Besa, Kanuni, Familja, Kushtetuta, Atdheu, Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Kodi i Nderit nuk janë dekor. Janë themelet mbi të cilat mbahet një shoqëri.
Ka disa ujëra në të cilat një shoqëri noton çdo ditë. Janë ujërat e vlerave, parimeve dhe normave që përcaktojnë mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin dhe se çfarë shoqërie duam të ndërtojmë.
Besa, Kanuni, Familja, Kushtetuta, Atdheu, Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe Kodi i Nderit janë pjesë e këtij realiteti.
Secila prej tyre përfaqëson një dimension të rëndësishëm të jetës sonë shoqërore. Disa vijnë nga tradita dhe historia jonë, të tjera nga rendi kushtetues dhe demokratik që kemi zgjedhur të ndërtojmë. Por të gjitha kanë një të përbashkët: ato nuk mund të ekzistojnë vetëm si fjalë. Duhet të jetohen.
Këto ujëra duhet të mbahen të pastër si kristali.
Sepse kur ndotet besa, dobësohet besimi mes njerëzve. Kur cenohet familja, cenohet një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë. Kur shkelet Kushtetuta, dobësohet shteti. Kur deformohet demokracia, qytetari humbet zërin. Kur nëpërkëmbet Shteti i së Drejtës, drejtësia bëhet e pabarabartë. Dhe kur Kodi i Nderit zëvendësohet nga interesi, shoqëria humbet një pjesë të karakterit të saj.
Por ndoshta problemi më i madh nuk është mungesa e fjalëve të mëdha për këto vlera. Përkundrazi, shpesh flasim shumë për to.
Problemi është se sa prej nesh i kanë kthyer ato në parime të jetës.
Shoqëria ka nevojë për individë që e kanë besën si karakter, familjen si përgjegjësi, Atdheun si dashuri dhe jo si slogan, demokracinë si bindje, ligjin si rregull për të gjithë dhe nderin si kufirin që nuk duhet kaluar.
Nuk kemi nevojë për njerëz që përdorin këto vlera vetëm kur u shërbejnë interesave të tyre.
Sepse parimi që përdoret vetëm atëherë kur të leverdis, nuk është parim. Është interes.
Besa nuk mund të përdoret për të fituar një marrëveshje dhe të harrohet kur marrëveshja nuk të leverdis më. Atdheu nuk mund të përmendet në fjalime dhe të harrohet kur vjen momenti për t’i shërbyer. Demokracia nuk mund të kërkohet kur je në opozitë dhe të kufizohet kur je në pushtet. Shteti i së Drejtës nuk mund të jetë i shenjtë për kundërshtarin dhe i negociueshëm për mikun.
Këtu fillon ndotja e ujërave.
Dhe kur pushteti infekton këto ujëra, pasojat nuk mbeten vetëm brenda institucioneve.
Ato përhapen në të gjithë shoqërinë.
Sepse pushteti ka një përgjegjësi të veçantë. Ai vendos standardin. Nëse pushteti respekton ligjin, forcon besimin te ligji. Nëse pushteti respekton institucionet, forcon institucionet. Nëse pushteti respekton qytetarin, krijon qytetarë që besojnë te shteti.
Por kur pushteti përdor vlerat për interes, kur ligji zbatohet sipas rrethanave, kur morali bëhet instrument dhe kur parimet përdoren si fasadë, shoqëria fillon të mësohet me ndotjen.
Dhe ky është momenti më i rrezikshëm.
Sepse një shoqëri nuk prishet vetëm kur bëhen padrejtësi. Prishet kur njerëzit fillojnë t’i konsiderojnë padrejtësitë normale.
Kur korrupsioni shihet si mënyrë jetese. Kur nepotizmi quhet sukses. Kur shkelja e rregullit quhet zgjuarsi. Kur njeriu që respekton ligjin konsiderohet naiv dhe ai që e shkel atë quhet i zoti.
Atëherë ujërat janë ndotur.
Prandaj beteja për një shoqëri më të mirë nuk është vetëm betejë politike. Është mbi të gjitha betejë morale dhe qytetare.
Ne kemi nevojë për njerëz që nuk i përdorin parimet për të marrë diçka, por që i mbrojnë ato edhe atëherë kur nuk fitojnë asgjë prej tyre.
Kemi nevojë për njerëz që e mbajnë fjalën edhe kur nuk ka kamera. Që respektojnë ligjin edhe kur mund ta shkelin pa u kapur. Që e duan vendin edhe kur nuk marrin asgjë prej tij. Që e respektojnë kundërshtarin edhe kur kanë pushtetin ta poshtërojnë. Që e kuptojnë se nderi nuk është ajo që thua për veten, por ajo që bën kur askush nuk të sheh.
Në fund të fundit, shtetet dhe shoqëritë nuk ndërtohen vetëm nga ligjet. Ato ndërtohen nga njerëzit që zgjedhin t’i respektojnë ato.
Kushtetuta mund të shkruajë parimet. Ligji mund të vendosë rregullat. Institucionet mund të krijojnë mekanizmat. Por karakteri i shoqërisë përcaktohet nga njerëzit që i japin jetë këtyre parimeve.
Prandaj ujërat ku notojmë çdo ditë duhet t’i ruajmë të pastër.
Besa të mos humbasë. Familja të mos dobësohet. Kushtetuta të mos shkelet. Atdheu të mos përdoret. Demokracia të mos deformohet. Shteti i së Drejtës të mos nëpërkëmbet. Kodi i Nderit të mos kthehet në një fjalë të harruar.
Sepse kur ujërat janë të pastër, edhe shoqëria merr frymë lirshëm.
Por kur ato infektohen, shoqëria hargalitet.
Dhe ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë çdo ditë vetes nuk është vetëm se çfarë shoqërie duam të kemi, por edhe : Çfarë uji po lëmë pas për fëmijët tanë?
Burimi/Facebook


Leave a Reply