•Kryeministri Edi Rama bashkëbisedon me mësuesit, u premton përmirësimin e statusit ekonomik. Marrëveshja me FMN-në nuk i ngrin pagat e mësuesve, rritja reale e të ardhurave 4 për qind
Zamir Alushi
-Do të ketë rritje të pagave për mësuesit nëpërmjet indeksimit, por edhe përmes bonuseve për më të mirët. Kështu premtoi kryeministri Edi Rama pasditen e djeshme, në një bashkëbisedim me mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit, që u zhvillua në selinë qeverisë. Duke folur me arsimtarët e ardhur nga rrethe të ndryshme, Rama u shpreh se mësuesit aktualisht marrin më shumë para. “Ka të bëjë në vënien në jetë të taksimit të ndershëm, përmes të cilit këtë vit kemi një rritje reale të pagës për afër 40 mijë punonjës të arsimit dhe sportit si dhe mundësi reale të indeksimit. Falë taksimit të ndershëm në këtë 7 mars të parë mësuesit përfitojnë nga 20 deri në 29 mijë lekë. Ata që fitojnë më pak paguajnë më pak taksa dhe sigurisht në fillim të muajit kanë një përfitim më të madh duke kompensuar në njëfarë mënyre pagën më të ulët”, theksoi kryeministri. Gjithashtu, Rama paralajmëroi se, për punonjësit e arsimit, përveç rritjes reale të pagës me 4%, ekziston dhe mundësia e indeksimit sipas fashave. I pyetur se, çfarë është menduar për ndryshimin e statusit ekonomik të mësuesit, Rama u shpreh se, “Për sa i përket aspektit ekonomik, në kushtet jashtëzakonisht të vështira ku e gjetëm vendin, në kushtet ku duhet të përballeshim me një gjendje financiare shumë të rënduar dhe me një borxh të fshehur, ne e kishim të pamundur të bënim me shumë, por s’mund të mos bënim kalimin nga taksa e sheshtë tek taksimi i ndershëm. Ne nuk kemi marrë asnjë angazhim me FMN-në, me të cilin kemi nënshkruar programin e ri të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të vendit, për të ngrirë rrogat e mësuesve dhe njerëzve që shërbejnë në sistemin publik. Çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm varet nga çdo bëjmë këtë vit. Ju siguroj se asnjë vit nuk do rreshtim pa pasur në qendër të vëmendjes mësuesit dhe pa rritur fuqinë ekonomike të familjeve tuaja përmes mbështetjes financiare për ju”, premtoi Rama.
Stimulimi për degët profesionale
“Të gjitha degët e shkollave që janë jetike për rritur dhe edukuar fëmijët dhe që sot po braktisen në masë, ka vetëm një mënyrë për t’i kthyer. Ne do t’i stimulojmë këto degë duke stimuluar financiarisht ata që marrin përsipër ndjekjen e tyre dhe këta e kanë punën të sigurtë. Nuk ka arsim shtetëror dhe privat. Ka vetëm arsim publik, që financohet nga shteti ose nga privati. Arsimi publik duhet të ketë këto standarde dhe si ato të shtetit dhe të privatit të akreditohen dhe të ketë konkurrencë. Nuk mund të ketë universitete për të fituar lekë. Ne kështu kemi prekur fundin. Nuk mund të jenë ndërmarrje fitimprurëse. Të ardhurat duhet të përdoren për të reformuar sistemin. Kush do O.K., kush nuk do, të hapë rrugë”, theksoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama. Ndërsa, i pyetur nëse qeveria ka ndonjë projekt apo ide për shkollën profesionale, Kryeministri u shpreh se ”Kemi folur për maturën plus 2, alternativa profesionale e ecurisë akademike. Ne flasim për punësimin, për nevojën për investime të huaja, për krimin po të gjitha këto në dukje kanë një emërues të përbashkët, aftësinë për punë. Nëse kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në Europë. Sot p.sh. nuk ka teknik nafte. Universitet për ata që duan ta ndjekin dhe shkollat profesionale për të tjerët”.
Bonuset
I pyetur në lidhje me cilësinë e mësuesve, kryeministri Edi Rama tha se, do të ketë një vlerësim të ndryshëm për mësuesit të cilët kanë rezultate të larta. Sipas tij, për këta mësues do të ketë bonuse në pagë. “Do të normalizojmë procesin e rekrutimit dhe vlerësimit të mësuesve dhe shkollave, pasi si mësuesit edhe shkollat do të kenë vlerësimin e vetë të performancën e tyre në mënyrë që edhe prindërit ta dinë se ku po e çojnë fëmijën, jo vetëm nga emri. Do të normalizojmë maturën shtetërore dhe ka nisur procesi i reformës. Do të kemi një maturë shtetërore që besoj se do kapërcejmë ato hendeqe që janë vërejtur në të shkuarën”, tha kryeministri Rama. “Në lidhje me eksperiencën dhe prurjet e reja duhet të jemi shumë të vëmendshëm për cilësinë e prurjeve të reja, pasi është shumë e dyshimtë për shkak të masterave, diplomave që nuk janë në nivelin e kërkuar. Të mos lejojmë që burimet njerëzore të cenohen nga lëvizje të paarsyeshme. Të kemi vlerësime specifike për mësuesit që kanë rezultate më të larta, të ketë dhe një bonus specifik”, deklaroi kryeministri Rama.
Siguria
“Jam shumë i vetëdijshëm për atë që ka bërë shfaqja e shpërthimeve me tritol, që pengon leximin me qetësi të rezultateve në këtë fushë. Rikthimi i policisë në krye të detyrës në 300 ditët e para është duke ecur me shpejtësi dhe shifrat e kriminalitetit flasin qartë për ulje të krimeve. Është ulur mbi 30 për qind numri i vrasjeve krahasuar me 1 vit më parë”, tha Rama.
Depolitizimi
“Depolitizimi i shkollave duhet që të bëhet në bashkëpunim me prindin, pasi ky i fundi në fillim kërkon të dijë për fëmijën e tij dhe jo se çfarë partie ka mësuesi.Tu japim siguri mësuesve tek vetja e tyre, në kuptimin se secili prej tyre e ka në dorë vendin e punës dhe cilësinë që ofron. Kjo gjë do të nisë krenarinë e mësuesve”, tha Rama.
Tabela elektronike
“Të fusim regjistrin elektronik. Do të fillojmë vitin e ardhëm një projekt pilot për të futur tabletat elektronike dhe për të hequr librat. Fëmijët i mësojnë shumë shpejt, por edhe mësuesit duhet të adaptohen. Bëhet fjalë për një proces ku të gjithë mësuesi të trajnohen dhe të gjithë të kenë edhe asistencën”, theksoi Rama.
Universitetet
Sipas kryeministrit”, “universitetet publike nuk e justifikojnë besimin dhe financimin. Sistemi ynë i arsimit të lartë është një piramidë si në shtet edhe në privat. Kemi inflacion masterash, doktoraturash etj. Shumica e këtyre diplomave janë si letra pa vlerë që ju kanë mbetur në dorë si të rinjve edhe prindërve të tyre”, deklaroi Rama.
Do të njehsojmë sistemin arsimor me Kosovën
Duke folur për Altertekstin dhe për përzgjedhjet e lëndëve, kryeministri Edi Rama deklaroi se, ka nisur një dialog me mësuesit për të zgjidhur këtë problem të madh. “Alterteksti është në një gjendje të rëndë. Ne kemi nisur një dialog me ju nëpërmjet ministrisë dhe kjo katrahurë do të rregullohet. Ky proces dhe reformë ka një pronësi të përbashkët mes qeverisë dhe mësuesve. Ne kemi marrë dhe një zotim tjetër, për të njehsuar sistemin me Kosovën. Sa me kënaqësi dhe keqardhje e them, me kënaqësi për Kosovën dhe keqardhje për ne, pasi në vetëm këto pak vite Kosova ka ngritur një sistem më të konsolidueshëm në arsim”, tha në fjalën e tij kryeministri Rama.
Shekulli


Leave a Reply