Nga Petro Marko*
Nga vinte hekuri? Që përtej detit! Hekur ishte jatagani! Hekur ishte maliheri! Hekur ishin thika, kama! Hekur ishin kosa, drapri! Hekur ishin pirustia, sqepari, sëpata, kazma, lopata, shati…Gjëra të vockla në krahasim me duart që mbanin kërraba, fyej, tërkuza! Në krahasim me duart e ndera për armë e vegla pune..Thoshin se një bregas kishte sjellë në krahë një vare që nga Korinti, ku kishte emigruar për copën e bukës për të punuar në çeljen e atij kanali të madh. E solli për të çarë gurë. Ishte vareja e parë që ra mbi shkëmbenjtë e fshatit. Një të rënë dhe guri çahej sikur të ishte shtuf.
Po me të ardhur Italia, vendi u mbush me hekura. Vaporët shkarkonin hekura.
Çuditej bukuria, kur shikonte të gjithë ato makina që trembnin shelegët. Uturima e tyre trembte edhe shpendët e qiellit. Gjëmonin grykat nga minat, që çanin male për të çelur rrugë, nga do të kalonin ata hekura. Dridhej toka dhe gjëmimet nuk pushonin.
Bukuria që larg, ashtu siç ishte me këmbë duke bërë çorape, lëvizte me shpejtësi edhe buzët:
“Ç’janë këta hekura? Si ecin ata hekura mbi ato katër rrota! Ku venë ata hekura? Pse erdhën gjer këtu ata hekura/ Dhe njerëzit që janë mbi to, hekura kanë në duar, hekura kanë mbi kokë…”
Saliu zbriste me katër komitë të tjerë. Bukuria e njihte. Shumë herë kishte biseduar me të. Shumë erë i kishte shpënë dhe bukë. Se i fejuari i saj, Totoja, e kishte mik kapedan Saliun. Dhe, kur e pa, u gëzua. Se ishte shtangur dhe zemra e saj po i bëhej hekur nga gjithë ata hekura që shikonte.
-“E Bukuri”.
-“Kapedan”.
-“Si je”.
Asaj i qeshi buza. Ishte e pashme Bukuria. Kishte trup të mirë Bukuria. Sytë e zinj i shkëlqyen kur pa komitët t’i afroheshin. Ajo u fliste pa u ndaluar lëvizjen e shtizave, që pleksnin çorape leshi.
Kapedani dhe katër shokët e tij u ndalën. Dhe u ulën rrëzë një shkëmbi me fytyrë kundrejt malit të Kudhësit dhe me shpinë nga ana e Maleve te Vetëtimës. Koha ishte e vrenjtur. Vjeshtë ishte. Zilet dhe këmborët dëgjoheshin të shpërndara brinjave. Dhe, poshtë tyre dredhonte si brez i gjelbër me buzë të bardha lumi i Shushicës. Arat e pakta me misrat të vonë ishin si të shkreta. Njeri nuk dukej gjëkundi. Vetëm rruga e re, që shkonte për në Tepelenë, gumëzhinte nga makinat që ngjiteshin për në Sevaster.
Bukuria u afrua, por nuk u ul. Me sytë te shtizat, ajo dukej si një statujë helenike. Asnjë pjesë e trupit të saj si qiparis, nuk i lëvizte, përveç gishtërinjve të duarve. Komitët, që të pestë, e shikonin. Kurse ajo, ngandonjëherë ngrinte qepallat e saj të gjata për të parë sesi ishte kumbisur te shkëmbi kapedani. Ishte i pashëm kapedani! Ishte vërtetë kapedan dhe nga trupi i mbushur edhe nga fytyra e ashpër, po njerëzore, edhe nga sytë bojë bari, që i shkëlqenin. Vetullat i kishte të zeza dhe flokët e gjatë i binin në supe dhe mbi shpinë. Mjekrën e kishte ovale, por jo gjer në gjoks. Dy gjerdanë të argjendë i kishte krahaqafë dhe si brez kishte një rrip meshini bojë mjalti. Ishte me fustanellë. Dhe tirqet e gjatë dhe të bardhë i tregonin këmbët e tij të harmonishme deri lart përmbi gjunjë. Opingat i kishte me xhufka të zeza në majë dhe të qëndisura. Ishin nga ato caruqe që nxirrnin duart e mjeshtërve të Delvinës dhe Janinës.
-Ç’na thua moj bukuri?
-Hekura! Shumë hekura Kapedan!
-Edhe shtizat që ke ti në duar janë hekura! Edhe këto armë që mbajmë ne në duar, hekur janë.
Kapedani rrallëherë qeshte, Ende nuk i kishte mbushur të dyzetat. Por jeta i qe dukur shumë e gjatë. Ashtu u duket komitëve jeta. Një vit jetë komiti është më i gjatë se dhjetë vjet jetë bariu ose bujku. Një buzëqeshje komiti, i ngjan një hareje të madhe të një fshati të tërë. Po pse rrinte ashtu i vrenjtur kapedani?
*Pjesë nga Ultimatumi
MILOSAO
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply