Pasi kemi vizituar Lisbonën dhe kemi lënë pas Portugalinë, hyjmë sërish në Spanjë. Dhe nuk hyjmë në një zonë dosido, por në atë që e kemi patur ëndërr prej kohësh për ta vizituar, në Andaluzinë poetike. Veçanërisht poezitë e Federico Garcia Lorkës më kanë ngacmuar gjithnjë. I lindur pranë Granadës, në njërën nga tetë provincat që përfshin Andaluzia, ai i ka kushtuar shumë poezi shpirtit andaluz, muzikës dhe flamenkos. Lorka ka shkruar: “Andaluzia është vendi ku kënga dhe dhimbja ecin sëbashku”.
Ne ecim përgjatë këtij rajoni të pamatë, që është më shumë se tri herë më e madhe se e gjithë sipërfaqja e Shqipërisë, dhe ndjejmë kryesisht këngën, atë muzikë të brendshme, që duket se buron nga gjithçka, nga plantacionet me ullinj, me agrume e me pemë të tjera, nga fushat e qëndisura e të kutivuara bukur e, sidomos nga lulet që ndajnë dy karrexhatat e autostradës e që na shoqërojnë për qindra e qindra kilometra, ndërsa ecim drejt Seviljas. Ato lule, duket sikur të fresojnë e të relaksojnë, ndërsa makina ha qindra kilometra rrugë. Bukuria e rajonit të Andaluzisë qëndron te kontrasti i jashtëzakonshëm midis peisazheve. Ato përbëhen nga lugina pjellore, kodra të mbuluara me ullinj, vreshta, fusha gruri, male të larta dhe brigje mesdhetare. Lugina e lumit Guadalquivir është zemra bujqësore e rajonit dhe një nga zonat më pjellore të Spanjës. Por ajo që tërheq vëmendjen më shumë është deti i pafund i ullinjve që shtrihet në provincat e Jaenit, Cordobës dhe Seviljas. Andaluzia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të vajit të ullirit në Europë. Vetëm ullishtat zënë mbi 1.5 milion hektarë, duke përbërë afërsisht 45 për qind të tokës bujqësore të rajonit. Por krahas ullinjve, na shoqërojnë përgjatë udhëtimit tonë edhe fusha ngjyrë ari me grurë në prag të korrjes, plantacione me agrume, me fiq, bajame e pemë të tjera frutore dhe perime të shumëllojshme.
Në kryeqytetin andaluzian, në Sevilja, arrijmë në buzëmbrëmje. Përnjëherësh na tërheq një atmosferë e gjallë, megjithëse bën shumë vapë. Rrugët dhe sheshet janë plot me njerëz. Në sheshin përpara hotelit ku sistemohemi, tavolinat janë shtruar përjashta dhe turistët konsumojnë birrë ose verë spanjolle, të shoqëruara me pjatat karakteristike, që këtu i quajnë tapas, pjata të vogla me meze të ndryshme. Por ka edhe nga ata që preferojnë paellën karakteristike spanjolle, megjithëse është një pjatë e rëndë dhe e nxehtë. Këtë preferojmë edhe ne, paellën me prodhime deti, që këtu e bëjnë shumë të shijshme.
Të nesërmen nxitojmë që në mëngjes herët të njihemi me bukuritë e qytetit. Preferojmë të lëvizim me taksi, që këtu kushtojnë lirë, për të evituar vështirësitë e gjetjes së parkimit. Ndalesën e parë e bëjmë tek Piazza di Spagna (Sheshi i Spanjës), ku gjendemi përpara njërës prej bukurive më domethënëse e më simbolike të Seviljas. Prej saj duket që Andaluzia jeton mes historisë dhe ëndrrës. Një shesh madhështor me kanale, ura dhe mozaikë që përfaqësojnë provincat spanjolle. Ndërtesa në formë gjysmë harku dhe me dy kulla madhështore në të dy ekstremet e saj nuk është e vjetër në kohë. Ajo ka përfunduar së ndërtuari më pak se një shekull më parë, në vitin 1929. Forma në gjysmëharku duket se është bërë për të marrë në një përqafim të 48 provincat e Spanjës. Elementi më i famshëm janë pikërisht 48 stolat dhe panelet e veshura me azulejos (pllaka të bukura majolike), secili kushtuar një province historike të Spanjës. Çdonjëra prej tyre përmban stemën e provincës dhe një hartë të saj, një ngjarje historike të rëndësishme dhe motive dekorative karakteristike të rajonit. Kësisoj pllakat krijojnë një lloj historie të ilustruar të Spanjës. Vizitorët spanjollë shpesh kërkojnë stolin e provincës së tyre dhe fotografohen aty. Kurse turistët e huaj ndalen më shumë mbi urat e bukura e të harkuara dhe mundohen të përfshijnë në fotot e tyre sa më shumë nga kjo bukuri e veçantë arkitekturore.
Edhe pllakat majolike, të pikturuara të gjitha me dorë, përmes ngjyrave, transmetojnë një farë simbolike. Kështu bluja lidhet me ujin, qiellin dhe besnikërinë; e gjelbra me pjellorinë dhe natyrën; e verdha me diellin andaluz; ndërsa e bardha me dritën dhe pastërtinë.
Seviglia është një ndër qendrat më të rëndësishme të prodhimit të qeramikës dekorative në Europë. Ajo ka një traditë të pasur, e cila fillon në periudhën islame të Al-Andalusit, nga shekulli i tetë deri në të pesëmbëdhjetin. Artizanët maurë zhvilluan teknika të rafinuara të qeramikës së lustruar, me motive gjeometrike dhe bimore. Më vonë mjeshtrit myslimanë dhe të krishterë vazhduan të punonin së bashku, duke krijuar stilin unik seviljan të pllakave majolike. Qendra e kësaj tradite është lagjja Triana,(që afron aq shumë në emër me kryeqytetin e vendit tonë), e cila ndodhet në bregun tjetër të lumit Guadalquivir. Balta e cilësisë së lartë e nxjerrë pranë lumit dhe rrjeti i furrave tradicionale kanë krijuar një industri që ka eksportuar pllaka në të gjithë Spanjën dhe deri në Amerikën Latine. Pllakat e saj shquhen për ngjyra të forta blu, jeshile, të verdha dhe të bardha. Në to gjenden motive arabeske, lule dhe hardhi, simbole heraldike e skena historike. Të bën përshtypje që ato kanë një shkëlqim të veçantë, sa duket sikur janë prej qelqi. Veshjen me këto pllaka nuk e pamë vetëm tek Sheshi i Spanjës, por edhe në pallatin mbretëror Alcazar, në kishat dhe katedralet, madje edhe në shtëpitë private andaluziane. Pranë Katedrales së madhe, një nga pikat më tërheqëse të qytetit, m’u ndalën sytë tek lokali i një berberi. Mos është ky “berberi i Seviljes”, qesha me vete, duke kujtuar operan e famshme të Rossinit?
Një nga lagjet më karakteristike dhe poetike të qytetit është Barra Santa Cruz, me rrugica të ngushta dhe oborre plot lule, me lokale e dyqane të shumta, me një lëvizje të parreshtur të turistëve që në orët e para të mëngjesit e deri në orët e vona të natës.
Aty afër saj kalojmë nëpër parkun Alcaraz, një park shumë i bukur e i gjallë, me lule e pemë dekorative që të japin hare në shpirt. Dhe aty në mes të parkut gjendemi përpara një kërcimtareje që vallëzonte flamencon e famshme, që shpreh më së miri shpirtin dhe temperamentin andaluzian. Në kulturën andaluze përdoret shpesh koncepti “duende”, një gjendje e thellë frymëzimi dhe intensiteti emocional që prek si artistin ashtu edhe publikun. Për Federico Garcia Lorcan, duende ishte shpirti i vërtetë i flamencos dhe i artit andaluz në përgjithësi. Valltarja është një grua e moshës së mesme, me një trup elegant, e shoqëruar nga instrumentistë e këngëtarë mjeshtra të flamencos. Bën vapë dhe ajo djersin nën diellin e nxehtë të jugut, por kjo nuk e pengon të kërcejë me një pasion të veçantë. Në vallzimin e saj, me lëvizje të fuqishme të duarve dhe këmbëve, deri në dridhje totale të trupit, ajo sjell një shprehje intensive emocionale, duket sikur dialogon me këngëtaren dhe muzikantët, duke shprehur një pasion të fortë, ku përmblidheshin njëherësh malli e nostalgjia, dhimbja shpirtërore, dashuria e rebelimi, duke e mbyllur me një lloj krenarie e gëzimi shpërthyes. Kur mbaron vallëzimin, mes duartrokitjeve e përgëzimeve të spektatorëve-turistë, ajo ndalet një çast, sa duket sikur frymëmarrja i ka munguar gjatë ritmit. E takojmë dhe bëjmë një fotografi me të. Në bisedë me të mësojmë se ajo është nga qyteti i Cadizit. Shumë studiues e konsiderojnë zonën e ulët të Guadalquivir-it dhe provincat e Cadizit, Seviljes dhe Jerezit si vendlindjen e flamencos. Qytetet ku ajo praktikohet më shumë janë Sevilja, Cadiz, Jerez de la Frontera, Granada, Cordoba e Malaga. Veçanërisht Jerez de la Frontera konsiderohet një nga qendrat më autentike të flamencos.
Ritmin e flamencos e ndjemë mbrëmjeve edhe nëpër oborret e shtëpive, në lokalet e posaçme e në teatrot e qytetit. Ajo e bën Seviljan një këngë pasionale të jugut, që duket sikur ndizet në muret ngjyrë mjalti, në oborret me lule jasemini, në ndriçimin e butë të rrugëve, në sheshet e mbushura me rini, ku spikat bukuria e vajzave andaluziane, që të kalojnë pranë si ëndrra të pakapshme.
Të nesërmen udhëtimi ynë nis sërish në orët e para të mëngjesit. Udhëtojmë drejt zonave të tjera të Andaluzisë, me synimin për të arritur në Malaga e në Granada. Kalojmë fare pranë Ngushticës së Gjibraltarit, aty ku brigjet e Afrikës janë vetëm 14 kilometra hapësirë detare larg.
-Si nuk e kishim programuar, që të shkonim të pinim një kafe apo një çaj në tokën e nxehtë të Marokut?-më pyet Moza.
-Ishte një gabim programimi, i them,-por na presin qytete të tjera ku poezia e muzika e tokës andaluze shpalosen në maksimumin e vet.
Ndue Lazri



Burimi/Facebook


Leave a Reply