Eh, jeta! Ç’është vallë…?
Një plagë e rëndë e vuajtje pambarim…
Sa shpesh kam ëndërruar….
Sa bukur është kur të zë gjumi me një shpresë…
I hapja sytë me dëshirën e madhe për të jetuar, për të ndjerë e për të dashuruar.
E ndjeja që ditët iknin një nga një dhe dëshira të zjarrta më valonin në shpirt.
Në sytë e tu shihja që ëndrrat po merrnin jetë, ajo që dikur ishte vetëm një ideal, dalëngadalë po bëhej realitet.
E ndieja dorën tënde që prekte lehtë flokët e mi dhe shpirti më gudulisej…Unë jetoja me frymën tënde, ajo më jepte jetë.
Ishin fjalët e tua që më zgjonin çdo mëngjes ………Të fundit ty të thoja natën e mirë shpirt! e, të parit mirëmëngjes!…
Ishim vetëm ne të dy dhe askush tjetër në këtë botë. Bota për ne ishte shumë e vogël, një pikë në horizont, ndërsa ne ishim zotërit e saj dhe me dashurinë tonë mposhtnim gjithçka.
Po sot si jemi vallë?
Të larguar, të tretur, të ndarë!
Ku shkuan shpresat? Endrrat, dëshirat ç’u bënë?
Fjalët e bukura i mori lumi dhe unë mbeta vetëm pa shpresë, pa dikë që të më dojë…
O Zot, sa shumë dhimbje ka ky shpirti im!
Përse vallë të vuaj kaq shumë?
Asgjë s’është më, asgjë s’ka më kuptim…
Një lot rrëshqiti ngadalë në sy, në faqe, e më pas ndaloi në buzë. Ti nuk e more mundimin ta fshije lotin tim, por e le të bëhej curril.
Mes erës që frynte si e marrë dhe lotëve që rridhnin pa pushim unë t’u luta “më thuaj që është ëndërr, që s’është e vërtetë”, ndërsa ti më rrëmbeve kokën në duar dhe më puthe. Për një çast shpresova, por ishte gënjeshtër, një puthje e dhënë për mëshirë tutje në natën e errët.
Lotët e mi nuk ishin tharë akoma kur ti tjetrës i falje dashuri, ti tjetrën përkëdhelje para syve të mi .
Po unë ç’të bëj me këtë jetë të shkatërruar?
Pse jetoj kur jeta vetëm më ka lënduar?
Zemra ime s’ka më forcë për asgjë, çdo natë i mbyll sytë me shpresën se nuk do të zgjohem kurrë më….
Per faqen e Prozes, red. “Zeri i Larget” Eliza G.
Marre nga Arkivi
Leave a Reply