Çmimi Nobel për Paqen këtë vit iu dha Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila aktualisht është duke punuar për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike të Sirisë. Kryetari i Komitetit Norvegjez Nobel, Thorbjoern Jagland e bëri njoftimin sot në Oslo.
“Komiteti Norvegjez Nobel ka vendosur që Çmimi Nobel për Paqe për 2013-ën t’i jepet Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) për punën e saj të gjerë për eliminimin e armëve kimike. Konventat dhe puna e kësaj organizate e kanë përkufizuar përdorimin e armëve kimike si një tabu nën ligjin ndërkombëtar. Ngjarjet e fundit në Siri, ku armët kimike janë vënë sërish në përdorim, kanë theksuar nevojën për të rritur përpjekjet për t’i eliminuar këto armë. Disa shtete nuk janë akoma anëtarë të kësaj organizate. Disa shtete, nuk e kanë respektuar afatin e fundit për të shkatërruar armët e tyre kimike, që ishte muaji prill i 2012-ës. Kjo vlen sidomos për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Çarmatimi është shkruar qartë në testamentin e Alfred Nobelit.”
Organizata me seli në Hagë u formua në vitin 1997 për të zbatuar Konventën Ndërkombëtare të Armëve Kimike. Siria e ka pranuar që ka armë kimike dhe do të bëhet vend anëtar i organizatës të hënën.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike financohet nga shtetet anëtare dhe ka një buxhet prej rreth 100 miliardë dollarë. Rreth 500 njerëz punojnë në selinë e saj në Hagë. Organizata thotë se ka kryer më shumë se 5,000 inspektime në 86 vende, dhe ka verifikuar dhe inventarizuar 100 përqind të armëve kimike të deklaruara.
Zgjedhja e këtij viti erdhi si një e papritur. Malala Yousafzai, aktivistja pakistaneze 16 vjeçare, shihej si më e preferuara për ta fituar çmimin. Dje ajo fitoi Çmimin Saharov të Bashkimit Europian për lirinë e mendimit.
Çmimet Nobel për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe filluan të jepen në vitin 1901 në përputhje me dëshirën e shpikësit dhe biznesmenit Alfred Nobel.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply