•Rrëfimi i Robert Kotes, profesorit që e njeh më së miri jetën e Gonxhe Bojaxhiut, zbulon amanetin e parealizuar të humanistes më të madhe shqiptare.
Luela Myftari
-Dje, më 26 Gusht, 103 vite më parë, lindi Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, por biografët thonë se ajo vetë parapëlqente të nesërmen, 27 gushtin, kur u pagëzua në kishën katolike shqiptare të Shkupit. Ajo është laureuar me çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 dhe është shenjtëruar pas vdekjes në 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II. Nderime për këtë njeri të mrekullueshëm dhe të paharrueshëm bëhen në të gjithë botën po kombi i saj ç’bën për të? Përveç shtatoreve? Robert Kote, arkitekti dhe njëkohësisht një njohës i mirë i jetës së saj vjen në një intervistë tek “Shekulli” për të na rrëfyer se gjëmat nuk do t’i mbarojnë këtij shteti që nuk ka respekt për zonjën më të nderuar botërisht për paqen. Në bisedën me të zbulojmë një të vërtetë shumë interesante. Amaneti i Nënës Terezës nuk është zbatuar. E vetmja gjë që kërkoi Nëna e thuajse gjithë botës, ishte ndërtimi i një spitali ku do të kuroheshin të gjithë të varfrit dhe fëmijët shqiptarë falas. E për sa kohë ne nuk vëmë dot në jetë amanetin e një ikone të tillë, sipas Kotes, është e kotë të presim të mira.
Pse ky rrëfim, zoti Kote, dhe pse tani, pas rreth 20 vitesh?
Dita – ditës më shtohet bindja se tek ne shumë gjëra nuk po ecin në rrugën e duhur për disa arsye, midis të tjerash edhe për një fakt: ne nuk tregojmë kujdes dhe mirënjohje për virtytet e figurave të shquara shqiptare. Jemi brenda kufijve të Evropës, por në Evropë ende nuk po na pranojnë. Kemi kaluar një periudhë thuajse gjysmëshekullore në një diktaturë çnjerëzore dhe tani pas më shumë se 20 viteve themi se jemi ende në tranzicion, në një demokraci të trishtuar. Jemi kampionë të Evropës për prodhimin dhe eksportimin e kanabisit, kampionë të ndotjes dhe shkatërrimit të mjedisit. Vitet kalojnë dhe ne mbetemi ende ndër njerëzit më të varfër në Europë. Më vjen turp ta pohoj këtë këtu, por mua shteti shqiptar më jep një pension që nuk vete më shumë se 170 euro për kontributin tim në 40 vite si inxhinier dhe pedagog universitar, kur për një operacion në vënat e gjakut, që megjithëse jam i pajisur me siguracion shëndetësor, më thonë se është më mirë që të shkoj tek privatët. Spitalet private më kërkuan 1200 euro, për një operacion që nuk zgjati më shumë se një orë dhe pas 4 orëve isha në shtëpi. Nuk po përmend më kot spitalet. Do t’ju rrëfej amanetin e Nënës Terezë.
Cili është amaneti i saj?
Në një nga librat që i kushtohet figurës së Nënës Terezë, po ju zbuloj një fakt shumë interesant, amanetin e saj. Në faqen 103 të librit të autorit Pio Laghi, shkruhet kështu: “ Para se Nënë Tereza të largohej nga Shqipëria, u takua aso kohe me Presidentin Sali Berisha, i cili iu lut që vinte në përdorim një spital në Tiranë dhe për ta inkurajuar atë dhe murgeshat e saj, që kishin filluar të shërbenin në Shqipëri, i dhuroi asaj një terren ku mund të ndërtonte spitalin. Historia e dhurimit mund të jetë një histori më vete të cilën nuk ka vlera ta rrëfejmë këtu. Nënë Tereza ka qenë gjithnjë kundër angazhimit të institutit të saj në vepra të tjera përveç bamirësisë. Pas një heshtjeje të gjatë, ajo e pranoi truallin dhe mandej, pas takimit që pati me mua dhe me këshillën time (bëhet fjalë për takimin me At Pio Laghin), e binda Nënë Terezën dhe disa mjekë që të fillonte ndërtimi i spitalit në periferi të Tiranës. (bëhet fjalë për zonën pranë fushës së aviacionit në Tiranë, aty ku sot gjendet një universitet). Nënë Tereza, e bindur nga nevojat urgjente të atdheut të saj, e pranoi fillimin e ndërtimit të këtij spitali që do të ishte i mirëpajisur, me mjekë të përgatitur dhe me 200 shtretër. U vendos kështu në vitin 1995, guri i parë i themelit në vendin ku pretendohej të ishte një spital i cili do të ishte falas për të gjithë të varfrit dhe fëmijët. Nënë Tereza, madje u kthye edhe në vendin ku po ndërtohej spitali dhe atë kohë vendosi që ai të quhej “Zonja jonë e Këshillit të Mirë”. Kur ajo shkoi sërish në Shqipëri në maj të 1997-ës, tre muaj para se të vdiste, ajo na këshilloi që kur spitali të fillonte të funksionte t’i jepej përparësi më të varfërve dhe fëmijëve, duke u siguruar kështu trajtime spitalore falas”. Ja, kështu shkruan At Pio Laghi në librin e tij. Ky është, në një farë mënyre, amaneti i Nënë Terezës.
Kemi ndonjë dokument tjetër që e vërteton amanetin e lënë nga Nënë Tereza, përveç fjalëve të At Pio Lughit?
Po, në këtë libër është bashkangjitur edhe letra e saj, letra e cila në rrëfen interesin e kësaj Nëne të njohur ndërkombëtarisht, për spitalin që sot nuk është gjë tjetër veçse një universitet që nuk i shërben as të varfërve dhe as fëmijëve falas. Është një universitet që vetëm merr para. Ja çfarë shkruan Nënë Tereza në letrën e vitit 1993: “Të dashur miq të Shqipërisë! I kërkoj Zotit t’i bekojë ata që ndihmuan në të gjitha mënyrat ndërtimin e spitalit të Zonjës sonë të Këshillit të Mirë në Tiranë. Krishti thotë: Çfarëdo që të bëni për vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Kështu e mbyll letrën e saj Nënë Tereza. A është sot i mbajtur ky amanet? Jo!
Jeta e një humanisteje
Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup si bijë e Kolë Bojaxhiut dhe Drane Benajt nga Prizreni, me prejardhje nga Novo Sella e Gjakovës. Që në fëmijëri ajo u vendos në shënjetoren e Zojës Cernagore në Letnicë. Fati i mirë i Nënës Terezë ishte edhe lindja e saj në një familje të shëndoshë, siç thotë vetë Nëna Tereza: “Ishim të gjithë të bashkuar… jetonin njëri për tjetrin… Ishim familje e bashkuar dhe shumë e lumtur.” Në vitin 1919, në rrethana të dyshimta i vdes babai, Kolë Bojaxhiu, tregtar i zgjuar, veprimtar i zellshëm dhe besnik për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë. Nga viti 1915 e deri në vitin 1924, ajo nis një jetë të re, në famulli. Fillon aty shkollimin në meshë dhe kateklizëm. Lazri, vëllai i saj, dëshmon: ”Jetonim afër kishës faullitare të Zemrës së Krishtit. Nganjëherë nëna dhe motrat e mia, Agia dhe Gonxhja, më bënin mbresa se rrinin sa në shtëpi aq edhe në kishë. Ishin shumë të preokupuara me korin e famullisë, me shërbimet fetare dhe temat për misione”. Më 26 shtator 1928, Gonxhe Bojaxhiu niset për në Zagreb, ku do të qëndronte deri më 13 tetor. Në ditën e 13 tetorit, së bashku me zonjushën Betike Kanjc niset për në Irlandë. Udhëtimi u bë nëpër Austri, Zvicër, Francë, pastaj me anije nëpër kanalin Mamanche, për të vazhduar rrugën për në Londër e Dublin. Në Dublin qëndruan rreth dy muaj të angazhuara në mësimin e gjuhës angleze. Ka qenë data 18 gusht në vitin 1946 kur Gonxhe Bojaxhiu ndërroi veshjen. La veshjen rregulltare të motrave të ”Loretos” dhe veshi seri të bardhë me vijë të kaltër dhe me kryq në parzëm. Pastaj shkoi rreth tre muaj në Patna tek Motrat Mjeke Misionare (Medical Missionary) për të kryer një kurs intensiv për t’u bërë infermiere. Në 21 dhjetor 1948, ajo merr lejen për hapjen e shkollës së parë, në një kasollë tek lagjet më të varfra të Kalkutës. Në vitin 1952, hapi shtëpinë e parë pranë tempullit të hyjneshës Kalli në Kalkutë. Përurimi i saj u bë më 22 gusht, në festën e Zemrës së Papërlyer të Marisë. Këtë shtëpi e pagëzoi si Nirmal Hriday ( Shtëpia e zemrës së pastër). Me këtë emër do t’i quajë edhe shumë shtëpi tjera në mbarë Indinë dhe më gjerë. Në 5 shtator të vitit 1997, Nënë Tereza ndërroi jetë. Lajmin për vdekjen e saj e dhanë pothuajse të gjitha kanalet televizive botërore.
Mallkimi i një Nëne që e meriton vëmendjen tonë
Ne biseduam me Robertin edhe për atë çfarë ka bërë shteti shqiptar për figurën e Nënë Terezën. Për të shqiptarët nuk kanë bërë thuajse asgjë, ja pse ai reagon sot. Kote na tregon shembuj nga vendi më i afërt , nga Italia, nga një vend që di se si t’i respektojë figurat fetare të vendit të vet. Sipas tij, fakti se Shqipëria nuk po ngre kokë është për shkak të mallkimit që mund të zërë një komb që nuk respekton figura të tilla si ajo e Nënë Terezës. Pse mendoni se nuk respektohet kjo figurë? Ne kemi një shesh që quhet “Nënë Tereza”, kemi një shtatore të saj në atë shesh, ndërsa një tjetër i pret shqiptarët dhe të huajt që në aeroport. Në shtator të vitit 2003, unë isha në Firence, ku tek libraria “San Paolo”, ngjitur me katedralen e famshme të këtij qyteti, mora disa libra për jetën e mrekullueshme të Nënë Terezës. Do t’ju citoj tani disa rreshta nga libri i at Lush Gjergji: “E gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është një mrekulli sepse ajo kaloi çdo limit e kufi nacional, racor, fetar dhe kulturor, duke dëshmuar kështu se asgjë nuk është e pamundur… Kush e respekton, dashuron dhe e vlerëson Nënë Terezën, nuk duhet vetëm ta admirojë, duhet edhe ta imitojë”.
Dhe unë po ju them sot, se ne shqiptarët, këtu në tokën e saj i kushtojmë asaj shumë pak vëmendje. Çdo vit e vizitoj atë tek sheshi që ka emrin dhe shtatoren e saj, aty ku u diplomova vite më parë. Në atë shesh ka një shatërvan gjigant, i cili ka 20 vjet që nuk hedh ujë në hava, për shkak të këtij shteti. Kjo panoramë e bukur e Tiranës, e bukur kur u ndërtua e tashmë e trishtë, nuk të jep as edhe një emocion që të lidh me figurën e kësaj hyjnoreje. Që këtu, në mes të Tiranës ky shtet, nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj figure. Dhe ky është mallkimi i një Nëne që e meriton vëmendjen tonë. Ndaj edhe kjo Shqipëri nuk po mundet të ngrejë kokë. Në shtatoret e saj nuk ka asnjë dixhiturë, asnjë piedestal, asgjë që ta shpjegojë kontributin e saj. Aty edhe në fotografi nuk del bukur, nuk mundet as të krijosh një kujtim të bukur. Atëherë çfarë sugjeroni të bëjmë? Po ju jap një shembull, atë të Padre Pios në Itali. Në vendin ku predikonte ky prift, sot është një vend i madh pelegrinazhi ku miliona njerëz nga shumë vende të botës shkojnë dhe e vizitojnë. Ai është një vend ku organizohen shumë aktivitete, ku mund të gjesh shumë gjëra artizanale, kulturore, fetare, madje edhe restorante që ofrojnë kuzhinë vendase. Një shtet si Italia përfiton edhe të mira financiare duke respektuar të figurat e saj. Pra, me pak fjalë kjo figurë meriton shumë më shumë vëmendje këtu në kryeqytetin e kombit shqiptar, në Tiranë.
Shekulli
Per “Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply