
TIRANË-Nëna e vajzës 6 -vjeçare Bleona Mata e cila humbi pa lënë gjurmë në 22 maj të vitit 2010 kërkon që Prokuroria të vazhdojë hetimet ndaj Begzim Isës. Sipas Bukurie Veizit, Isa ka gisht në zhdukjen e vogëlushes dhe ka bashkëpunuar me Qamile Matën, hallën e 6-vjeçares. “Prokuroria nuk duhet të mbyllë hetimet. Begzim Isa ka gisht në zhdukjen e Bleonës, ai ka bashkëpunuar me Qamilen. Prokuroria ka dëshmi që flasin për përfshirjen e tij”- është shprehur Bukuria.
Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka gjetur prova për implikimin e 21 vjeçarit Begzim Isa në rrëmbimin e Bleona Matës. Isa, i dyshuar për trafikim fëmijësh në Kosovë, u hetua për më tepër se 12 muaj në lidhje me zhdukjen e Blona Matës. Në 16 prill, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatë dosjen penale ndaj të riut, por pa akuzë për zhdukjen e Bleonës.

I dyshuari është marrë i pandehur vetëm për akuzën e “rrëmbimit të të miturve me qëllim trafikimi”, vetëm për rastin e një 8-vjeçari, për të cilin edhe u arrestua një vit më parë në fillim të prillit 2013. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon në akuzën e saj se ish-nxënësi i shkollës së mesme mjekësore në Prizren ka tentuar ta trafikojë një 8-vjeçar, të cilin e kishte marrë pa dëshirën e tij duke e larguar nga familja.
Të afërmit e djalit 8-vjeçar me inicialet A.F. denoncuan zhdukjen e fëmijës së tyre një vit më parë në Kukës, duke akuzuar pikërisht Begzim Isën. Për shkak se vazhdonte studimet në shkollën mjekësore në Prizren, u dyshua se i riu kishte planifikuar trafikimin e 8-vjeçarit drejt Kosovës. Policia kreu kontrolle në banesën ku mbahej fëmija dhe e gjeti atë, duke vendosur në pranga edhe Begzim Isën, i cili asnjëherë nuk e pranoi akuzën për trafikim fëmijësh.
Pas arrestimit në lidhje me rrëmbimin e 8-vjeçarit, prokuroria e hetoi të riun edhe për rastin e Bleona Matës, vajzës së zhdukur pa gjurmë më 22 maj të vitit 2010 në zonën e Kukësit. Edhe pse hetimet zgjatën një vit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pohuar se nuk ka gjetur asnjë provë për implikimin e Isës në zhdukjen e vajzës së mitur katër vjet më parë. I dyshuari 21-vjeçar nga fshati Orgjost i komunës Zapod banonte në të njëjtën zonë ku ndodhi zhdukja e Bleona Matës.
Për shkak të lëvizjeve të tij të shpeshta në Kosovë, u dyshua se ai mund të ishte implikuar në zhdukjen e Bleona Matës, por me sa duket prokuroria nuk ka gjetur elemente dhe prova për implikimin e tij në këtë ngjarje. Për këtë arsye, ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dorëzuar dosja penale ndaj të riut vetëm për akuzën e rrëmbimit të fëmijës 8-vjeçar, me qëllim trafikimin e tij në Kosovë në prill të vitit 2013.
Bleona u zhduk në Zapod të Kukësit teksa shoqërohej nga 5 kushërira mes të cilave edhe hallua e saj. Kërkimet për gjetjen e saj janë shtrirë si brenda edhe jashtë vendit por deri tani nuk ka asnjë informacion se ku mund të ndodhet.
(a.n/BalkanWeb)


Leave a Reply