•Komedia “10 vjet martesë” në TK për 39 gra të burgut. Atmosfera tensionuese gjatë shfaqjes, por dhe pas saj, në sallë. Ambjentet e TK-së rrethohen nga forca të policisë. Myfarete Laze dhunë verbale ndaj të burgosurës
• Intervistë me Dorinën, e reja e dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Rrëfimi i saj për eksperiencën e një aktiviteti jashtë hekurave të burgut
Valeria Dedaj
Gratë dhe vajzat e dënuara në burgun “325” dhe “302” dolën nga qelitë e tyre dje, rreth orës 11.00 dhe erdhën në sallën e Teatrit Kombëtar, për të parë shfaqjen “Dhjetë vjet martesë”, shkruar nga Halil Vardari, vënë në skenë nga Inis Gjoni. Të shoqëruara nga 3 furgonë policie, 30 gra vinin nga burgu “325” dhe 9 prej tyre nga burgu “302”. Brenda dhe jashtë ambienteve të teatrit qarkullonin forcat e policisë dhe tek-tuk anëtarët e stafit të shfaqjes dhe TK-së.
Gratë u pritën nga regjisorja Gjoni dhe nga këngëtarja Myfarete Laze. Zonja Laze, së bashku me policet u kujdes që ato të zinin vend në sallën e Teatrit Kombëtar. Pak minuta para se të fillonte shfaqja, regjisorja u ngjit në skenë dhe tha: “Shpresoj që sot të kënaqeni dhe të ndiheni më të lehtësuara, duke parë ‘Dhjetë vjet martesë’.
Uroj që të gjeni sadopak veten te kjo shfaqje”. Inisi tregoi për mediat se këtë iniciativë e vazhdon për të dytën herë, sepse është shumë e ndjeshme ndaj femrës, sidomos ndaj grave të dhunuara. “Duke parë vuajtjet, që këto gra kalojnë, do të ishte një dhuratë shumë e bukur, që t’iu bëhej atyre për 8 Marsin, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas”. Sipas saj, do të ishte shumë mirë nëse ky aktivitet do të organizohej më 8 Mars, por duke qenë se kushtet e sigurisë së lartë nuk e mundësuan dot, menduan ta bënin sot. “Qëllimi është që këto gra të harrojnë diçka nga dhembja dhe nga vuajtja e tyre.
Kjo pjesë nuk është komedi, por dramë, pavarësisht se autori nëpërmjet batutave dhe humorit të hollë e prezanton këtë pjesë te publiku”. Inis Gjoni falënderoi Drejtorinë e Burgjeve në Shqipëri dhe sidomos këngëtaren Myfarete Lazen, të cilën e ftoi të ngjitej në skenë për t’u thënë urimin e saj këtyre grave. Laze tha, se një aktivitet i tillë me gratë e burgut organizohet për herë të dytë në teatër, po me shfaqje të regjisores Inis Gjoni e titulluar “Salla e banjës”. Pas urimeve të zakonshme, nisi shfaqja. Gratë dhe vajzat ishin ulur në rreshtat e parë të sallës. Në të majtë, ishin zënë 3 rreshtat e parë, ku në secilin krah qëndronin nga dy policë, pra në 3 rreshta 7 a 8 ishin policë.
Po kështu edhe në krah të djathtë, në dy rreshta 6 ishin police. Gjatë gjithë shfaqjes publiku qeshte. Hera-herës komentonin edhe ndonjë batutë të aktorëve Eni Jani dhe Genci Fuga. Derisa andej nga radhët e fundit dëgjohej një “Shshshshsh-t” e fortë. Në fund të shfaqjes, kur policët afruan furgonat pranë derës së Teatrit Kombëtar, që të merrin të burgosurat, stafi i organizatorëve shprehu dëshirën për të bërë disa fotografi së bashku me të burgosurat. Medoemos ishte një ditë ndryshe nga të tjerat, prandaj në fund duhej edhe një foto.
Institucionet shtetërore u bëjnë nder të burgosurave, njëra prej tyre i jep “gojës”
E ndërsa shumica e mediave ishin larguar e disa prisnin jashtë në oborr, këngëtarja Myfarete Laze, i drejtohet njërës prej të burgosurave, duke i thënë me zë të lartë: “Mosmirënjohëse! Kjo është ajo çka bëni ju. Aktorët japin shfaqje falas, Ministria e Kulturës jep falas, marrim leje te Ministria e Drejtësisë, gjithëkund na bëjnë nder dhe njëra prej jush i jep gojës. Më vjen shumë keq. Jam e indinjuar, shumë e indinjuar, sepse nuk e kam pritur këtë prej teje. Më vjen shumë keq, sepse ne e bëjmë këtë kundër çdo konvente, vetëm për shpirt, se e dimë që jeni vajza të reja dhe duhet të keni një ditë ndryshe. Ardhja jote këtu flet për një liri të madhe.
E kam kërkuar me këmbëngulje, që ti të vije në këtë aktivitet”. – u shpreh këngëtarja e mirënjohur Myfarete Laze. Gratë filluan të pyesnin njëra-tjetrën se, kujt po i drejtohej zonja Laze me këtë gjuhë. Por gishti i saj drejtohej nga Marsela. Ishte një nga 39 gratë e dënuara me 5 vjet e katër muaj, për trafik droge. Marsela filloi të shfajësohej duke thënë se: “Unë nuk thashë asgjë. Ajo më pyeti si i keni kushtet. Unë thjesht i tregova se kushtet nuk janë të mira. Ajo që është, është”. Por në këtë rast, sipas organizatorëve nuk duhej të flitej për kushte burgu, këtu ishim në teatër dhe medoemos ato gra duhet të qeshnin. “Nga jashtë dukemi të lumtura, por se si jemi brenda këtë e dimë veç ne”, tha njëra prej të burgosurave për mediat, para shfaqjes. Kjo shfaqje do të vazhdojë në TK edhe sot. Shkrimtarja Flutura Açka, do të jetë e ftuar sot në burgun “325” për të folur rreth letërsisë dhe rolit të saj. Gjithashtu pritet që ajo të dhurojë edhe nga një libër.
“Dhjetë vjet martesë” për një të dënuar me dhjetë vjet burg
Luela Myftari
Dorina duket shumë paqësore. Ajo është një nga të dënuarat që preferon të flasë për jetën e saj përballë gazetarëve. Është dënuar me dhjetë vjet për trafikim të lëndëve narkotike dhe është në Teatrin Kombëtar për të ndjekur shfaqjen “Dhjetë vjet martesë”. Duket paradoksale, por shfaqja mbaron shpejt, ndërsa dënimi i saj duket i gjatë, edhe pse në të dyja rastet bëhet fjalë për dhjetë vjet. Ajo nuk është e martuar, por ka ardhur me dëshirë të madhe të ndjekë shfaqjen që flet për martesën e një çifti.
Nuk e ka menduar ende martesën e saj, por shpreson shumë që kjo eksperiencë e saj në teatër të jetë një përvojë e bukur që do ta mbajë larg trishtimit që ofrojnë hekurat qoftë edhe vetëm për një javë. Sepse me siguri, në burg ato do të kenë për çfarë të flasin këtë javë. “Shekulli” ju përcjell sot bisedën që realizuam në ambientet e Teatrit Kombëtar ku shfaqej për të disatën herë komedia “Dhjetë vjet martesë”.
Për çfarë jeni dënuar?
Jam dënuar 10 vjet dhe deri tani kam bërë vetëm 16 muaj burg. Jam dënuar për trafik të lëndëve narkotike dhe tani po vuaj dënimin.
A ndiheni ndopak e lirë sot?
Po, sigurisht që ndihem. Nuk ka hekura dhe ka shumë njerëz. Ju po na kushtoni vëmendje. Mjafton që nuk kemi hekura për të ndier pak më shumë liri. Kjo ka rëndësi për mua.
Ke qenë më përpara në teatrin kombëtar apo në ndonjë teatër tjetër?
Jo, nuk kam qenë kurrë më përpara në teatër. Më pëlqen që sot kemi ardhur këtu dhe jemi çliruar pak nga hekurat. Shpresoj të më pëlqejë shfaqja. Unë kam ardhur këtu për ta shijuar atë. Besoj se do të më pëlqejë edhe pse ka lidhje me martesën, gjë për të cilën unë nuk di të flas, pasi vetë jam beqare.
Ti vetë ke menduar për martesën tënde?
Është ende herët, nuk e kam menduar. Të shohim e të bëjmë. Tani për tani jo, nuk e mendoj.
E kishe menduar ndonjëherë që do të shkoje në teatër dhe për më tepër në këtë situatë?
E kam menduar teatrin disa herë, por gjithnjë e kam menduar jo si e burgosur, por si njeri i lirë.
Po në aktivitete të tjera ke marrë pjesë?
Po. Unë jam e regjistruar në kursin e pikturës. Përgjithësisht, kam qenë pjesë e të gjitha aktiviteteve që janë organizuar për ne. Pra, ky nuk është i pari aktivitet në të cilin marr pjesë. Ekspozitat me piktura janë ato që më pëlqejnë edhe më shumë pasi aty jam edhe vetë aktive.
Çfarë do të donte të thoshte tjetër një vajzë si ty sot?
Unë do të doja t’i uroja të gjitha femrave kudo në botë Gëzuar 8 Marsin. Dhe ky urim i shkon më shumë se kurrë mamit tim. I uroj asaj të gëzojë në këtë festë.
E burgosur nga dashuria
Marsela Rabaj është një nga vajzat e burgosura që ka vizituar dje Teatrin Kombëtar për të parë shfaqjen “Dhjetë vjet martesë”. Përballë pyetjeve të gazetarëve, Marsela shfaqet shumë e lumtur. Ajo njihet për lexuesin për historinë e dashurisë që e shndërroi atë në një trafikante droge.
Thuajse një vit më parë ajo u dënua pasi u përpoq të kalonte lëndë narkotike për të dashurin e saj, që asokohe kishte vetëm pak që ishte kapur nga policia për të njëjtën arsye që sot Marsela vuan dënimin. Ky nuk është aktiviteti i vetëm kulturor në të cilin ajo merr pjesë, por teatri për të është një sallë në të cilën nuk ka provuar të hyjë kurrë më parë. “Shekulli” ju përcjell një pjesë të bisedës me të nga ambientet e Teatrit Kombëtar.
Keni ardhur për të ndjekur një shfaqje teatrale. Si po e përjeton këtë event?
Jam shumë e lumtur që dola së bashku me vajzat e tjera nga ambientet ku vuaj dënimin dhe shpresoj që të tilla aktivitete për ne të zhvillohen akoma më shumë. Uroj vërtet, që aktivitete si ky i sotmi të jenë më të shpeshta.
Për çfarë jeni dënuar ju Marsela?
Jam dënuar për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe po vuaj dënimin.
Për sa kohë jeni dënuar dhe sa burg keni bërë deri më tani?
Jam dënuar për pesë vjet e katër muaj burg dhe deri tani kam bërë një vit e gjysmë burg. Më mbeten edhe tre vjet e katër muaj burg.
Ju pëlqen teatri?
Për mua është hera e parë që hyj në teatër. Asnjëherë më parë nuk kam shkuar në teatër ndaj nuk di të them se sa më pëlqen teatri. Edhe në jetën e mëparshme, kur kam qenë e lirë nuk kam shkuar asnjëherë në teatër. Por shpresoj që të më pëlqejë. Tema duket interesante: “Dhjetë vjet martesë”.
Është hera e parë që del nga burgu?
Jo, kam dalë edhe herë të tjera. Ka pasur aktivitete të tjera të organizuara me rastin e 8 Marsit. Nga burgu 313 na kanë çuar te burgu 325 me rastin e 8 Marsit, vjet.
Burimi – Shekulli


Leave a Reply