SHKODËR- Gazetari kosovar me banim në Gjermani, Maxhun Smajli, i cili para disa muajsh bëri një rrugëtim në këmbë nga Gjermania në Kosovë, të quajtur “marshi i lirisë”, është rikthyer në qytetin e Shkodrës. Qëllimi i ardhjes këtë herë është humanitar. Ai ka vendosur të ndihmojë disa familje në nevojë me një asistencë mujore për 5 vite, të ofrojë ndihmë me bazë materiale në spitalin e Pukës dhe dhurata në shenjë mirënjohjeje në shkollat e vendit tonë.
I ndalur në Shkodër, Maxhun Smajli shprehet se një prej shkaqeve të udhëtimit të tij në këmbë katër muaj më parë ka qenë që gjatë atij rrugëtimi të gjejë familje, të cilat kanë nevojë për ndihmë. “Kam gjetur 5 të tilla, të cilat do të ndihmohen për 5 vite. Përveç kësaj, me ndihmën dhe të emigrantëve shqiptarë në Gjermani, kemi siguruar 100 dyshekë për spitalin e Pukës dhe pritet vetëm transportimi e sjellja e tyre. Bashkë me shokët e mi kemi mundur të grumbullojmë dhe disa dhurata për shkollat, si shprehje e mirënjohjes dhe respektit të madh që kemi ne për nxënësit dhe mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Në projektet e ardhshme është sigurimi i ndihmës edhe për spitalin e Fushë-Arrëzit”, ka thënë ai.
Së bashku me Maxhun Smajlin, këtë herë ishte dhe një tjetër emigrant kosovar në Gjermani, Tefik Jaha. Ai shton se, ka disa vite që komuniteti i tyre është i angazhuar për grumbullim e ndihmave për familjet në nevojë si shenjë mirenjohje për bujarinë dhe mikëpritjen e treguar ndaj popullit kosovar në periudhën e luftës. Katër muaj më parë, Maxhun Smajli nga Kosova, emigrant në Gjermani, ishte nisur në këmbë nga Gjermania përmes Shqipërisë me qëllim mbërritjen e tij në Kosovë për të përshkuar mbi 1200 km në këmbë për 78 ditë, aq ditë sa kanë zgjatur edhe bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply