
Bukuroshja nga Shkodra, Marina Vjollca zbulon skuadrën e zemrës në Kosovë. Shqiptarët e Zvicrës, krenari apo tradhti? Kush është mashkulli më seksi, Xherdan Shaqiri apo Adnan Januzaj? Kosova e Shqipëria, bashkë apo ndaras? Moderatorja e ‘zjarrtë’ e ‘Top Channel’ rrëfehet për gazetën Arena
E shikon futbollin e Kosovës. Madje, aty ka një skuadër favorite. Biondja seksi e ‘Top Channel’, Marina Vjollca, e lidhur që ‘një jetë’ me sportin më popullor në botë rrëfen shumë gjëra interesante në intervistën për gazetën Arena.
E njohur si tifoze e zjarrtë e skuadrës së Vllaznisë, ajo ka një tjetër ‘Vllazni’ në Kosovë. Bëhet fjalë për Vëllaznimin, të cilin e veçon nga klubet tjera.
“Në Kosovë jam tifoze e Vëllaznimit. Këtë e kam thënë publikisht edhe në një emision para disa vjetësh. Kjo për shkak të ngjashmërisë që ka ky klub me skuadrën time të zemrës këtu në Shqipëri, Vllazninë. Ne shpesh herë merremi këtu me futbollin e Kosovës, ndaj normalisht që e ndjekim”, tha ajo për gazetën Arena.
Në Kosovë, shumë shikues e shikojnë emisionin ‘Procesi Sportiv’ të ‘Top Channel’ vetëm për të parë bukuroshen shkodrane. Ajo s’është në dijeni për këtë, por e din që kosovarët janë mikpritës.
“Nuk e kam ditur që në Kosovë kam fansa. Jam shumë e lumtur për një gjë të tillë dhe ky është motiv shtesë për të vazhduar punën. Kam qenë atje gjatë ditëve të kaluara dhe do të vijë përsëri. Gjëja që më pëlqen më së shumti në Kosovë është mikpritja që e bëjnë njerëzit atje”, vazhdoi Vjollca, e cila nuk drejton vetëm emisionin ‘Procesi Sportiv’ në televizionin e njohur shqiptar.
Xherdani apo Adnani? Hmm…
Lojtarët që angazhohen në përfaqësueset tjera, krenari apo tradhti? Marina nuk ka dyshime për këtë. Ajo thotë që ata e përfaqësojnë më së miri kombin shqiptar nëpër botë. “Futbollistët me prejardhje që luajnë për përfaqësueset tjera si për shembull Shaqiri, Xhaka, Behrami e të tjerë, normalisht që nuk janë tradhtarë. Ata na përfaqësojnë edhe neve, ndaj janë krenaria jonë”, theksoi biondja. Vjollca s’i ka në qejf krahasimet, sidomos kur bëhet fjalë për futbollistë me gjak shqiptari. “Shaqiri luan momentalisht në skuadrën më të mirë në botë, ndërsa Januzaj ka nisur të shkëlqejë dhe vetëm sa ka fituar një kontratë shumë milionëshe. S’mund të zgjedh se cili është më i mirë”, u shpreh ajo.
Nga futbolli në bukuri, ku Marina përsëri s’mund të vendosë. “Xherdan Shaqiri apo Adnan Januzaj? E tëra që mund të theksoj është se Shaqiri është zgjedhur nga një revistë prestigjioze si mashkulli më i mirë. Përsëri duhet të them që s’mund të zgjedh”, përfundoi Vjollca, për të përshëndetur më pas të gjithë kosovarët që e ndjekin.
Kosova e Shqipëria, bashkë apo ndaras?
Bashkë apo ndaras? Kjo është çështja që është përfolur shumë edhe në vitin 2013. Nuk ka se si të mungojë një mendim i Vjollcës për këtë. Sipas saj, bashkimi bën fuqinë, ndaj kombi shqiptar duhet të përfaqësohet nën petkun kuqezi të Shqipërisë. “Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe e ndërlikuar. Dëshira ime është që Kosova dhe Shqipëria të përfaqësohen vetëm me një kombëtare në Evropë”, potencoi ajo.
albnews.al


Leave a Reply