Gjon BRUÇI
Takimin e dy qeverive shqiptare në qytetin historik të Prizrenit, disa nga mediat tentuan ta quanin edhe “Lidhja e dytë e Prizrenit”. Është një dëshirë dhe aspiratë e përhershme e gjithë shqiptarëve, ndaj nuk mund të fajësohet as “vrapi” i medias, e cila ka detyrë t’i paraprijë këtyre aspiratave kombëtare dhe as etiketimeve dashamirëse për ngjarjen në fjalë. Po, a kishte takimi i 11 Janarit 2014 ndonjë ngjashmëri me Lidhjen Historike të 1878-tës? Parë thjeshtë si veprim i dy qeverive shqiptare, mbledhja e përbashkët dhe në qytetin në fjalë është një hap për t’u shënuar. Normalisht kjo mbledhje e dy qeverive tona, duhej nisur me takime pune të ministrave përkatës për kordinimin e veprimtarive të tyre dhe në finale vinte edhe mbledhja e dy qeverive që u vë si të thuash “vulën” projekteve të hartuara nga ministrat përkatës. Në këtë mbledhje qeverish mund të ishin ftuar edhe specialistë shqiptarë të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe nga Kosova, pse jo dhe nga Mali i Zi e Maqedonia, të cilët do të ndihmonin në hartimin e miratimin e një programi strategjik të plotë në interes të zhvillimit ekonomik të dy gjysmave tona, që për interesa ndërimperialiste vijojnë të jenë dy shtete me kufij artificialë, por aktualisht të pakapërcyeshëm nga “kërçiku” i liderëve tanë “trima e atdhetarë”. Megjithatë akti i kryeministrave Rama e Thaçi duhet përshëndetur, sepse çdo lëvizje në drejtim të ribashkimit të kombit tonë jep një kontribut, qoftë edhe modest, në realizimin e aspiratës tonë të pandryshuar. Aq më tepër që kjo “lëvizje” është e para pas 23 vjetësh, 15 prej të cilave kanë qenë të mundshme për të realizuar jo vetëm “mbledhje” të përbashkëta, por dhe shtetin e përbashkët të shqiptarëve. Por krahas përgëzimit për këtë lëvizje, të vogël por në kahun e duhur, mendoj se është e nevojshme tu kujtojmë drejtuesve tanë politikë e pushtetorë se çështja kombëtare nuk është si në “ekonominë e tregut” të aplikuar në vendin tonë, ku “zanatet” dhe “profesionet” rrallë herë korespondojnë me fushën e veprimtarisë, çka ka krijuar ekonominë me informale e më të korruptuar të rajonit. Aktivitete të tilla që synojnë të arrijnë objektiva madhorë, duhen vlerësuar e përgatitur me shumë kujdes, sepse nëse nuk realizohen si duhet, humbasin seriozitetin e qëllimit e madje edhe kthehen në boomerang për perspektivën e zhvillimeve të mëvonshme. Sigurisht nuk mund të fajësojmë Kryeministrin Rama për punën e pakët përgatitore për këtë eveniment të rrallë e shumë të rëndësishëm, sepse në katër muaj qeverisje, nuk mund të realizoheshin punëra të mëdha. As kryeministrin Thaçi, nuk duam ta përgjegjësojmë sepse ai gjendet në pozicione tepër të vështira, dhe në mungesë të përvojës ka “humbur” në labirinthet e qeverisjes dhe të kurvë-politikës europiane, që vetëm Isa Boletini mund t’ja dilte me fjalën shpatë e të drejtpërdrejtë. Por Thaçi nuk është Boletin…Megjithatë, kur merret një nismë e tillë që ka të bëjë jo me fatin e një kabineti qeveritar, por me fatin dhe të ardhmen e çështjes sonë kombëtare, duhet të vihen në punë të gjitha mundësitë dhe resurset njerëzore e materiale që ke në dispozicion. Nëse u mendua dhe u vendos të shkohet në Prizrenin historik dhe në një ditë jo të zakonshme, atëherë, krahas kabinetit qeveritar, aty duhej të shkonin si të ftuar edhe disa personalitete shqiptare, prania e të cilëve do ta nderonte mbledhjen në fjalë, jo thjeshtë me prezencën, por edhe me fjalën e mendimin e tyre. Mbledhja e dy qeverive e datës 11 Janar 2014 në Prizren nuk ishte një mbledhje e zakonshme, se po të ishte e tillë ajo zhvillohej ose në Tiranë, ose në Prishtinë, dy kryeqytetet përkatëse. U zgjodh Prizreni dhe pas tij Vlora me qëllime që ne nuk kemi pse t’i fshehim. Por kur organizon aktivitete të tilla në Prizren e në Vlorë, dy vatrat kryesore të shqiptarizmës, nuk mund të lësh pa ftuar personalitetet e spikatura të kombit tonë të të gjitha fushave, brenda e jashtë kufijve shtetërorë. Vërtet nuk ishte fjala për ndonjë Kongres, apo Lidhje kombëtare të mirëfilltë, si ajo e vitit 1848, por gjithsesi për një mbledhje që do të synonte hartimin e miratimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin ekonomik, social e kulturor. Dhe kjo strategji që do të përfshijë gjithë shqiptarët, nuk mund të hartohet e as të “vuloset” nga dy ekipe qeveritarësh, sado të afta qofshin ato. Por nëse çështjet organizative që lidhen me përgatitjen dhe “skenografinë” e këtyre takimeve mund të justifikohen për mungesë përvoje dhe kanë shansin të përmirësohen në të ardhmen, fjalët e deklaratat që afishohen në këto raste duhet të jenë preçize. Ato duhen menduar e shoshitur mirë përpara se të deklarohen, sepse kanë efekt të madh dhe në afatgjatë. Midis gjithë frazave që kryeministri ynë Rama lançoi në fjalën e tij në mbledhjen 11 Janarit në Prizren, pjesa ku thuhet se “kufijtë midis Kosovës e Shqipërisë janë të “patjetërsueshëm”, është jo vetëm e gabuar, por dhe tepër e dëmshme për interesat e kombit tonë. Pse kufijtë midis shqiptarëve që i kanë vendosur me dhunë të tjerët qenkan të patjetërsueshëm? Vetëm të huajt paskan të drejtë të “tjetërsojnë” kufijtë tanë ndërsa ne të zotët e këtyre kufijve jo?! Aq më tepër që ky tjetërsim nuk prek kufijtë e të tjerëve. Në një fjalë të rastit në një takim të papërgatitur, një qeveritar apo lider politik edhe mund të bëjë ndonjë “lapsus” siç i thonë. Dhe lapsuse të tilla politikanët e pushtetarët tanë kanë bërë e bëjnë me okë e përditë. Veçanërisht “veterani” i politikës sonë Berisha, i cili edhe kur fjalimet i ka me letër, “këndon” vetëm me vesh e pa i përdorur “notat”. Por kur bëhet fjalë për mbledhje të organizuara dhe për çështje të rëndësishme, atëherë fjalimet, marrëveshjet, kontratat, rezolutat e dokumentet e tjerë nuk pranojnë lapsuse. E themi këtë duke menduar se kryeministrat Rama e Thaçi e kanë me tërë mend bashkëpunimin dhe integrimin e “dy gjysmave” tona të coptuara padrejtësisht nga të tjerët, por që nuk duhet të mbeten të tilla. Nëse është e kundërta, atëherë vërtetohet thashethemi se e gjithë kjo “skenografi” amatore e takimit të qeveritarëve tanë në Prizren, ishte një butafori e cila ka efekt vetëm për kabinetet përkatëse dhe partitë politikë që i kanë nxjerrë ato. U kujtojmë në këtë rast liderëve tanë politikë e shtetërorë, se kufijtë e diktuar të 1913-tës, asnjëherë dhe nga asnjë personalitet shqiptar nuk janë pranuar dhe as nuk janë quajtur të patjetërsueshëm, pavarësisht pamundësisë së deritanishme për ndryshimin e tjetërsimin e tyre. Dhe nëse nuk kemi mundur të fitojmë të drejtën tonë të grabitur, kjo nuk do të thotë se duhet ta “shesim” këtë të drejtë, e cila nuk i përket vetëm brezit tonë. Njëzet e tre vite, pesëmbëdhjetë prej të cilave me kushte optimale për bashkimin kombëtar të shumëndërruar, fluturuan me sllogane e parulla për integrimin europian kur duhej të ishin vite përpjekjesh konkrete për integrimin e domosdoshëm shqiptar, pa të cilin nuk mund të ketë as integrim të vërtetë në kontinentin që i përkasim. A do të mundemi ta realizojmë Lidhjen e dytë të Prizrenit e cila të çojë në vend vendimet historike të Lidhjes së parë? Shanset janë të plota, por fatkeqësisht ajo nuk mund të realizohet nga meshkuj të zakonshëm, por nga burra të vërtetë. E burrat e vërtetë koha e sotme nuk i ka nxjerrë akoma. Mos është kohë e dështuar kjo koha jonë? Koha nxjerr burrat, por dhe burrat e bëjnë kohën. Të shpresojmë së këta dy elementë do të puqen siç puqen akrepat e sahatit në orën e plotë të mesditës. Prej një dekadë e gjysëm koha ka punuar e po punon për ne shqiptarët. Por ne fatkeqësisht duk po dimë ta administrojmë atë. Dhe kjo sepse na ka munguar elita e vërtetë e kombit, e cila është mënjanuar dhe abandonuar nga “elita” e korruptuar e sistemit të degraduar që po aplikojmë.
https://dub130.mail.live.com


Leave a Reply