Emi Milo, një nga vajzat e “burgosura” në vilën tek ish-blloku, flet për “Shekullin” se për shkak të një konflikti pronësie 13-vjeçar, ato mbetën të izoluara për dy javë brenda shtëpisë së tyre
Dorjana Bezat
Të qenit në bllok mund të jetë argëtuese për shumë të rinj të kryeqytetit, por jo për dy motrat Emi dhe Atea Milo. Për shkak të një konflikti pronësie ato u “burgosën” brenda shtëpisë prej datës 10 prill. Ky konflikt e shoqëron këtë familje për më shumë se 13 vjet. Familja Milo jeton që prej vitit 1998 në katin e tretë të një banese në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ishbllokut. Për shkak se shkallët e brendshme të banesës ishin amortizuar shumë, banorët e saj vendosën në kompromis, të ndërtonin një palë të tjera prej betoni, në ambientin jashtë shtëpisë. Duke nxjerrë kështu jashtë funksionit shkallën e brendshme prej druri, e cila me kalimin e kohës u shemb plotësisht.
Pas disa vitesh, kati i dytë i kësaj banese shitet dhe pronarët e rinj e izolojnë zgavrën e shkallës, duke lënë kështu vetëm një dalje për këtë familje. Shkallët e ndërtuara në pjesën jug-lindore të ndërtesës Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar i vlerësoi të paligjshme dhe kreu shembjen e tyre. Gjatë momentit të prishjes së shkallëve, vajzat e kësaj shtëpie kanë qenë brenda banesës. Pasi shembjes së tyre, ato mbetën plotësisht të izoluara brenda banesës. 22-vjeçarja Emi Milo tregon se në ato momente ka qenë në gjumë.
Prej disa ditësh ajo gjendej me regjim shtrati në shtëpi, sepse kishte kryer një operacion. Kjo e vështirësoi akoma dhe më shumë situatën e saj, pasi ajo kishte nevojë për asistencë mjekësore dhe për kurimin e plagës. “Kam tentuar vetëm një herë të dal nga shtëpia me ndihmën e një shkalle provizore për të shkuar në spital që të hiqja penjtë, por si zbritja ashtu edhe ngjitja ishin shumë të vështira në kushtet e mia”,- u shpreh Emi. Për fatin e saj të mirë motra Atea është mjeke dhe ajo e ka mjekuar në kushtet e izolimit. Tatiana Milo, nëna e vajzave, me ditë të tëra endej në rrugë e shqetësuar për shëndetin e vajzave dhe shikonte fytyrat e tyre vetëm nga larg.
Një litar i varur në ballkon ishte mundësia e vetme e komunikimit mes kësaj familje. Në një shportë të improvizuar ajo u niste ushqimet dhe ilaçet vajzave të saj. Kjo situatë paradoksale në mes të kryeqytetit e irritoi shumë këtë nënë, aq sa ajo tejkaloi edhe veten. Duke mos e zgjidhur problemin në rrugë ligjore, kjo nënë e dëshpëruar bëri apel në media për zgjidhjen e këtij problemi që e ndau atë nga vajzat e saj. Vëmendja e madhe mediatike bëri që mëngjesin e djeshëm punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar të ndërhynin duke e hapur derën qendrore të kësaj banese dhe duke shembur pjesën e betonuar që kishte zënë hapësirën e shkallëve të brendshme. Pozicioni në lartësi, materiali i fortë prej betoni dhe hekuri e bënë shumë të vështirë shembjen e tij. Zhurma e mjeteve goditëse dëgjohej në gjithë hapësirën.
Zonja Tatiana Milo, nëna e dy vajzave të mbetura të izoluara endej në atë korridor të vogël, i cili është bërë mollë sherri për më shumë se 13 vjet duke e endur dyerve të gjykatave. Shumë e tronditur emocionalisht ajo tregon sagën e vajtje-ardhjeve nëpër gjykata dhe stresin që ka përjetuar këto ditë nga ndarja me vajzat. Kamerat e shumta dhe zhurmat e shkaktuara i hutuan kaq shumë këto vajza të reja, të cilat duke u ndjerë të vëzhguara nuk hapnin as telefonin. Meraku për shëndetin e tyre u bë ende më i madh, derisa më në fund muri që i mbante të izoluara u shemb. Zonja Tatiana priti me ankth që vajzat e saj të zbrisnin nga një shkallë e improvizuar në një korridor të mbushur me mbeturina inertesh. Me telefon në dorë, ajo përpiqet t’i lajmërojë vajzat e saj se “burgimi” i tyre mbaroi. Përgjigjet vajza e saj Atea.
“Është shumë e turpshme kjo që po ndodh me ne mami”,- tha ajo dhe e ndërpreu telefonatën. Duke qenë më e rritur ajo nuk mund ta përballonte këtë shfaqje në rrethana të tilla. Prandaj vendosi të mos dilte nga shtëpia për aq kohë sa aty ishin kamerat. Dilte shpesh në ballkon për të qetësuar të ëmën, e kujdesshme për t’u shpëtuar syve kureshtarë. Pak çaste më vonë zbriti Emi, e cila u hutua nga dritat e shumta të kamerave. Gjithë emocionin e shkarkoi në krahët e prindërve që e përqafonin dhe puthnin pafund.
Emi është studente në vitin e fundit për arkitekturë. Për këtë arkitekte të ardhshme, kjo situatë është paradoksale dhe e pa tolerueshme, ku një banesë mbetet pa asnjë dalje. Me vendim gjykate shkallët e brendshme mbyllen dhe shkallët e jashtme shemben si pa leje.
“Nuk është aspak normale që një shtëpi me vendime abuzive të mbetet pa hyrje. Nuk dua të ndalem aspak në çështje ligjore, për të ndarë kush ka të drejtë mes palëve. Di vetëm të them që të cenosh lirinë e një familjeje duke e “burgosur” brenda shtëpisë së tyre, është shumë e palejueshme të ndodhë. Është e pa tolerueshme që në kohën kur jetojmë të ketë paradokse të tilla, që të mos kesh mundësi të hysh e të dalësh në shtëpinë tënde, në pronën tënde. Kur projektohet një shtëpi nuk mund të lihet ai i katit të dytë apo i tretë pa ambientet e shkallëve. Është shumë ofenduese të të cenojnë lirinë deri në këtë pikë. Ushqimet dhe ilaçet na vinin nga dritarja me ndihmën e një litari me çengel, sikur t’i merrnim vjedhurazi. Është tjetër gjë të vendosësh të mos dalësh nga shtëpia dhe tjetër të të detyrojnë të mos dalësh.”,- u shpreh ajo.
Mungesat në shkollë
Duke mos pasur mundësi të dalë nga shtëpia Emi Milo tregon për gazetën “Shekulli” se kjo i ka sjellë edhe probleme në shkollë. Duke qenë në vitin e fundit të shkollës, studentët e kësaj dege po merren me hartimin e temave të diplomës dhe mësimi zhvillohet vetëm të premten. Emi tregon se ajo nuk ka shkuar tre herët e fundit të ndjekë leksionet dhe rrezikon të penalizohet për këtë fakt duke mos u futur në një provim. “Shpresoj shumë që ankthet e familjes sime të mbarojnë një herë e mirë dhe të gjendet një rrugëzgjidhje sa më e arsyeshme për të gjithë”, – tha ajo dhe u larguar nga ky ambient.
“Shkallët e sherrit” përballin dy familje në Tiranë
Petraq dhe Tatiana Milo janë pronarë të një apartamenti me sipërfaqe 87 metra katrorë në rrugën “Pjetër Bogdani”. Apartamenti, ndodhet në katin e fundit të kësaj godine. Ambientet e godinës deri në vitin 2001 lidheshin nëpërmjet shkallëve të brendshme, të cilat fillonin në katin e parë, ku ndodhet vetëm hyrja, për të vazhduar në katin e dytë dhe të tretë. Më pas, po këtë vit u ndërtuan shkallët e jashtme prej betoni, për të cilat ka pasur disa tentativa shembjeje, sepse janë konsideruar të paligjshme. Ato u shembën më 10 prill nga INUK- u. Objekt i konflikteve mes familjes Milo dhe trashëgimtarëve të kësaj prone Lejla Shijaku e Iris Çeku është sipërfaqja prej 23 metrash katrorë në hyrje të kësaj ndërtese.
Familja Milo pretendon se nëpërmjet abuzimeve të kryera në hipotekë dhe në gjykata, pronarët e banesës Lejla Shijaku dhe e bija e saj Iris Çeku kanë shndërruar ambientet e përbashkëta në ambiente banimi me qëllim shitjen e tyre. Këto pretendime zonja Tatiana i çon edhe më tej duke akuzuar ish-gjykatësin e Gjykatës së Apelit Pajtim Hoxha. Çifti Hoxha ka blerë katin e parë të kësaj banese dhe ka mbyllur zgavrën e shkalleve spirale që zbrisnin në mes të banesës së tyre. Zonja Lejla Shijaku dhe e bija e saj kanë pretendime të tjera mbi këtë çështje.
Sipas tyre, gjithë kjo zhurmë e potere është thjesht inskenim dhe prapaskenë që me anë të saj zonja Tatiana të përfitojë pronësi në një ambient që nuk i takon. Pa asnjë vendim gjykate ajo hyn dhe dhunon këtë banesë. Ato thonë që çështjen do ta hedhin në gjyq dhe do të ngrenë padi për dhunim banese dhe do kërkojnë dëmshpërblim për shqetësimin dhe dëmin e shkaktuar. Zonja Shijaku pretendon se familja Milo ka blerë prej saj vetëm 87 metra katrorë banesë. Pretendimet e tyre sipas saj janë të pa baza, sepse “në qoftë se kërkon bashkëpronësi në një pronë duhet të kryhen matje dhe kjo duhet të cilësohet në kontratë”,- tha për “Shekullin” zonja Lejla Shijaku. Kjo gjë nuk ka ndodhur në kontratën e shitblerjes së apartamentit mes zonjës Shijaku dhe familjes Milo. Asaj i janë dhënë 500 mijë lek për ndërtimin e shkallëve nga jashtë sipas shijeve të saj. Së bashku në vitin 2001, ato kanë drejtuar një kërkesë pranë minibashkisë nr. 5, për marrjen e një lejeje për këto shkallë.
Shekulli


Leave a Reply