BURGU PA DRY
Në burgun e egos kur frymojmë, dritën e zemrës e errësojmë
Sillemi si të lirë edhe pse të gjithë na robërojnë
S’na duken aq kokëtrashë budallenjtë që na lavdërojnë
S’na duken aq të mençur të urtët që na qortojnë
Duke u mahnitur me mendjen, shpirtin tonë e harrojmë
Themi “unë mendoj” edhe pse mendimi s’na vjen kur dëshirojmë
I ngjajmë Nastradinit që udhëton hipur në gomar
Të tjerët i pyet me kureshtje: “Gomarin mos ma keni pare?”
Shigjetat e egos na plagosin e nga shpirti ynë na ndajnë
Qeshim me të dashurit tanë që për dhimbjet tona qajnë
Miqtë për armiq i marrim e shpresat te ta i varim
E mira gjithnjë dënohet, sa herë të keqen e falim.
Në qelinë e egos ku drita e zemrës nuk ndizet
Kuptimi i pranisë sonë në botë zbehet dhe venitet
E pranojmë një dije që vetëdijen ta humbasim
Pastaj flasim çfarë dimë por nuk e dimë çfarë flasim
Kuptojmë veç atë që dëshirojmë e të tjerat i mohojmë
Me syzet tona njëngjyrshe gjithë botën e vështrojmë
Në prani të të tjerëve veten duke e qortuar e lavdërojmë
Por zemra e di që ne s’jemi ata që të tjerët besojnë
O “unëjam” që dëshiron të jesh kaq tepër nga të tjerët i mikluar
Gomari nuk zbukurohet veshët duke ia shkurtuar.
E errët është qelia e egos ku rrezet e diellit nuk hyjnë
Fjalët e Gjalla lexohen por në zemrat e vdekura s’arrijnë
Kur nata e zezë u pëlqen mendjeve, kot që mëngjeset vijnë
Gjynahet janë plagë që qeniet tona i godasin
Po qëlluan në vend të ndjeshëm, mund edhe të na vrasin
Shpirti kërkon me u lumnue por egoja frikësohet nga e vërteta
Ajo nuk dorëzohet por pret t’i dorëzohet jeta
Ama jeta është e gjallë e egoja është e vdekur
Ajo është grumbull mendimesh që në kujtesë kanë mbetur
Jeta gjallëron tani në këtë çast kur po lexon këtë varg
Vetëdija humbet atëherë kur mendja lumturinë e kërkon larg
Ujit i duhet kohë për të vluar dhe veç një çast për t’u avulluar
Ato që i ndjen zemra, mendja s’ka kohë për t’i kuptuar.
Në burgun e egos ndjehesh vetëm edhe pse shoqëri ka
Dikush është aq fukara sa s’ka asgjë tjetër, veç pará.
Dikush te trëndafili sheh veç gjembat që shpojnë
Të gjithë këta shokë në burg mund të të shoqërojnë
Nga të gjithë mund të mësosh diçka që i takon të vërtetës
Nga të gjithë do shpëtosh nëse shpëton prej vetes
Dikush të ka armiqësisht mik e dikush miqësisht armik
Asnjërit mos iu afro, nga asnjëri mos ik
E si mund të afrohemi apo të ikim, kur këta jemi ne vetë
Derisa egoja të hidhet e shpirti çdo çast ta kthejë në jetë
Kur të kemi dalë nga ky burg pa dry
Çelësi ku do mbetet, me mua a me ty?
Ti tani buzqeshë, unë ta bëj me sy…
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
FJALË MES DY ZEMRASH

Po pate fuqi, merri vetëm fjalët dhe ik
Me ikjen tënde bëje fundin më të bukur se fillimin
Me fjalët e mia bëje ndarjen më të bukur se takimin
Gjithë çfarë të duhet nga varfëria ime janë fjalët me të cilat unë u pasurova.
Ndoshta mbas meje s’do të gjesh asgjë më të mirë se vetmia
Por vetmia është ajo që na e mundëson të rrimë me vetveten
Ajo na mëson se mosprania nuk është mungesë
Ata që i duam kurrë nuk mungojnë, janë aty brenda nesh
Mosmungesa e tyre na bënë të vuajmë për mospraninë e tyre
Me vuajtjet tona për ta, i japim kuptim jetës sonë pa ta.
Aq sa i duam ardhjet, i urrejmë ikjet
Mund t’i fshehim plagët por jo edhe dhimbjet
Nëse të plagosa, këtë e bëra që të ta shpëtoj jetën
Njëlloj si i urti që dëmtoi anijen e të varfërve për ta shpëtuar nga piratët
Një zemër që jeton përvujtnisht, është më e fortë se vuajtjet
Zemra s’u krijua vetëm për të dashuruar,
por edhe për t’i duruar vuajtjet që mund t’ia shkaktojë dashuria
Sytë s’u krijuan vetëm për të parë,
por edhe për të qarë për gjërat që kanë hyrë në zemër nëpërmjet shikimt.
Prandaj, merri vetëm fjalët dhe ik se të gjithë kemi nevojë të rrimë me vetveten.
Nëse njëmendësisht mençurinë dhe budallallëkun e ndan një vijë e hollë
Dije se këtë vijë unë e kam fshirë që ndarjet të më bëjnë mirë
Prandaj merri fjalët dhe largohu nëse do të më ndjesh më afër
Nga largësia mund ta shohësh më qartësisht çfarë jam e çfarë kam
Po m’u afrove do të ta lë përshtypjen e një pikture
që duke qenë tepër afër saj, nuk shquan asgjë veç ca vijave
që ka lënë peneli i piktorit në bezin e telajos
Largohu që të më shohësh të tërin, nëse më do të tërin!
Po pate vetëm pak fuqi, merri fjalët dhe ik
Me ikjen tënde do ta kuptosh sa vdekjeprurëse janë gjërat që na mbajnë larg vdekjes
Sa shpesh u ngjajmë mizave që duke iu afruar mjaltit i afrohen fundit të jetës,
Sa shpesh gabojmë nga frika se mos gabojmë
Kur ndjejmë dhimbje të mëdha, të voglat i harrojmë
Kur bien këmbanat e mëdha, të voglat s’i dëgjojmë…
Dhe jeta na shkon duke menduar se një ditë do jetojmë.
Mbase nga fjalët e mia ke marrë aq fuqi sa për të ikur
Dhe me ikjen tënde ta bësh të mundur kthimin tënd
Kur t’i kemi jetuar larg njëri-tjetrit të gjithë dimrat e vuajtjeve tona
Pranvera e jetës do lulëzojë në shpirtrat tanë të përndritur
Atëherë do kemi të drejtë t’ua themi të gjithëve të vërtetën:
S’mund të jemi të gjallë për tjetrin, nëse jemi të vdekur për veten
S’mund t’i pyesim të vdekurit kur janë të pranishëm të gjallët
Ti ik, dhe kur të kthehesh, kthehu prapë me fjalët!
Eh, sado që lotojnë syte, lotët sërish treten
Mes dy emrash, mes dy zemrash, sërish fjalët mbeten.
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
PËR LULEN E DJEGUR NË POGRADEC
Mbase ti do të jetoje duke besuar te njerëzit pafundësisht
Por në jetë ka buzë që puthin e gënjejnë njëkohësisht
Dhe s’ka zemër që për hir të puthjes gënjeshtrën e harron
Se dhimbjen e të dytës e para s’e shëron.
Kur në kopshtin e jetës ti u dogje e m’i thave pranverat
Unë nuk qava pranë teje se thashë do më digjen lotët
Në flakët e atij zjarri vdiqën gënjeshtrat e mbeti vetëm e vërteta
Më thuaj a duhet të frikësohemi nga vdekja, nëse digjemi nga jeta?
Ndonjëherë o lule e djegur mjafton një çast për ta harruar gjithë jetën
Por çfarë të bëjmë kur nuk mjafton jeta për ta harruar një çast?
Çfarë të bëjmë kur duam, por s’duhet të jemi bashkë?
Unë i di pyetjet, ti i di përgjigjet, zjarri kthehet në hi e hiri më nuk digjet.
Njeriu i parë nga lakmia e hëngri frutin e ndaluar
Por as me gjethet e parajsës turpin dot s’e ka mbuluar
Frutat e gjethet në degën e një trungu bashkë jetojnë
Por gjethet shijen e frutave nuk mund ta mbulojnë
Ai frut i ndaluar hahet çdo ditë dhe botën na e ngushton
Ne themi: “E hëngri!” kur dikush nga lakmia nxiton, gabon dhe veten e harron…
Eh ç’u mbush bota
me rroba pa njerëz e njerëz pa rroba.
Nuk mund t’i harroj të mirat që njerëzit m’i kanë bërë
Por këto të mira nuk mund t’i përdor për t’i arsyetuar të këqiat që ia bëjnë vetes.
O lule e djegur buzë liqenit!
Të gjitha fjalët që u thanë në botë për dashurinë, nuk janë dashuria
Gjuha tragjike njerëzore përballë ndjenjave, zhvishet nga fuqia
A mos duhet t’i dish gjuhët e folura të botës për t’i kuptuar dhimbjet?
Heshtja nuk ka lindur nga mungesa e fjalëve por nga pafuqia e tyre.
Kur vjeshta t’i ketë mbuluar me gjethe stolat prej druri
Do kthehem edhe një herë aty ku filloi zjarri e ta kundroj hirin
Në sytë e njerëzve do jem i panjohur edhe pse s’jam i huaj
Do hiqem si peshkatar edhe pse grepin në liqen nuk do ta gjuaj
Ata që më kanë njohur s’do jenë më aty për të më takuar
Disa pa dashje janë larguar, disa me dashje i kam harruar.
Kur lotët e ngrirë të një dimri një ditë pranvera do t’i thajë
Dikush i penduar tek dera jote për stinët e humbura do të qajë
Por ç’e do që lotët çdoherë dëshmojnë për një vonesë
Sikur njerëzit të mos vonoheshin, s’do kishte as pendesë.
Kur lotët e takimeve dhe ndarjeve të jenë mbytur në liqen
Një fjalë të vjetër ky shpirt sërish do ta sjell ndërmend:
“Çfarë hyn në zemër s’del më, edhe nëse zemra s’dhemb”
Edhe nëse s’gdhendet në gurë kjo fjalë që një i urtë e tha dikur,
Ata që e gdhendën në zemër nuk do ta harrojnë kurrë.
O lule e djegur në Pogradec!
Mos pyet nëse plagën e dashurisë mund ta shërojë dikush tjetër
veç të dashurit që e shaktoi atë?
E ç’dashuri është ajo që jeton nëpërmjet plagëve?!
Mendimi e mundëson vazhdimin e një ndjenje,
Ai është si uji që futet në lule, po qe uji i kripur, lulja thahet në stinën më të bukur
Kush lidhet me të kaluarën e hidhur, të ardhmen e ëmbël e ka humbur
“Të mos mendosh dhe të mendosh mbrapsht” – janë dy të këqiat e sojit tonë,
Mendo dhe lulëzo mes zjarresh ku ende digjet bota jonë
Në kopshtin e zemrave tona jeto ti përgjithmonë!
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
…NATËN E MIRË!
Kur ishe larg, afër të ndjeja, kur ishe afër nuk të gjeja,
Vullkani i zemrës vlonte brenda qenies e zjarri i tij m’i digjte stinët pa ty
Çdo ditë të shihja me zemër se s’të shihja dot me sy
Në sofrën e tokës gatuaja duke përzier lotët me miell
Edhe pse buka bëhet me shiun e qiellit, s’më çonte dot në qiell
Deri sa nuk erdhe ti, era e zemërimit e shuante zjarrin e mendjes në mua
Betohem se nuk vijnë nga kjo botë fjalët që ti sot m’i thua:
“Ç‘vlerë kanë ardhjet e mia nëse s’do ishin pritjet tua?!”
I vdekur është folësi nëse fjalët e tij zemra nuk ngjallin
A mund të digjesh nga uji që afër s’e ka zjarrin?
Mos e ndrysho rrjedhën e jetës për hir të një dashurie që ti e mendon
Nëse jemi të denjë, vjen vetë dashuria e rrjedhën e jetës na e ndryshon
Me këtë botë nga uji e dheu askush s’është ngopur e qetësuar,
Dikush ankohet pa vuajtur, dikush vuan pa u ankuar
Të humbur janë ata që kur u ngushtohen rrugët, thonë: “bobo ç’më gjeti!”
Se truri i njeriut s’u bë për t’i ndarë veshët nga njeri-tjetri.
Në këtë botë kur u nisa, vetëm isha, asgjë s’kisha,
Në këto rrugë kur hapërova, më shumë qava se këndova
Në këtë qiell çdo natë shikova si merr dritë hëna prej diellit
Njerëzit ikën e nuk thanë, as “më fal” as “faleminderit”…
Për një buzëqeshje në këtë botë, jeta t’i merr mijëra lotë
Sa gjëra zbuloi njeriu por një gjë nuk e bën dot
Kohën e humbur s’e kthen, e djeshmja s’mund të vijë sot
Por nëse trupi i nënshtrohet kohës dhe shpirti është jashtëkohor
Kur ndahen nga njëri-tjetri, cili është më njerëzor?”
Deri sa nuk erdhe ti, unë përgjigje nuk gjeta
Hëngra nga buka e tokës e prapë me uri mbeta
Betohem se fjalët tua sot nga kjo botë nuk vijnë:
“S’mjafton të dimë çfarë jemi, duhet të jemi çfarë dimë”
Rruga e dashurisë nuk mund të mbetet pa urë,
A mund ta duam dikë me të cilin s’qeshim kurrë?
Më fal që kaq gjatë ke pritur e pritja të ka mërzitur,
Ca gjëra që mendon se t’i falën, dije se shtrenjtë t’i kanë shitur,
Në çastin e ndarjes nga bota e mangët, trupi i kthehet dheut
E shpirti mërgimtar nis rrugëtimin pashmangshëm drejt “atdheut”,
Nëse në “atdhe” duarbosh mërgimtari kthehet
Ku do flejë i mjeri, me çfarë do të ushqehet?
Që shpirti të udhëtojë lehtësisht në këtë rrugë të vështirë,
Në këtë botë nga Njëqind Mëshirat Ai zbriti veç Një Mëshirë,
Ma jep një copë bukë se prapë kam për të bërë rrugë në këtë errësirë,
Faleminderit e natën e mirë!
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani





Leave a Reply