
Ilirian Agolli
Në Tiranë atmosfera e festave të fundvitit po arrin kulmin me afrimin e mesnatës. Blerjet në tregje po vazhdojnë deri në orët e fundit. Rrugët janë mbushur me fëmijë që festojnë, dhe shumë emigrante që kthehen pranë familjeve.
Kryeqyteti i Shqipërisë është përfshirë këto ditë nga një atmosferë e veçantë festive, që si zakonisht nis me Krishtlindjet dhe vazhdon deri me ndërrimin e viteve. Rrugët dhe sheshet kryesore janë zbukuar me lule dhe lodra të ndryshme, ndërsa bashkia ka celur disa tregje të përkohshme me rastin e festave.
Vëmendja është përqëndruar tek pedonalja, ku qytetarët po kryejnë edhe sot në orët e fundit të 31 dhjetorit lojërat dhe ushqimet tradicionale si gjeli i detit, pije dhe fishekzjarre. Në këto raste tregtarët i shndërrojnë tregjet në panaire dhe ekspozita, ku sjellin prodhimet e rralla shqiptare nga krahina të largëta, nga blegtoria dhe vera dhe deri tek mjalti.
Forcat e rendit kanë marrë masa për të ruajtur festën nga keqbërësit, ndonëse sipas të dhënave mbi rezervimet, festat e sivjetme nëpër rrugë dhe lokale jashtë shtëpive pritet të jëne më të pakta. Tregtarët pohojnë se sivjet blerjet janë më të pakta dhe janë blerë mallrat më kryesore, duke lënë mënjanë luksin e tepërt.
Në ditë të tilla feste Tirana vizitohet nga një numër i madh shqiptarësh nga Kosova. Grupet e tyre familjare dhe turistike janë bërë tashmë pjesë e zakonshme e festave të kryeqytetit shqiptar. Krishtlindjet dhe viti i ri janë një rast i mirë për t’u kthyer në atdhe një numër i jashtëzakonshëm emigrantësh. Ata kthehen familjarisht për disa ditë në vendlindje, për t’u takuar me prindërit dhe të afërmit e tyre.
Kthimi i emigrantëve, vizitat e shqiptarëve të Kosovës dhe pushimet e banorëve vendas e vështirësojnë jashtë mase trafikun e automjeteve në periferi dhe në qendër. Shumë prej automjeteve vrapojnë drejt tregjeve dhe parqeve me lodra për fëmijët, duke u kujtuar autoriteteve edhe një herë mungesën e parkimeve dhe hapësirave të gjelbëra.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply