
Poetja Edlira Doko ne kuadrin e festes se 8 marsit ,ka dergur ne redaksine e Alba – Dansk ,nje buqete me poezi, me rastin e kesaj feste,sic thote ajo vete – Le te jete nje dhurate per te gjitha nenat e motrat shqiptare kudo ne bote ku ato jetojne e punojne. Dhe redaksia me shume respekt per kontributin e kesaj poeteje ne diaspore po i percjell keto poezi aq te bukura qe kane nje ndjenje te larte nga nje nene e moter shqiptare,qe i eshte perkushtuar familjes e femijve te saj. Ajo ne keto poezi percjell optimizmin dhe cdo ndjenje te saj per jeten e per dashurine …
Redaksia e Alba – Dansk i uron suksese te metejshme poetes Edlira Doko ne rrugen e bukur te krijimtarise letrare.
————————————————
Edlira Doko

EDLIRA DOKO u lind më 10 shkurt 1973 në Mëkat të Dytë të rrethit të Vlorës. Origjina e saj është e arrumune ( vllahe), nga e cila ruan gjuhën e vllehëve, që e flet kulluar dhe e vë në shërbim të pasurimit të leksikut të saj në kijimtarinë letrare.
Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në vendlindje dhe, më pas, vazhdoi studimet në shkollën e mesme bujqësore në Llakatund po të rrethit të Vlorës.
U martua në moshë të re dhe emigroi në vitin 1994, në Athinë të Greqisë. Në kushtet e vështira të emgrimit njohu gëzimin e emrit nënë, lindi fëmijën e parë, Anxhelon. Në Athinë u muar me punë të ndryshme, por më shumë iu kushtua familjes.
Në vitin 1999 emigron sërish me gjithë familjen, në Verona të Italisë, ku jeton edhe sot. Në qytetin e Zhuljetës e Romeos, lindi djalin e dytë, Matteon. Përkushtim i vazhdueshëm ndaj familjes, krahas punës si sekretare.
Gjatë viteve në mergim, Edlira ka përvetësuar mjaft mirë edhe gjuhët greke e italiane, duke i vënë ato në shërbim të zgjerimit të horizontit kulturor e artistik.
Që në moshë shumë të re kishte dashuri dhe interes për artet e bukura. Pasioni i hershëm i saj ishte kantoja, një plagë e paimargjinuar ndër vite, pasi në moshën 14-vjeçare konkuroi për në shkollën e muzikës në Vlorë, por nuk arriti të fitonte. Zhgënjimi nuk e demoralizoi, përkundrazi e nxiti të zbulonte poezinë që flinte brenda saj.
Poezinë e parë e ka shkruar në vitin 1999. Por, me ndrojtjen që e karakterizonte, iu kushtua më shumë leximit të poetëve të ndryshëm, akumulimit të motiveve dhe krijimit të binde se edhe ajo kishte fjalën e saj për të thënë në fushën e poezisë.
Në vitin 2011 fillon të riaktivizohet, duke shkruar shumë poezi.
Ka bërë gati 3 vëllime poetike, por ka dërguar të parin në proces botimi pranë shtëpisë botuese “Ada” me botues Roland Lushin.Boton vazhdimisht lirika dhe poezi në gazetat :”Muzgu”,”Telegraf” , “Horoskopi”, “Bota jonë”, “Obelisk”, “Nacional” etj.
Kritikë dhe emra të njohur të poezisë e kanë vlerësuar krijimtarine poetike të EDLIRËS, duke e nxitur të bëjë hapin e parë për të dalë para lexuesit me vëllimet e saj.

KRENARIA E NËNËS
-kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë-
Ka ditë,
kur përmbi Vlorë,
bien pa pushim
petale trëndafilash,
në prehër i mbledh
Nëna e gjorë,
nën një kor me zëra bilbilash.
Lëvizin një çast
monumentet prej guri,
kur Nëna
u hedh petalet përmbi,
në sfondin e kaltër
valëvitet Flamuri
me ngjyrat e tij kuq e zi…
Nëna
ua përmend emrat
një nga një,
tek puth gurin e ftohtë
gjithë dashuri,
buzë detit
ngre dorën
e thërret me zë:
Këta trima janë bijtë e mi …!

NËNË…
Më erdh’
në ëndërr nëna sonte,
lehtë – lehtë më mbuloi ,
një puthje ndjeva ballit,
pastaj, pa u ndjerë, shkoi…
Kur lava faqen, në mëngjes
puthja dalëngadalë rrëshqiti,
mbi lotin tim nën qepallë
fytyra e saj në sy më ndriti…
Ndieva mall, nënë,
më dhembi shpirti!
NË GJIRIN TËND…

Më prit nënë, tek shkalla…mos hyrë brenda.
Po vij, me flladin e parë, sapo të çelë dita,
Hapi dritaret, të hyjë era, siç ma ka ënda,
Të kujtoj, ditën e atëhershme, kur të putha e ika!
Kujtim, kam lotin tënd në faqen time, edhe sot.
Sa herë ndiej mall, me dorë ia heq dhimbjen,
Lutem të jesh mirë, them: jepi jetë o Zot..!
Sa herë më thua: çupë, marrsh nga jeta ime !
Më merr, nëna ime në prehër, më merr…
Në krahët e tu të dremis, si dikur fëmijë,
Ngela ajo e vogla, nuk rritem asnjëherë,
E ndonëse jam vetë nënë …kërkoj tëndin gji !

SONTE DO VIJ UNË…
Natën e mirë, moj nënë…Natën e mirë..!
Mos u mbulo kësaj nate, se do vij unë,
Lehtë, pa të trembur, në ballë do të të puth,
Do të t’ mbuloj ngadalë, pa të prishur gjumë..!
Nëse zjarri i oxhakut, ka filluar të fiket,
Dy fjalë dashurie po i hedh, të të ngrohin natën.
Buzët do pëshpërisin: sa më ka marrë malli..
Dorën do të ta puth e ti do më japësh uratën !
Nënë, nënë..lëre zemrën hapur sonte…
Nga larg po vij, jam unë, bija jote.

MALLI DJEG
Nënë,
Oh…e mira nënë…
Pse s’ më dëgjon më,
Jam krah teje e vuaj,
Lotin, ta fshij pa zë
Puthmë, mallin të shuaj…
Oh,… e ëmbla nënë…
Mbama në prehër kokën,
Malli shkon gjer në hënë,
djeg qiellin e tokën.
Mëngjesit sa zgjohem,
Çel ditën me ty,
Në darkë kur shkoj të çlodhem,
Prapë të mbaj në sy.
Ëndrrave dritëbardha,
Ty të kërkoj sërish,
Rrezja e mëngjesit
Drejt teje më grish…

Nënë,
Oh…e mira ,nënë !

DASHURIA PËR TY
Nënë, e shtrenjta nënë,
hyjnorja dashuri,
Flokëbardha si argjend,
jam larg dhe kam mall,
Tregomë: në cilën thinjë
kam zënë vend tek ti,
Thuamë se cilën rrudhë
ta shtova përmbi ballë …
Je larg
dhe po të nis,
një puthje bashkë me dritën,
Të puth duart e tua
dhe lotin përmbi sy,
E di që gjithë jetën
kam mbetur vogëlushe,
Por e di që gjithë jetën
zgjat dashuria për ty…

KAM PARË…
Kam parë
Kështjella me bedena
e kapin qiellin
si me duar,
erën
e kam parë
nën gurë të futet
dhe ëndrrën
e qëndisur
mbi flamur realizuar.
Kam parë
degën e bajames
që lehtë lëkundet
dhe malin
që shqipes dykrenare
i përgjunjet.

NËNËS..
O nënë, shpirt, o dritë !
Ku je ?
Më fal, një pikë qumësht,
Nga gjiri ku pinë perënditë..!
Dhe një buzeqeshje
Atë hyjnoren,
e rrallë..
U dogja..o nënë..u treta..!
Kam mallë…!

TI JE PERËNDIA…
O gji ku unë fjeta,
Puthje që mungon,
Dhimbje ku u treta
Dritë që më përgjon…
Ti je perëndia…O nënë !

EDLIRA DOKO


Leave a Reply