Drejtuar: Avokatit të Popullit, Shërbimit Social Shtetëror dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve.
Ky është momenti ku shoqëria shqiptare duhet të ndalet dhe të bëjë një pyetje shumë të thjeshtë:
A po mbrojmë realisht fëmijët, apo po i përdorim ata?
Dje u publikua gjerësisht në media dhe portale një fotografi nga aktiviteti i “Ditës së Krenarisë” në Tiranë. Në qendër të fotos ndodhen një ambasador, një ministre dhe një person transgjinor. Në sfond janë dy vajza të vogla.
E ndava fotografinë me një fjali:
“Ky është vizioni i Rilindjes për Shqipërinë.”
Më pas kuptova se fytyrat e fëmijëve nuk ishin mbuluar. Ishte një veprim i nxituar dhe joetik nga ana ime. Nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllim ekspozimi i tyre publik dhe për këtë arsye i mbulova fytyrat me dy zemra.
Por kjo nuk e shmang pyetjen kryesore:
Kush i vendos fëmijët në këto skena publike dhe pse?
Problemi nuk është vetëm realizimi i fotografisë!
Problemi është përdorimi simbolik i fëmijëve në betejat ideologjike të të rriturve.
Fëmija nuk ka pjekurinë të kuptojë konfliktin kulturor, as të analizojë axhendat politike, a të kuptojë përplasjet ideologjike të kohës sonë.
Megjithatë, gjithnjë e më shpesh, fëmijët shfaqen në parada politike, marshime ideologjike, në evente seksualisht të ngarkuara simbolikisht, si dekor emocional për të zbutur reagimin publik.
Kjo është pikërisht ajo që duhet të shqetësojë çdo institucion serioz në vend.
Pyetja nuk është:
“A kanë të drejtë të rriturit të protestojnë apo të marshojnë?”
Pyetja është:
A kanë të drejtë të përdorin fëmijët si element të propagandës së tyre?
Kur fëmijët vendosen në mënyrë të vetëdijshme në qendër të një aktiviteti ideologjik, ata pushojnë së qeni thjesht fëmijë dhe kthehen në simbol.
Këtu lind detyrimi moral dhe institucional i shtetit.
I bëj thirrje:
Avokatit të Popullit,
Shërbimit Social,
Komisionerit për Mbrojtjen e Fëmijëve, institucioneve arsimore dhe psikologëve të mendojnë seriozisht mbi pyetjet:
Ku janë kufijtë e përfshirjes së fëmijëve në aktivizëm politik dhe ideologjik? Kush mban përgjegjësi për ekspozimin publik të tyre? A ekziston mbrojtje reale për privatësinë dhe integritetin psikologjik të fëmijëve? A po përdoren të miturit për të normalizuar narrativa që ata vetë nuk janë në gjendje t’i kuptojnë?
Shoqëritë bien në krizë jo vetëm kur humbin ekonominë apo sigurinë.
Por kur humbasin aftësinë për të mbrojtur pafajësinë e fëmijëve nga instrumentalizimi ideologjik.
Fëmijët nuk duhet të jenë mjete propagande, mburoja emocionale të politikës, dekor i betejave kulturore të të rriturve.
Ata duhet të jetojnë femijërinë e tyre. Thjesht, i lini fëmijët të jenë, fëmijë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply