Zenel Merjo rrëfen detaje nga jeta e tij si ushtarak. Urdhri për të qëlluar me bateri kundërajrore një avion të paidentifikuar. Si u mbush kryeqyteti me fletushka propagandistike të hedhura nga ajri
Leonard Veizi
– Një avion, i cili mendohej se ishte ngritur nga një pistë ushtarake e jugut të Italisë, fluturoi mbi Tiranë ku hodhi një sasi të madhe fletushkash propagandistike. Zenel Merjo, një ushtarak i vjetër e me përvojë që nga Lufta II Botërore, thotë se ishte i pari i cili urdhëroi që avioni i paidentifikuar të goditej nga një bateri kundërajrore. “Ishte korrik 1956. Bashkë me disa ushtarakë të tjerë kisha radhën e gatishmërisë, në Baterinë Kundërajrore që ishte dislokuar përballë kombinatit “Misto Mame”. Në 12.00 të natës, në një kohë të qetë e pa asnjë re, papritur vumë re një shenjë nëpërmjet telemetristit dhe aparateve okulare, që kishim në përdorim luftarak. Ishin sinjale dritash diku në drejtim të Ndroqit, nga Durrësi. Po vinte një aeroplan i vogël, ku ne nuk mund ta identifikonim se çfarë tipi ishte. Ai po afrohej në drejtim të Kombinatit të Tekstileve. Komandantit të baterisë, unë i kisha dhënë leje për një problem personal, ndaj barra e gatishmërisë më binte mua. Aeroplani me dritat që ndizeshin e shuheshin, po afrohej drejt nesh në një lartësi jo shumë të madhe. Sipas rregullave i telefonoj Vend-Komandës Qendrore, që ishte dislokuar te Rrapi i Trishit dhe komunikoj: “Jam kapiten Zenel Merjo. A kemi ne ndonjë nga avionët tanë në ajër?”. Pas pak, si ishin interesuar në komandat e aerodromeve përkatëse, më kthyen përgjigje: “Jo! Asnjë nga avionët tanë nuk është në ajër”.
Urdhri për zjarr
Aeroplani ishte gati mbi Kombinat, kur kapiten Merjo raportoi sërish në Vend-Komandën Qendrore: “Një aeroplan po afrohet drejt baterisë tonë. Më udhëzoni si të veproj?” Por çuditërisht nuk iu dha asnjë sinjal. Ai thotë se në çastin kur avioni ishte gati mbi bateri, e koha nuk priste më, ai jep komandën: “Bateria pranë topave”. Efektivi ishte i lodhur, i mërzitur e i dëshpëruar, pasi prej kohësh vetëm bënte stërvitje, por asnjëherë nuk kishte hapur një zjarr të vërtetë. Ndërsa këtë herë situata ishte reale. Zenel Merjo kujton: “Kur avioni ishte mbi kokat tona dhashë urdhrin: “Zjarr”. Efektivi i baterisë një urdhër të tillë po e priste me padurim. Jo një karikator 37 mm, por radhazi u zbrazën disa arka me municion. Mirëpo çfarë ndodhi? Pasi hapi zjarr bateria e “Misto Mames”, filluan edhe bateritë e tjera sipas kalibrave e pozicioneve që kishin në periferi të kryeqytetit. Kështu hapën zjarr bateria e Saukut, ajo e Varrit të Bamit, e Paskuqanit, e Shkollës së Dakos, e Fushës së Aviacionit, ajo e Qendrës. Por avioni nuk u asgjësua. Ai pasi shkoi deri në afërsi të Malit të Dajtit u kthye përsëri për të bërë të njëjtën rrugë nga kishte ardhur. U largua, por jo pa e marrë përgjigjen e merituar…”
Verejtja
Zenel Merjo kujton se një orë pas kësaj qitje të paralajmëruar mbërrin me urgjencë komandant Kiço Janku dhe këshilltari sovjetik Kasabov, një kolonel që ishte atashuar pranë Ministrisë së Mbrojtjes. “Sapo zbritën nga makina, iu paraqita. Por të dy të nevrikosur dhe të egërsuar nuk e pranuan qëndrimin tim, por menjëherë m’u drejtuan: “Hë more e rrëzove aeroplanin? Kush ta dha urdhrin për këtë gjë. Do të përgjigjesh për këtë që ke bërë. Do mbash përgjegjësi dhe për shpenzimin e municionit”. Prej këtej shkuam në zyrën time. Në këtë çast erdhi dhe komandanti i baterisë shumë i shqetësuar. Komandant Koçoja dhe këshilltari sovjetik vazhduan të më qortonin për veprimin që kisha bërë, pa marrë më parë urdhrin e eprorit. Në fund më thanë: “Shoku Kapiten, nesër të paraqiteni te komandanti i MKA-së, Gjeneral Gjini. Atje do të japësh llogari”. Të nesërmen në mëngjes shkova te komanda e MKA-së, që i kishte zyrat tek “Fusha e Aviacionit”. Kuptohet se kalova një natë shumë të shqetësuar. Sapo u paraqita te gjeneral Gjin Marku ai m’u drejtua: “More kapiten Zeneli, ç’bërë ashtu mbrëmë. Pse qëllove pa urdhër?”. Unë ia ktheva me qëndrimin gatitu: “Avioni i paidentifikuar erdhi mbi bateri shoku Gjeneral”. Atëherë ai me tha: “Ktheu në detyrën tënde në repart, se do ta shikojmë dhe këtë punë. Megjithëse komandant Kiçoja dhe këshilltari sovjetik më thanë fjalë të mira për ty”. Atë mëngjes dhe një ditë më pas, forca të shumta ushtarake e civile mblodhën nëpër Tiranë letrat, pakot dhe thasët që ishin hedhur nga ky avion. Ishin me qindra mijëra fletushka që ishin përgatitur prej degëve të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar që strehoheshin në Itali, ku shpjegohej figura dhe qëndrimi i Tuk Jakovës dhe i Bedri Spahiut dhe përse ata i kishte dënuar Partia e Punës. Pra kishim të bënim me një fushatë propagandistike ku na sulmonin kundërshtarët politik. Unë qëndrova për ditë të tëra i shqetësuar. Por ç’është e vërteta as më thirren më dhe as më bënë vërejtje të tjera” – thotë Merjo.
Shifranti me gjuhë ruse e serbe
Zenel Merjo u lind në Nivicë në 18 gusht 1927. Merr pjesë në LANÇ prej nëntorit 1942, por në fundin e vitit 1943 bashkohet me Brigadën I Sulmuese. Pas çlirimit kryen kursin e komisarëve në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Tiranë. Studion në shkollën e partisë “V. I. Lenin”. Kryen dy kurse për mësimin e gjuhës ruse dhe serbe. Pas një kursi intensiv për shifrat në Ministrinë e Brendshme, emërohet në Komandën e Përgjithshme. Mban 10 medalje dhe urdhra, si: “Urdhri i Trimërisë”, “Medalje Trimërie në Luftë dhe në Ndjekje”, “Medalja e Çlirimit”, “Urdhri i Skënderbeut” etj.
Beqir Balluku desh na ra nga kali
Në vitet ‘67-’73, Zenel Merjo ishte shefi i Qendrës së Rritjes së Kuajve të Racës, e dislokuar në Lazaret të Tiranës. Nënkoloneli, sot veteran-invalid në pension, rrëfen shoqërimin e vetëm me kalë që i ka bërë ish-ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku: “Ishte viti 1973. Isha në zyrën time në repart. Papritur bie telefoni. “Jam Beqiri Balluku, ministri”. Megjithëse në telefon, u çova më këmbë dhe iu paraqita. Kërkesa e tij ishte të përgatisja disa kalorës dhe kuaj. Ne kishim kuaj dhe pela race, që të gjitha të dërguara nga Shtatmadhoria e Ushtrisë Sovjetike. Mes tyre Naklloni, Nepormneja, Kiprida, Çarli etj. “Pesë i kemi gati për gjysmë ore, shoku ministër”, – i kthehem unë kërkesës së tij të butë e dashamirëse. Takimi u la për 30 minuta tek Ura e Xhenios, përballë Rrapit të Treshit. Ishte rast i rrallë dhe i veçantë për mua që të flisja në telefon me ministrin. Ndërsa me Petrit Dumen, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, dëgjoheshim shpesh teksa ai më telefononte për këtë punë. U dhashë urdhër oficerëve vartës: Todit, Xhemalit e Lilos, për të shaluar pesë kuaj. Brenda gjysmë ore çdo gjë ishte gati. Unë vetë hipa mbi Nakllonin, një hamshor i bardhë, i egër, ndër më të zgjedhurit, të cilit rrallë i hipej. Nuk rekomandohej për udhëheqësit, pasi ishte i shpejtësive të mëdha dhe i papërmbajtur. Me shpejtësi u gjendëm tek Ura e Xhenios. Vumë re se në krahun tjetër të urës kishte ndaluar makina e ministrit të Mbrojtjes dhe shoqëruesit e tij, Bexheti dhe Rakipi, bashkë me shoferin, të cilët kishin ardhur më parë në vendin e urdhëruar. Zbrita nga kali dhe u paraqita. “Shoku ministër, i keni gati! Ju do të merrni këtë, se është më i urti dhe me ecje të rregullt” – vazhdova unë duke i qëndruar gatitu pranë Nakllonit me frerë në dorë. – “Këtakuaj, e pelat të racës, fjalët, urdhrat dhe drejtimet për ecje, kalim pengesash, trok dhe gallop, të qëndrojnë të frenuar në vend nga kalorësi, i marrin vetëm në gjuhën ruse.” – “Dakord, – tha ministri. – Hipni dhe nisemi! Na drejtoni!” Ai urdhëroi shoqërisht duke qeshur njerëzisht. Ishte një marshim për të cilin përgjigjeshim dhe duhej ta udhëhiqnim vetëm ne, kalorësit e Qendrës. Ndërsa shoqëruesit e tij ndoqën urdhrin e marrë nga ministri për t’u takuar në vendin e përcaktuar. Në shoqërim porosita katër oficerët vartës të kishin kujdes të veçantë, pasi rruga ishte malore, e pyllëzuar dhe me kthesa të rrezikshme, pasi Balluku nuk ishte i përgatitur për këto lloj rruge dhe kalorësie e me këta kuajsh. Nisja filloi drejt kodrave të ish-fermës “Gjergj Dimitrovi”. Shkuam te Shkolla e Qenve në Shtish-Tufinë. Ndërsa makina na priste në Kamëz tek Instituti Bujqësor. Duke ecur normal të pesë kuajt dhe kalorësit teksa shikonin njëri-tjetrin dhe duke biseduar ndikojnë në kalin ku qëndronte si kalorës Balluku, i cili i shqetësuar ngrihet me dy këmbët e para. Ministri, megjithëse, i pastërvitur për këto lloj ecjesh dhe kalorësie, u mbrojt mirë. Ne të gjithë të shqetësuar me një shpejtësi të rrufeshme i dolëm në krah dhe menjëherë e zbritëm nga kali. Oficerët e gatshëm, Todi, Xhemali, Lilo dhe Mersini, qetësuan kalin. Balluku pyeti: “More, po çfarë pati? Pse u egërsua duke qenë në ecje të rregullt?” Shohim se një thes çimentoje bosh ishte ngritur nga era e fortë dhe kali ishte trembur.
Sugjerimi i mjekëve kinezë: Vrapo me kalë
Beqir Balluku nuk ishte kalorës i përgatitur, ndaj ai s’duhej të bënte asnjë veprim pa lejen e instruktorëve të Qendrës. Duke kujtuar udhëtimin me kalë pranë ish-ministrit të Mbrojtjes Zenel Merjo rrëfen: “Tek ecnim, na del përpara një rrugë e pjerrët. Ministri çliroi frerët e kalit dhe nisi vrapin. Kali vraponte duke anësuar ecjen e tij nëpër dredhat plot pemë e shkurre. Trupi i ministrit filloi të lëkundej. Kishte rrezik të rrëzohej. Mund të ngjiste gjithçka që rrezikonte seriozisht jetën e tij. Menjëherë kalorësit e tjerë iu afruan për ta mbrojtur. E ndaluam kalin që shkumëzonte dhe e qetësuam, ndërsa Beqiri, me atë qeshjen e tij gazmore, po na shikonte në sy të gjithëve. Ne na hynë të dridhurat. Veçanërisht mua që isha përgjegjësi kryesor në shoqërimin e tij, ndaj iu ktheva: “Shoku ministër! Ç’bëre kështu? Na more më qafë që të gjithëve ne që të shoqërojmë! Unë kam fëmijë dhe shkoj i pari në burg, po të ndodhë gjë” Por ai qeshi e më tha. “Po pse more, çfarë bëra, vetëm doja të vrapoja pak. Unë kam porosi të veçantë të eci me kalë me trok e galop”. Ai sa ishte kthyer nga Kina dhe mjekët kinezë ia kishin dhënë këtë porosi të veçantë. “Ju s’jeni i përgatitur për këtë lloj ecjeje” -thashë unë – trupi juaj kërkon shumë kujdes, se ju jeni i shëndoshë dhe është vështirë të mbaheni në kthesa”. Por Beqir Balluku vazhdonte në të tijën. “Këtë porosi ma kanë dhënë mjekët kinezë, pasi kam të dhjamosur zemrën dhe mëlçinë”.
Epilogu i udhëtimit
Duke kujtuar çastet e fundit të këtij udhëtimi stresues, Zenel Merjo rrëfen: “Pas kësaj morëm rrugën drejt Kamzës, duke bërë edhe ndonjë bisedë apo shaka të shkurtër ose ndonjë muhabet të lirë, kur ai na e lejonte vetë me edukatën dhe dëshirat e tij të pastra, të cilat vetë na i ofronte dhe na i lejonte duke dhënë shkak. Megjithëse përshkuam fushat e Kamzës, ai nuk e bëri më atë “gabim”, që të lëshonte kalin me vrap pa lejen tonë, që ishim përgjegjës me kokë për çdo gjë që do të ndodhte. Nga Kamza deri tek Instituti Bujqësor, ku na priste makina dhe dy shoqëruesit e tij, kaluam qetë dhe mirë me plot biseda dhe shaka, të cilat ngandonjëherë ai i ndërtonte vetë. Kur mbërritëm, na priste udhëheqja e Institutit Bujqësor në një lokal të pastër dhe të thjeshtë në natyrë. Aa kishin organizuar një koktej. Ministri në këtë çast na thirri e urdhëroi: “Tani nisi këta të shkojnë në repart me kuaj, ndërsa t’i do të qëndrosh këtu me ne dhe do të shkojmë së bashku me makinë në Tiranë.” – “Shoku ministër – thirra unë, pasi u ngrita në këmbë – lutem të më lejoni të largohem për në repart, pasi aty më presin gjithë ata rezervistë, me të cilët kam mësim”. – “Po ja, le ta bëjnë këta oficerët e tjerë mësimin”,- dha porosi ai. Mbasi unë këmbëngula, ai më la të lirë dhe unë sipër Nakllonit me shpejtësi të rrufeshme u gjenda në repart brenda 15 apo 20 minutave”.
Deshifrimi i radiogrameve sekrete
Kanë kaluar 60 vjet, që kur u vu në zbatim kodi i ri për deshifrimin e radiogrameve sekrete, që në gjuhën teknike quhej “shifër”. Zenel Merjo, si një ndër shifrantët e parë të Komandës së Përgjithshme, rrëfen: “Deri në vitin ‘48 ushtria shqiptare dhe ministria e Brendshme funksiononin për të deshifruar radiogramet sekrete, në bazë të një shifre që na i kishin dhuruar jugosllavët. Por në vitin 1948, pas prishjes me fqinjët e veriut, u dha urdhri që kjo shifër të mos përdorej më dhe të punohej për zbatimin e një regjimi të ri shifre. Për realizimin e saj u ngrit një ekip me specialistë shqiptarë, por dhe me ndihmën e këshilltarëve sovjetikë. U bë një punë e madhe për realizimin e shifrës sekrete, sepse nuk duhej vetëm një e tillë, por disa; për ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshmen, për Komandën e Përgjithshme, për komandat e Divizioneve etj. Kështu që për realizimin e të gjitha këtyre u punua për gati një vit rresht. Në vitin 1949, ndodhesha me shërbim në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare, në Drejtorinë Politike, – kisha në ngarkim Arkivin. Një ditë më thërret shefi e më thotë: “Tani ju do të kaloni në një kurs pranë Shkollës së Bashkuar të Oficerëve për Komisar”. Ishte Kursi i Komisarëve, kështu quhej edhe në Organikat Ushtarake. Pa kaluar shumë ditë, Komandanti i Shkollës, Enver Begeja, na mblodhi veças nja 5-6 vetë e na tha: “Ju do të shkoni në një kurs special për nevoja të Komandës së Përgjithshme”. Na mori në dorëzim togeri Ali Tirana. Pasi na uroi mirëseardhjen dhe plotësoi dokumentet, na tha: “Ju do të bëni një kurs special për shifrant -telegrafi. Do ta heqim shifrën jugosllave që kemi dhe do të vëmë në përdorim në Komandën e Përgjithshme Dega e 7-të, dhe nëpër reparte, shifrën sovjetike”. Filluam mësimin për ditë dhe javë të tëra. Në mbarim iu nënshtruam provimit në një klasë të përgatitur me materiale të shifrës dhe telegrafisë. Në këtë kurs special kishte të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe nga repartet e garnizonet e tjera, Divizionet anembanë Shqipërisë, Korçë, Gjirokastër etj”.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply