Një 38-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në fshatin Luzni, të Dibrës. Viktima është Basir Nikolli, i cili është vëllai i njërës prej nuseve që vranë vjehrrën duke i hedhur vaj të skuqur në vesh, një vit më parë.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Uniformat blu kane shoqëruar si autor të dyshuar të ngjarjes, Edmond Skukën, djalin e Naime Skurës, gruas së vrarë nga dy nuset.
Ngjarja për të cilën dyshohet se është “stërmbullari” i krimit të sotëm ka ndodhur në 12 shkurt të vitit 2013.
Dy nuset Xhemile e Hike Skuka (kjo e fundit motra e viktimës së sotme)i hodhën vaj të nxehtë në vesh vjehrrës teksa kjo e fundit ishte në gjumë duke i shkaktuar vdekjen. 67-vjeçarja Naime Skuka jetonte vetëm me dy nuset, pasi të dy djemtë ishin emigrantë në Greqi. Krimi u zbulua pas dorëzimit në polici të nuses së madhe, Xhemile Skukës, e cila deklaroi se krimin e ka kryer e vetme. Ajo deklaroi se vjehrra e rrihte dhe për këtë arsye ajo e kishte vrarë duke e mbytur me litar në kasollen e lopës. Më pas e kishte varrosur, e ndihmuar nga e kunata.
Menjëherë, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar edhe kunatën e të dorëzuarës, e cila ka mbajtur të njëjtin qëndrim për ngjarjen, por policia ka mundur të hasë disa kundërshti të vogla mes deklaratave të dy kunatave, duke ngritur dyshimin se ato kanë bashkëpunuar në këtë vrasje. Sipas policisë, dyshohet se ato e kanë mbytur bashkë vjehrrën dhe më pas, Xhemilja ka vendosur të marrë fajin përsipër, duke porositur kunatën e saj që të kujdeset për të vegjlit, e t’iu tregonte se përse nëna e tyre kishte përfunduar në burg, me mendimin se babai i tyre nuk do ua tregonte kurrë të vërtetën.
(gazeta-Shqip.com)



Leave a Reply