Isha i shtruar në spitalin psikiatrik. Më në fund kisha gjetur edhe unë çerdhen time. Kisha një mik që ma kishte shkruar bukur diagnozën e psikopatit të parrezikshëm. Më jepte një dhomë miku im dhe më pëshpëriste- Tani shtroju punës si ata të Lidhjes së Shkrimtarëve për lejen kijuese. Unë humbisja me muaj veçanërisht kur përktheva ”Ferrin” e Dantes apo ”Firdusin”.
Ferri im sigurisht nuk e gjeti rrugën e botimit, sepse ishte përkthyer shumë vite më parë. Po unë, që kisha kaluar shkollën e Sotir Kolesë, isha shumë kërkues i fjalës, doja që fjala të kishte tingull muzike, sepse në të vërtetë shqipja jonë e bekuar e ka muzikën brenda vetes. Nuk e di nga e kishte marrë vesh miku im, muzikologu R.S. që Musineja ishte shtruar në onkologjik dhe ishte shumë rëndë. Unë mbeta një copë herë pa frymë si një djalosh njëzetvjeçar, pastaj e kapërceva pështymën që më ishte tharrë dhe dëgjova ç’po më thoshte miku im. Ai nxorri nga çanta një manjetofon dhe një kasetë. “Kjo është për Musinenë – më tha. –Nuk kam guxim te shkoj vete”. R.S. e kisha njohur ne librarinë e Musinesë. Atëhere ishte një djalosh shumë simpatik i veshur me rroba ushtari. Ndoshta qe i vetmi ushtar i ri në gardën tonë të vjetër, ushtar me sy xixëllonjës dhe që bënte sprovat e para si kompozitor. “Këtu ke “Dasmën gjirokastrite” krejt të regjistruar me muzikë sipas poezive të librit “…sa u tunt jeta” të Musinesë”.
Kur iku R.S. dhe dhoma ra ne heshtje, unë më në fund e kuptova se s’kisha asnjë pengesë për të kaluar nga një oborr, në oborrin tjetër të spitalit, gjunjët më lëshuan dhe humba çdo burrëri. U shtriva në krevat dhe qava një copë herë të mirë me dënesa, si femijë. Vetëm atëherë e kuptova se kisha shumë, shumë vite pa qarë. Lotët me lehtësuan e shpirti m’u kthjellua si nje mot i vrerët pas një furtune. Në të vertetë, unë kisha bërë gati kartolinën e përvitshme të ditëlindjes dhe përkthimin e poemës “Sonata nën dritën e Hënës” të Ricosit.
Nuk e mbaj mend fare se si u gjenda ashtu me bizhama e duke dihatur fare pranë shtratit të saj.
“O Zot, sa më kishte marrë malli për atë qënie eterike të tejpashme”.
Musineja hapi sytë. Buzëqeshja ishte e hidhur. Sigurisht më shihte dhe mua sa isha plakur. Dhe isha plakur vërtet. Po ajo ishte Musineja, nusja ime e perjetshme, qe nuk do te plakej kurrë. Ajo ishte gjithnjë e bukura ime. E bukur, më e bukur në eterizmin e saj. E tejpashme. E tejlexueshme. Ishte ndoshta çasti më sublim i jetës sime. Ne flisnim si gjithmone pa fjalë. Pa nxjerrë asnjë tingull nga goja.
“Erdha të të marr”,- thoshte shpirti im.
“Eshtë shumë, shumë vonë”.
“Jo, nuk është kurrë vonë. Nuk është kurrë vonë!”
“Lamtumirë” tha Musineja, për herë të parë me zë të lartë.
***
Nga rrëfimi i A.XH. në librin “SONATA E HËNËS – (Rrëfim për nje jetë)”, të autores Englantina Mandia, kushtuar Musine Kokalarit.
Burimi/Facebook/Muzeu Kokalari


Leave a Reply