![]()
Tepër të frikësuar nga lidhjet që hanë shumë kohë, energji dhe kthehen shpejt në monotone? Britanikët po eksperimentojnë me dashuritë part-time
CNN
Një këngë e vitit 1992, e titulluar “E premte, jam e dashuruar”, i ka paraprirë trendit më të ri të të dashuruarve me kohë të pjesshme. “Kam gjetur një të dashur të mrekullueshëm fundjave”, ka shkruar një 38-vjeçare në një faqe të re takimesh online, parttimelove.co.uk. “Ai nuk kërkon shumë dhe koha që kalojmë bashkë është magjike”, sqaron ajo.
Faqja që filloi punën në janar është ideja e një autoreje dhe blogere që shkruan për çiftet, Helen Croydon. Ajo sqaron se faqen e frekuentojnë persona që duan të jenë të pavarur, por që gjithashtu kërkojnë të bien në dashuri.
Disa mund të hamendësojnë se uebsajti Part Time Love mund të jetë një faqe takimesh online, ku përdoruesit luajnë me njëri-tjetrin vetëm për një natë.
“Ne nuk jemi një faqe ku njerëzit nuk i detyrohen njëri-tjetrit. Faqja është shtëpia e beqarëve që po kërkojnë për partnerë të rregullt me interesa të njëjta, për lidhje të mira, ku baza është respekti dhe tërheqja e përbashkët, por çiftet tona nuk janë persona që pretendojnë të jetojnë bashkë brenda tre muajve, sepse ata e vlerësojnë pavarësinë dhe kohën e lirë”, argumenton krijuesja e faqes.
Croydon pohon se një marrëdhënie me frekuencë të ulët ose me kohë të pjesshme, është më e mirë sesa një takim i rastësishëm me persona të panjohur, pasi në rastin e parë, qëllimi është krijimi i një lidhjeje afatgjatë, por pa shtrëngime.
Megjithatë, sajti nuk është për këdo. Përdoruesit e Part Time Love janë persona në të 30-at e vona ose në të 40-at e hershme, të cilët jetojnë sipas mënyrës së tyre dhe e kanë të vështirë të përshtaten me një partner të përhershëm me të cilin të bashkëjetojnë.
Në vitin 2011, shkrimtarja Laura Tennant shkroi në një gazetë britanike rreth lidhjes së saj me kohë të pjesshme, ku argumentonte se ishte tepër e lumtur me këtë risi marrëdhënieje.
Shkrimtarja sapo kishte mbaruar procedurat e një divorci të gjatë, ndaj nuk ishte e sigurt nëse donte të martohej përsëri. Ajo që ishte e sigurt, ishte fakti që lidhja e saj me të dashurin e ri funksionoi në atë mënyrë për rreth tre vjet. Aktualisht Tennant është e fejuar dhe pret të martohet me të dashurin me kohë të pjesshme.
“Ne jetonim veç e veç bashkë. Me kalimin e kohës u bëmë të dy gjithnjë e më të sigurt që ishim shpirtra binjakë dhe partnerët e duhur të jetës”, tha shkrimtarja.
“Tani kemi arritur ngadalë, por të sigurt, në pikën ku jemi të gatshëm t’i premtojmë njëri-tjetrit dashuri afatgjatë”, tregon ajo.
Megjithatë kjo nuk do të thotë që çifti s’do të ketë shkëputje për të kaluar kohë vetëm. Bashkëshorti i ardhshëm do të ketë një apartament të vogël vetjak, por jo në kuptimin e Ernest Heminguejit.
Lidhja e këtij çifti shkrimtarësh është funksionale, por njëkohësisht edhe e pazakontë. “Për momentin po punojmë me konceptimin e marrëdhënies sonë dhe mënyrën se si do ta organizojmë kohën së bashku dhe të ndarë. Ndonëse do të jetojmë së bashku, do të marrim një apartament, ku secili mund të punojë i qetë dhe të kalojë ca kohë më vete”, rrëfen shkrimtarja.
Në librin e saj të ri, Tennant shpjegon marrëdhëniet me “mirëmbajtje të ulët”, ku ajo thyen tabunë e të dashurit me kohë të plotë, duke e zëvendësuar me një lidhje me kohë të pjesshme, ku secili ka kohën e lirë dhe të veçantë për të përmbushur nevojat e tij.
“Në lidhjen tonë ka shumë dashuri dhe plotësim, por individualizmi dhe pavarësia për ne është e shenjtë dhe ka arritur në një shkallë të lartë”, tregon Laura Tennant për CNN.
Për sa i përket dashurisë dhe lidhjes së ngushtë, kjo ekziston, por nuk ka detyrimin e shpenzimit të vazhdueshëm të kohës së bashku, gjë që mund ta çojë lidhjen në monotoni.
Jill Ueber, një psikologe klinike nga Virxhinia dhe autore librash, tha se ky stil i ri takimi mund t’i lejojë partnerët të jetojnë më lirshëm.
“Është një lloj mbrojtjeje dhe mungon cenimi nga të gjitha këndvështrimet”, tha ajo. Herët ose vonë, një nga partnerët mund të ketë ndjenja më të forta dhe mund të kërkojë diçka më konkrete, por është një fillim i mbarë për personat që nuk janë mësuar të jenë çift me kohë të plotë.
Duke qenë se jeta është një koncept abstrakt mes individualizmit dhe shoqërimit, kjo mënyrë e re takimi është një e mesme e artë. Ndërkohë, faqja online po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga përdorues që kërkojnë të eksperimentojnë me marrëdhëniet e tyre.
Gazeta Shqip






Leave a Reply