![]()
Kur mbaroi lufta, marrëveshja e paqes krijoi një sistem të decentralizuar të pushtetit, aq sa politika është disfunksionale. Tashmë frika e të gjithëve është se mos ndryshimi i sistemit rikthen luftën
DARIA SITO-SUCIC dhe MATT ROBINSON, Reuters
Enver Mehmedovic kalon ditët e tij pas një dere hekuri, duke ruajtur një fabrikë ku ai punonte më parë, nga pronari i fabrikës. Linjat e prodhimit, që dikur realizonin ilaçin e rrobave “Dita”, i përdorur nga familjet në të gjithë ish-Jugosllavinë, tashmë kanë ndaluar dhe Mehmedovic dyshon se oligarku nga kryeqyteti i Bosnjës që e bleu kompleksin dëshiron të shesë makineritë.
“Kjo është pikërisht çfarë ndodhi pasi të gjitha fabrikat e tjera u privatizuan”, thotë Mehmedovic, një inxhinier kimist.
Nën Jugosllavinë socialiste, Tuzla, në Bosnjën verilindore ishte një qendër për industritë metalurgjike dhe kimike. Sot, zona industriale e qytetit është një tokë e braktisur dhe shtëpia e një të pestës së të papunëve të regjistruar të Bosnjës. Papunësia në vend është 27 për qind e forcës së aftë për punë.
Tranzicioni i keqmenaxhuar drejt kapitalizmit në qytet është një kopje në shkallë më të vogël të asaj që ka ndodhur në të gjitha ish-republikat e tjera të Jugosllavisë, të cilat u ndanë dy dekada më parë.
Por Bosnja, ku më shumë se 100 mijë njerëz vdiqën gjatë luftës etnike mes viteve 1992 dhe 1995, është ndryshe dhe më e rrezikshme.
Ditët e rebelimit që filluan me një protestë nga punëtorët e fabrikës Dita dhe fabrikave të tjera të fjetura javën e kaluar, në Tuzla, kanë ndezur pakënaqësitë e akumuluara përgjatë shumë viteve që nga koha e mbarimit të luftës.
Kryengritësit u vunë zjarrin ndërtesave të qeverisë në disa prej qyteteve më të mëdha të Bosnjës: Sarajevë, Tuzla, Zenica dhe Mostar, ndërsa qindra njerëz u plagosën, shumica prej policisë në përleshje me protestuesit.
“Ne kemi hyrë në një territor të panjohur”, thotë Srecko Latal, kreu i institutit kërkimor Shërbimi i Mbikëqyrjes Shoqërore me bazë në Sarajevë.
Pakënaqësitë – papunësia, korrupsioni dhe paraliza politike – të gjitha i kanë rrënjët në marrëveshjen që i dha fund luftës dhe që ndau pushtetin për të ndaluar luftën mes serbëve ortodoksë, katolikëve kroatë dhe myslimanëve boshnjakë.
Marrëveshja e firmosur në bazën ajrore amerikane të Dejtonit, Ohajo, solli paqe – dhe hodhi farën për një krizë tjetër më vonë.
Sistemi i decentralizuar me tepri dhe disfunksional i ndarjes së pushtetit, ka rezultuar tërësisht i papërshtatshëm për të qeverisur Bosnjën drejt tranzicionit ekonomik apo procesit të integrimit drejt Bashkimit Europian, gjë që për shumë mbetet shpresa më e mirë për mirëqenie.
Nëse injorohen pakënaqësitë e punëtorëve të fabrikës Dita, rrezikohet një shpërthim edhe më i madh. Nëse ata trajtohen, kjo nënkupton që të rihapet edhe një herë marrëveshja e paqes, dhe kutia e Pandorës e axhendave dhe ideve konkurruese mbi atë se si vendi mund të riaranzhohet.
“Europa do të përpiqet ta përdorë këtë krizë si një mundësi”, tha një diplomat perëndimor për “Reuters”. Por ndërsa dhuna mund të nxisë përpjekjet për të ristrukturuar vendin, ajo rrezikon gjithashtu të ndezë ato lloj rrymash etnike që protestat deri tani i kanë shmangur.
“Det i panjohur”
Shumë në Sarajevë u neveritën nga shkatërrimi i krijuar prej protestuesve – shumica e të cilëve ishin boshnjakë deri tani – zjarri dhe tymi rizgjoi kujtimet e dhimbshme të rrethimit të kohës së luftës nga forcat serbe të Bosnjës që kontrolluan kodrat përreth. Dita e gjashtë e protestave të hënën ishte paqësore, por zemërimi i madh.
“Nëse do të duhet të kemi një luftë, atëherë le ta kemi”, thotë Fehim Lovic, 58 vjeç, një veteran me aftësi të kufizuara nga lufta e fundit, që thotë se mban tre fëmijët e tij me një ndihmë ekonomike mujore prej vetëm 50 markash të Bosnjës (25 euro).
Latal thotë se ishte e qartë se Bosnja ka nevojë për ndryshime rrënjësore.
Një sistem politik përplot me labirinte në një vend me vetëm 3.8 milionë banorë ka trembur investitorët e huaj dhe ka paralizuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisjen, duke ushqyer rrjete të stërmëdha të patronazhit politik, të cilat të gjitha palët nuk kanë dëshirë t’i zhbëjnë.
Shitja e fabrikës Dita dhe fabrikave të tjera në Tuzla ishte në duart e një nga dhjetë kantonet e Federatës së Bosnjës – një rajon autonom i përbërë më së shumti nga boshnjakë dhe kroatë.
Çdo kanton ka kryeministrin e vet dhe qeverinë me fuqi të gjera ekzekutive. Në anën tjetër është Republika Serbe Autonome, e bashkuar me federatën në nivelin e lartë nga një qeveri e dobët qendrore dhe nga një presidencë me tre anëtarë me rotacion, ku është pothuajse e pamundur të kryhet një politikë koherente kombëtare.
Së paku 40 për qind e forcës punëtore është e punësuar në sektorin publik dhe deputetët fitojnë rreth 3500 euro në muaj, gati dhjetë herë paga mesatare e Bosnjës.
Rreth 100 punëtorët që vijojnë të punojnë te Dita nuk janë paguar për gati dy vjet. Për shumë muaj, ata dhe të tjerët formalisht të pushuar nga puna, mblidheshin para fabrikës apo ndërtesave të qeverisë. Askush nuk i dëgjoi. Në fund, radhët e tyre u shtuan nga ato të punëtorëve të tjerë dhe një grup të rinjsh të zemëruar. Protesta u bë e dhunshme.
Katër kryeministra kantonesh kanë dhënë dorëheqjen deri tani dhe fokusi i zemërimit u përqendrua menjëherë te ndërtesa e Presidencës në Sarajevë, simboli i një sistemi shtetëror të dështuar.
“Protestuesit e kuptojnë se vendi është në një situatë të tmerrshme ekonomike dhe se kjo nuk është pasojë thjesht e zyrtarëve të korruptuar, por edhe si pasojë e vetë rendit kushtetues”, thotë analisti i problemeve të Ballkanit, Jasmin Mujanovic, në një blog të vetin. “Për njerëzit në Bosnjë, ky është thjesht fillimi.”
E përbërë nga një serb, një kroat dhe një boshnjak, Presidenca, thelbi i modelit të ndarjes së pushtetit, është sfiduar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Në vendimin e saj të vitit 2009, ajo tha se Kushtetuta e Dejtonit – me rezervimin e punëve në nivelet e larta të shtetit për tre ish-palët luftuese – është diskriminuese.
Udhëheqësit politikë të Bosnjës nuk kanë rënë dakord se si të reformojnë sistemin për të zbatuar vendimin e gjykatës dhe deri sa ato të bëjnë diçka të tillë, përpjekja e vendit për t’u bashkuar me BE-në nuk do të shkojë asgjëkundi.
Profesori i ligjit në Serbi, Zarko Korac, i tha një televizioni në Bosnjë: “Në rast se politikanët nuk e marrin leksionin, në rast se ata nuk i dëgjojnë këta njerëz, problemi herës tjetër do të jetë shumë më i madh.”
Gjeneratë e re
Përpjekjet e perëndimorëve për ta cytur Bosnjën drejt reformës janë bllokuar nga mosmarrëveshjet mes tri komuniteteve, mbi atë se si duhet të duket vendi i tyre në të ardhmen.
Ndërsa boshnjakët duan një centralizim më të madh, kroatët e vijës së ashpër argumentojnë se duhet të kenë entitetin e tyre të ndarë, ndërsa udhëheqësit serbë thonë se nuk shohin të ardhme për Bosnjën në tërësi.
Ndryshimi tërësor i Marrëveshjes së Dejtonit do të kërkojë shumë vite. Por analistët thotë se protestat mund të ofrojnë një nxitje të re për reformë së paku te federata, për të cilën ka një plan të ndërmjetësuar nga amerikanët për të vënë në vijë qeverinë.
Kriza mund t’u krijojë ndjenjën e urgjencës perëndimorëve që të negociojnë një marrëveshje për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ndërsa Bosnja kërkon vendin e vet në axhendën e ministrave të Jashtëm të BE-së.
“Ka një shqetësim në rritje, veçanërisht në SHBA, për faktin se nevojitet një angazhim i ri ndërkombëtar”, thotë Latal.
Në lojë janë gjëra të rëndësishme.
Ndërsa protestuesit deri tani janë përqendruar më së shumti mes boshnjakëve në federatë, rebelime të mëtejshme mund të marrin dimensione etnike, ndërsa secili prej komuniteteve përpiqet të mbrojë veten ose të shfrytëzojë protestat.
Serbët e Bosnjës sakaq kanë akuzuar boshnjakët se po përpiqen të përdorin situatën për të kërkuar anulimin e dy rajoneve autonome, për të centralizuar pushtetin në Sarajevë.
Në Bruksel, të hënën, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, tha se ishte me rëndësi jetësore që ngjarjet në Bosnjën fqinje të mos marrin asnjë “tonalitet nacional” – një referencë ndaj ndarjeve etnike. Kroacia është tashmë vend anëtar në BE.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë politikanët, të gjitha figurat publike që kanë ndonjë përgjegjësi, të mos i çojnë gjërat në atë drejtim”, tha Pusic, e cituar nga agjencia kroate e lajmeve Hina.
Shumë ministra të Jashtëm të BE-së thanë se Bosnja duhet të lëvizë shpejt drejt BE-së, si një mënyrë për të nxitur reformat.
“Ajo që ndodhi në Bosnjë ishte një zile alarmi”, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë Uilliam (William) Hague për gazetarët.
Lëvizja deri tani ka qenë gjerësisht spontane, e ushqyer nga media shoqërore, por dimensioni politik po shfaqet me disa udhëheqës që po flasin hapur në mbështetje të protestave para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale që do të zhvillohen në tetor.
Ministri i Sigurisë së Bosnjës, Fahrudin Radoncic, akuzoi qeveritë e kantoneve se po vjedhin qytetarët e tyre. Ai paralajmëroi se mund të ketë një “cunami popullor” në rast se nuk merren masa.
Për shumë vite, frika e rikthimit te konflikti ka mbajtur të heshtur pakënaqësinë në rritje. Por shumë prej atyre që po hedhin gurë kundër policisë, as nuk kishin lindur kur lufta shpërtheu.
“Gjeneratat e vjetra ndoshta mbajnë mend kohë më të mira apo më të këqija gjatë luftës, por për ne kjo është një situatë që nuk mund të bëhet më keq”, thotë Dzenita Hodzic, një studente 23-vjeçare për inxhinieri pyjore në Sarajevë.
Ajo tha se dëshironte të qëndronte në Bosnjë, por nuk shihte të ardhme dhe se e vetmja mënyrë për të gjetur punë ishte që të bashkohej me një parti politike.
“Më vjen keq për këto ndërtesa”, tha Hodzic. “Por mua më duket se nuk ka mënyrë tjetër. Kjo është gjuha e vetme që politikanët kuptojnë.”
Gazeta Shqip










Leave a Reply