Tregim nga Lek Gjoka.
As vetë Gazmor Vela nuk e kishte kuptuar se një ditë do të përfundonte ne
Xheksovillë. Gjithesesi ndihej si me fat nga klima aq miqësore e Floridës ku dimri
gjithmonë ngatërronte rrugën dhe nuk vinte deri këtu. Po ecnin ngadalë me Bertin ne Biç Blvd. me një makinë sportive dhe me dritare hapur. Oqeani Atlanik kishte lëshuar një fllad të lehtë që ta largonte stresin dhe rutinën e ditës nën aromën e afshit të ujit të kripur. Si ecën edhe pak minuta kthyen majtas shumë afër bregut të Atlantikut dhe hyne në parkingun e bar- reastaurant “Legends” u ngjitën ngadalë në katin e dytë të tij që ta shijonin më mirë kaltërsinë e oqeanit. Një muzikë e lehtë sikur të përkundte me tinguj e saj dhe të lëshonte si në një ëndërr. U ulun në një tavolinë afër dritares. Porositen dy birra dhe duke biseduar lehtë u shtangën kur dy vajza të bëshme me shikim ëmbëlsues u ulun në një tavolinë afër. Kamarieri iu afrua vajzave dhe mori porosinë. Shikimi i Gazit se si u përqafua me njerën nga vajzat.
Diçka i lëvizi nëpër gjak.
– Ç’farë ke? – e pyeti si me tallje Berti, – po të zë qymyri?
– Jo jo – luajti kokën ai, – se si me duket shikimi i asaj vajze, sikur e kam takuar diku.
– Ehe, – ia ktheu shoku, – sa vajza takojmë në bare a diskoteka të gjitha njëlloj duken.
– Gabohesh, ajo ka një lloj shikimi që ndryshon nga të tjerat, diçka e brendëshme sikur më shqetëson.
Berti si djalë çapkën të përzier me njëfarë tangërlleku, si xhentëlmen për bisedat me femrat u ngrit në këmbë dhe u afrua tavolinës së tyre. Zgjati dorën dhe foli me një frymë.
– Albert Shkodra! – prezantoi vehten.
– Mbiemer i njohur! – ia priti Sara, – mos gjë jeni…
– Po po, i re pikes, – e ndërpreu ai, – jam shqiptar.
Rita qeshi lehtë me vehte dhe vështroi në mënyrë të pakuptimtë Gazin. Edhe ajo kishte një parandjenjë që diku e kishte parë. Mos vallë është…
Binte një shi i përzirë me borë. Makina ngjitej me vështirësi në të përpjetën e malit në kthesat e Gomsiqes ku një shtresë e hollë dëbore e kishte bërë rrugën si sapun. Megjithëse Agron Vela ishte një ndër shoferët më të dalluar të bjeshkëve shqiptare ato çaste e kishte shtrënguar fort timonin.
– Ç’farë ke? – e pyeti e shoqja, – më dukesh i shqetësuar më ngadalë se po trembet Rita.
– Mosss, fëmijët grua!…
Frenoi gozhdë por nga akulli i ngrirë në rrugë rrëshqiti duke dalë nga rruga dhe ra në humnerë…
– Rita, Rita! – dëgjoi një zë paskrahëve.
– Ç’farë? – ia priti ajo dhe fshiu lotët me dorë.
– Pse qan?
– Kot, më ka marrë malli për diçka, tani m’u kujtua. Berti ia kishte ngulur sytë Sarës dhe i ftoi në tavolinën e tij. Vajzat u ngritën ngadalë. U nisën drejt Gazit i cili e priti me një frymë ardhjen e tyre.
– Sara! – prezantoi vehten Sara dhe u ul në karrike.
– Rita! – foli Rita me një frymë dhe i zgjati dorën.
Ai ia dha dorën dhe se si iu duk. Një ngrohtësi i përshkroi tërë trupin. Mos vallë kam rënë në dashuri, – i fliste ai vehtes.
– Jo, jo, nuk besoj se është dashuri por …
– Gëzuar! – dëgjoi zërin e saj si një oshëtimë bjeshkë.
– Gëzuar! – ia ktheu ai dhe si i fali një buzëqeshje thirri kamarieren. për të paguar. – Gazi a mund të bëjmë një fotogarafi bashkë me celularin tim ta kem si kujtim kur të mbaroj shkollën e të kthehem në Shqipëri?
– Me gjithe qejf! – ia priti ai.
Ajo pa u menduar ia dha telefonin Sarës dhe iu afrua afër Gazit duke pozuar . Ajo mori telefonin dhe pa e zgjatur iu bëri fotografinë. Në një copë letër i la numërin e telefonit. Iu afrua afër veshit dhe i foli lehtë.
– Më telefono të shtunën se ndoshta kam një fjalë të rëndësishme me ty…
Sa e gjatë iu duk ajo javë Gazit. Ditët me zor ecnin si një orë që po i mbaron bateria. Të shtunën pasi u vesh mori telefonin dhe letrën e saj që kishte shkruar në mënyrë të shkujdesëshme numërin e telefonit dhe nisi ta formonte 904- 343- ….
– Hello! – dëgjoi zërin e saj
– Jam Gazi, më falni se mos kam ngatërruar numër
– Me kë doni të flisni! – ia priti ajo si me shaka të vëllait të saj.
– Me Ritën, mbiemrin ia kam harruar.
– Nuk ka gjë se do të ma mesosh mbiemrin.
– Ti Rita qenke, pse luan me mua?!
– Ok, Ok, ku do të takohemi? – Ku të duash ti?
– Takohemi tek Panera Bread në Southside Blvd
– Në rregull! – ia priti ai dhe si mori celsat e makinës u nis me një frymë jashtë.
Ajo ishte ulur në tavolinë . Ai i dha dorën dhe u ul.
– Paske ardhur para meje?
– Sigurisht se jam më e shpejtë?
– Po porosinë pse e ke bërë se desha unë të të qerasja?
– S’ka gjë nga shikimi dukesh se i ke qejf ëmbëlsirat ndaj e porosita.
– Ku e di ti se më pëlqejnë shumë ëmbëlsirat?
– Të thashë nga shikimi! – ia priti e qetë ajo dhe gati sa nuk shpërtheu në lot duke shtrënguar fort në një letër dy fotografitë një të vjetër dhe një që bëri para një jave me Gazin.
– Gazi! – i thirri ajo lehtë dhe i kapi duart.
– Fol, – ia priti ai në çast dhe një ngrohtësi shpirtërore i shkonte dhe i vinte nëpër trup.
– A ke vëllezer, motra, nënë, baba a ke familje?
Ai u shtang. E shikonte drejt e në sy dhe kishte ngelur si memec.
– Fol, pse nuk flet?
Ai vetëm e shikonte. Një çast e mori disi vehten dhe foli me një zë të mekur:
– Nuk të kuptoj Rita?
– Si nuk më kupton?
– Pse duhet t’i përgjigjem një pyetje të tillë?
– Sepse unë të pyeta dhe ti pranove të takohesh me mua!
– Po, ke të drejtë por nuk të përgjigjem dot.
– Pse?
– Eshtë një plagë e vjetër dhe kur të pashe ty nuk e di se ç’farë ndjenje ndieva?
– Dashuri për një vajzë që e shikon për herë të parë dhe të dhuron shikime e buzëqeshje?
– Jo, jo diçka tjetër, një lloj dashurie tjetër nuk di se si ta them me fjalë.
Rita e shikoi me dhembshuri drejt e në sy. Hapi letrën dhe i tregoi një fotografi të vjetër. Gazi sa e pa njohu prindërit e tij që vdiqën në të njetin aksident ku vetëm Rita fatmirësisht shpëtoi dhe shpërtheu në lot.
– Motër, Rita motra ime ti qenke! – belbëzoi me zë të lartë dhe të dyve rreketë e loteve iu kishin formuar dy lumenj dhimbjeje nëpër faqe.
– Oooh Zot, si qenka jeta, – folën në kor të dy njëherësh e të përqafuar lotët s’i ndalnin dot. Qanin të dy pa zhurmë. Bota jashtë jetonte jetën por edhe Gazi e Rita sonte po shijonin një takim nën lumenjtë e lotëve por që jeta dikujt ja bën një dhuratë të tillë.
LEK GJOKA
Marre nga libri me tregime
“PËRROI I DJALLIT”
Tirane 2013


Leave a Reply