Sipas organizatorëve, protesta do të mbahet të premten në orën 13.30 nga sheshi Skenderbeu, duke vijuar më pas me një marsh protestues drejt Qeverisë, kurse mbyllja e saj të bëhet tek Parlamenti.
“Ne synojmë një protestë paqësore dhe ftojmë të gjithë shqiptarët që ta përkrahin ate, sepse sa më masovikisht të dalim do të tregojmë se jemi të aftë për t`i dal zot vetvetes”, deklaroi Sinani. Ai tha se edhe faktorë të tjerë të shoqërisë civile pa hezitim duhet të dalin publikisht dhe t`i bashkëngjiten kësaj proteste, dhe jo të shohin me sehir zhvillimin e saj.
Familja Zeqiri nga Radishani i Shkupit natën e së hënës përjetoi një tmerrë, ku persona të panjohur kanë hedhur dy bomba në shtëpinë e tyre. Ky akt u cilësua si terrorist dhe me qëllim të shpërnguljes së kësaj familje të vetme shqiptare në këtë vendbanim në periferi të Shkupit të banuar me maqedonas. Familja Zeqiri një sulm nga huliganë dhe aktivistë partiak maqedonas përjetoi edhe në natën e 13 prillit. Dhuna dhe presioni ndaj saj ka bërë që një pjesë e kësaj familje të shpërngulen në Gjermani, për shkaqe sigurie. (INA)


Leave a Reply