Kryebashkiaku dhunon bashkëqytetarin e vet në gjyq. Kështu, e ka humbur dje funksionin një sallë gjyqi në Gjykatën e Tiranës. Njëra palë që përfaqësonte shtetin e tjetra intelektualin, ishin thirrur për seancën gjyqësore, që u mbyll me përdorim force, me grushte dhe karrige në kokë. Kjo ndodhi para gjyqtares, e cila ka mbetur e ngrirë si peshorja e drejtësisë, kur ka parë dhunën dhe gjakun në gjyq e drejtuar prej saj.
Ngjarja
Autor i këtij sulmi është Hasan Halilaj, kryetar i Bashkisë së Kukësit, që nga zgjedhjet e një viti më parë, ndërsa i dhunuari është sërish një kuksian, një nga emrat më të nderuar të inxhinierisë, jo vetëm në Kukës. I përgjakur, inxhinier Muhamet Dalaçi, ka lënë ambientet e gjykatës dhe i është drejtuar Komisariatit nr 2 për të denoncuar aktin e bashkëqytetarit si dhe drejtuesit të Bashkisë së Kukësit. Pasdite ai mundi të tregonte për “Shekullin” se ç`kishte ndodhur vërtet në Gjykatë, se si gjyqtarja nuk kishte hedhur në asnjë lloj procesverbali sherrin, akuzat, kërcënimetme jetë që kryebashkiaku i ka bërë inxhinierit dhe aq më pak ushtrimin e dhunës. Dalaçi i bindur në “humbjen” e kësaj beteje me drejtësinë, bëri me dije mbrëmë që “sido që të vijnë punët, unë do e çoj fjalën time deri në fund”.
Rrëfimi i inxhinierit
“S`është hera e parë që ai më kërcënon, as që më akuzon, madje ka shkuar atje derisa më ka thënë edhe se do të të zhduk. S`jam shqetësuar se unë bëj punën time, bëj punën që kam bërë prej një jete dhe që është profesioni im, por të dhunohesh e aq më tepër në një sallë gjyqi, kjo është e tmerrshme”. Kështu tregon 63-vjeçari Muhamet Dalaçi ndërsa shpjegon arsyen pse gjendej në atë sallë gjyqi. Një “varavingo” që, sipas tij, ka nisur rreth dy vite më parë. Gjithçka ndodhi gjatë një procesi civil të zhvilluar në zyrat e gjykatës, ku paditës është Dalaçi ndërsa palë paditëse përveç kryebashkiakut të Kukësit janë edhe dy ministri dhe zyra e Bankës Botërore në vendin tonë. Kjo e fundit është përjashtuar nga procesi, por ditën e djeshme mësohet se është kërkuar shtyrja e seancës pasi juristja e Ministrisë së Arsimit s`ka qenë e pranishme. Dalaçi i tronditur tregon se:“Këtë shkallë dhune nuk e kam përjetuar kurrë në jetën time, aq më tepër është e paprecedent për gjykatën. Gjyqtarja Rezarta Vigani bëri sehir ndërsa dhunohesha dhe lajmëroi policinë vetëm pas rrahjes, pra pasi iku Halili nga salla. Ishin njerëz të tjerë që u gjendën rastësisht aty që ndërhynë”. Ndërsa inxhinieri tregoi se momenti i acarimit të kryebashkiakut të Kukësit nisi konkretisht, kur gjykatësja kërkoi provat, ndërsa avokati i shtetit kërkoi shtyrje të seancës me pretekstin se juristja e Ministrisë së Arsimit është me trajnim jashtë vendit. Halili nuk ishte dakord me shtyrjen. Mësohet se ka bërë replikë me gjyqtaren dhe ndërsa Dalaçi po nxirrte letrat nga çanta, është sulmuar fizikisht. Hasan Halilaj e ka goditur njëherë me grushte dhe më pas ka marrë karrigen dhe është qëlluar mbi të duke i krijuar çarje të dukshme në pjesë të fytyrës. “Do të shkoj të Mjekësia-Ligjore të marr edhe raportin mjeko-ligjor, edhe pse e di mirë se si do shkojë, kjo punë”, tha mbrëmë 63-vjeçari Dalaçi. Nga Dalaçi mësohet se gjithë sulmet që janë lëshuar mbi të prej vitesh kanë si objekt vetëm reagimin e tij kundër përvetësimit të padrejtë të investimeve që janë bërë në Kukës.
Nikoleta Kovaçi
Shekulli
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply