
Nga Altin Bamllari
Është 12 dhjetor dhe jemi nisur për në Pukë. Na kanë thënë që në atë zonë, një prift me emrin Dom Xhovani nga Italia, përveç punëve të Zotit, merret dhe me tregti ushqimesh e bimësh mjekësore. Si bij të kësaj toke mbushur me çudira dhe të gatuar në gjak me ndjenja besimi dhe mosbesimi të skajshme, si aventurierë të çastit dhe përtacë të arsyes, ne nisemi për të bërë zbulimin e radhës. Telefonojmë priftin italian dhe nga xhepat e polilinguistikës sonë bëjmë gati fjalorin e italishtes për të komunikuar me një të huaj. Por për çudinë e të gjithëve, nga ana tjetër e receptorit dëgjojmë një shqipe të kthjellët dhe një zë impozant që na dikton respekt. Pasi prezantohemi dhe i shpjegojmë arsyen pse duam ta takojmë, ai na lutet të presim për disa çaste në mënyrë që të shohë axhendën personale.
Të ketë, vërtet, prifti i Pukës një axhendë?, – mendojmë djallëzisht ne, “punëmëdhenjtë” e Tiranës, duke pritur për disa sekonda përgjigjen e tij: “Sot nuk mund t’ju pres sepse kthehem vonë nga Arrëza, por nëse vini nesër, ejani në orën 11:00 në kishën e Kçirës”.
E nesërmja na gjen përsëri në rrugë. Bën ftohtë. Bora dhe ngricat na shoqërojnë menjëherë sa kalojmë Laçin e Vaut të Dejës e deri në Kçirë, ku arrijmë me 45 minuta vonesë. Dom Xhovani na priste anës rrugës, mbështetur mbi timonin e një fuoristrade të bardhë. Dukej sheshit që ish mësuar me moskorrektesën e shqiptarëve dhe, në axhendën e vet, me siguri kishte llogaritur edhe vonesat.
Nuk na duhet shumë kohë për të vërtetuar se ky prift, jo vetëm që ka një axhendë, por mjaft të ngjeshur, madje. Në bllokun e tij ka më shumë se tetë aktivitete apo takime të programuara, që më pas arshivohen në dokumentacionin e dioqezës ku ai bën pjesë. Përfytyrimi ynë për njeriun që do të takonim fillon e ndryshon në një kahje krejt tjetër.
Famullitari i Kishës së Kçirës
Fshati Kçirë ndodhet në anë të rrugës për në Pukë, rreth 8 km para qytetit. Ne na duhet të parkojmë makinën në rrugën kryesore dhe të zbresim në një shteg plot me borë, në të majtën tonë, për të shkuar në kishën e fshatit. Në ecje e sipër, Dom Xhovani na shpjegon për mënyrën e ndarjes dhe administrimit të Kishës Katolike në Shqipëri. “Janë gjithsej gjashtë dioqeza dhe kisha e Kçirës bën pjesë në atë të Sapës, ndërsa unë jam famullitari i saj”, – thotë ai. Por puna ime nuk mbaron këtu. Unë mbuloj një hapësirë më të gjerë. Jam meshtar në shumë kisha të zonës, – dhe fillon na numëron: kisha Zoja e Papërlyme në Pukë, kisha e Zemrës së Krishtit në Pla, në Shkozë, në Bled, pesë kisha në komunën e Çelëzit e me radhë. Ndërkohë, duke ecur e folur nëpër borë, kemi arritur në Qendrën “At Mëhill Troshani”, një shoqatë jo fitimprurëse e ngritur nga ai rrëzë një kodrine, 100 metra mbi kishën e Kçirës. Një qen i stërmadh Sharri afrohet te gardhi, ndërsa dy pastorë gjermanë fillojnë të lehin sapo shohin të zotin. Përpara na del Dodë Marinaj, koordinatori i qendrës, dhe të gjithë së bashku drejtohemi për nga kisha, në oborrin e të cilës qëndrojnë themelet e kishës së vjetër.


Dom Xhovani është një mesoburrë rreth të 55-ave, me një fizik të fortë, flokëverdhë e me sy të kaltër. Nën rrobat dimërore dhe kapuçin mbi krye, ai s’dallon aspak nga të tjerët, por vetëm kur nis të flasë, ti mund të dallosh se ke të bësh me një njeri jo të zakonshëm. Lindur pranë Milanos, ai u shugurua prift në moshën 23-vjeçare dhe ka shërbyer si i tillë në vende të ndryshme të Italisë. Në Pukë, ka ardhur në vitin 1999. Kur e pyesim se çfarë ndjeu me të marrë emërimin për në Shqipëri, ai na thotë, me një qetësi për t’u admiruar, se nga momenti që kishte pranuar t’i përkushtohej Zotit, prioriteti i tij ishte të donte popullin që i kishte besuar Kisha, ndërsa të tjerat ishin të parëndësishme. “Unë i kam pranuar kushtet qysh në fillim. Shpesh njerëzit më pyesin edhe lidhur me faktin që priftërinjtë katolikë s’mund të martohen, por unë u përgjigjem se ky është rregulli dhe unë i respektoj ato, pa më detyruar kurrkush. Lirinë time e kam lënë në dorën e Zotit”.
A je mërzitur ndonjëherë gjithë këto vjet?, – e pyesim ne me kureshtje. Përgjigja e tij është e drejtpërdrejtë, pa “rrena” siç i themi ne. “Kur mërzitem, shkoj fle gjumë dhe mendoj se nesër do të nisë një ditë e re”. Pastaj na tregon se si mësoi gjuhën shqipe pasi ipeshkvi e kishte paralajmëruar që: “S’po të çojmë për të bërë foto, por të mësosh gjuhën dhe mentalitetin e atyre njerëzve.” Historia e tij ngjall edhe më tepër interesin tonë, veçse kur na thotë që sot, më 13 dhjetor 2012, mbush plot 13 vjet këtu në Pukë, ne emocionohemi me të vërtetë.
Qendra “At Mëhill Troshani”
Qendra “At Mëhill Troshani” është një shoqatë jofitimprurëse e krijuar me iniciativën e Dom Xhovanit, si një projekt spontan që kishte për qëllim nxitjen e banorëve të Kçirës, por edhe më gjerë, për të gjetur tek puna dhe resurset e zonës mënyrën më të mirë në çlirimin e energjive të tyre drejt një të ardhmeje më të mirë. “Kjo tokë mund të jetë shumë e varfër, por është një mundësi që njerëzit ta përdorin dhe të nxjerrin të mira prej saj”, – thotë Dom Xhovani. Filozofia e tij për të ndihmuar njerëzit nuk është falja e thasëve me miell apo ndihmave të tjera që Kisha u jep me bujari besimtarëve të vet. “Kjo vlen, – thotë ai, – për njerëzit e pamundur, të sëmurët, pleqtë, por kurrsesi për ata që janë të aftë për të punuar. S’mund ta ndihmosh dikë nëse i fal një peshk, por mund ta ndihmosh duke i mësuar peshkimin”, deklaron ai me një pamje prej filozofi. Administratori i qendrës, Dodë Marinaj, na tregon se si një ditë Dom Xhovani vjen i revoltuar ngaqë ishte informuar se disa firma italiane ua blinin kërpudhat njerëzve të zonës me një çmim qesharak. “Më tha që ne do ua mbledhim me trefishin e çmimit dhe kështu bëmë. Që atëherë ideja u zgjerua edhe më tej. Ne nxitëm edhe fëmijët të mbledhin fruta pylli si luleshtrydhe, manaferra, thana, boronica, trumbza e plot bimë medicinale në këmbim të një çmimi të arsyeshëm. Pastaj filluam që në tokën e kishës të kultivojmë lloj-lloj pemësh e bimësh duke punësuar mjaft njerëz, katolikë e myslimanë, të cilët filluan të përfitojnë me punën e tyre të ardhura të kënaqshme”.
Më tej, me kalimin e kohës, me një administrim të mirë dhe akteve bamirëse të disa shoqatave në mbështetje të kësaj ideje, aktiviteti i qendrës u zgjerua në përmasat e një sipërmarrjeje.
Në ambientet e saj ne shohim makineri moderne të përpunimit të frutave të pyllit, të falura nga donatorë italianë e austriakë. Pak më poshtë është dhoma e tharjes dhe ambalazhimit të kërpudhave “porcini”, ndërsa në një qilar rrinë varur nëpër çengela me dhjetra kofsha derri të stazhionuara prej tre vjetësh, prej të cilave prodhohet një lloj proshute me shije unike.
Bodrumet dhe magazina kryesore janë të mbushura plot me reçelra fiku, qershie, thane, molle, kumbulle, pjeshke, luleshtrydheje të egër, boronice, mjedre e manaferre. Aty gjen mjaltë lulesh, mjaltë me arra, mjaltë gështenje, mjaltë trumbze, komposto dhe likerna nga më të shumëllojshmet. Në ca shishe si epruveta mbahet raki rrushi, kumbulle, thane, manaferre, raki me sanza (Genziana), raki me lule gjaku e me mente. Më tutje sheh plot kavanoza me turshira nga më të ndryshmet. Nëpër thasë apo në “do” paketime më të vogla që reklamojnë produktet e qendrës, ka plot bimë medicinale si lavandola që shëron rrugët e frymëmarrjes dhe dhimbjet e kokës, lisna për gripin, dy lloje rigonesh, i bardhi që përdoret për gatim dhe i kuqi që shërben si antigripal (njihet si “aj mali”), sherbelë, rozmarinë, mente e lloj-lloj çajrash mali.
Gjithçka është e sistemuar dhe etiketuar me një rregull për t’u patur zili dhe, më e rëndësishmja, që të gjitha janë produkte BIO. “Mundohemi që pesticidet, edhe aty ku mund të përdoren, ne priremi që t’i shmangim”, – na sqaron Dodë Marinaj.
Kemi shtangur para një “arsenali” të tillë mallrash e produktesh gati për t’u shitur dhe natyrshëm na lind një pyetje që përmban doza dyshimi: Mos vallë prifti italian i Kçirës, përveç punëve të Zotit, apo nën petkun fetar, ka gjetur një mënyrë për të përfituar? Këtë pyetje ne nuk ngurruam t’ia bënim ballazi Dom Xhovanit, i cili nuk u mërzit aspak, por edhe nuk shfaqi asnjë tendencë për t’i devijuar. “E di që mund të ketë njerëz që më paragjykojnë. Dikur ju donit të krijonit njeriun e ri, por dështuat dhe në vend të tij krijuat një njeri të deformuar, të mbushur me mosbesim, për këdo dhe për gjithçka. Duhen breza që njerëzit të vijnë në rrugën e Zotit dhe të mendojnë me pozitivitet, dashuri dhe pa paragjykime për njëri-tjetrin. Megjithatë, meqë më bëtë një pyetje të tillë unë do t’ju përgjigjem kështu: Deklaroj se jam i gatshëm që të shkoj tek një noter me cilindo dyshues dhe të firmosim së bashku për të ndarë gjysëm për gjysëm fitimet dhe humbjet që rrjedhin nga aktiviteti i qendrës. Ju garantoj që asnjë nuk do pranonte, sepse qëllimi im nuk është fitimi në vetvete”, – vazhdon të rrëfehet ai para disa laikëve nga Tirana dhe na citon nga Bibla fjalët që Shën Gjoni iu drejtua turmës: “Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu”.
Pas një heshtje të vogël dhe me një ton më të butë, ai e mbyll ligjërimin e tij duke na thënë: “Unë desha vetëm të ndez makinën, sepse jam i sigurt që një ditë ajo do të ecë vetë”.
Ligjërimi i tij duket sikur është i prerë dhe nuk të lejon të bësh koment. Megjithatë ne s’mund të bindemi kaq shpejt. Edhe pse aprovuam me kokë ato ç’ka ai na kujtoi për “njeriun e ri të dikurshëm”, ne përsëri vazhdonim të kishim dyshimet tona, por këtë radhë si gazetarë. Vendosëm që të rikthehemi në Kçirë ditën e dielë për të ndjekur meshën, por qëllimi ynë i vërtetë është të pyesim fshatarët e zonës se ç’mendojnë ata për Dom Xhovanin.
Mesha e së dielës
Është data 16 dhjetor dhe, ashtu siç i premtuam Dom Xhovanit, ne nisemi përsëri në Pukë. Në sallën e kishës së Kçirës besimtarët sapo kanë filluar të zenë vend nëpër stola, ndërkohë që disa murgesha, rrethuar nga fëmijë të veshur me petka kishtare, ndihmojnë për të vendosur në vende të dukshme disa afishe që lajmërojnë se sot është dita e Caritasit.
Pasi ambientohemi nën vështrimin e syve kureshtarë, afrohemi pranë një gruaje që është ulur në mes të katër fëmijëve të saj. Emri i saj është Bardha Gjoni. Pyetjes sonë se ç’mendonte ajo për Dom Xhovanin dhe aktivitetin e qendrës, ajo i përgjigjet me një gegnishte të bukur dhe tingëllonjëse: “Asht’ krejt njeri i mir’. T’gjith’ na e dum shum’ se dhe ai na don’ e na ndihmon me zemën. Shyqyr q’kena nji njeri të till’ e nji ven’ ku me i shit ato pak gjana që prodhojm’ apo q’i mbledhim n’pyll. Nuk di ç’ka me than ma. E bekoft’ Zoti.”
Dy rreshta më tutje shkojmë e pyesim një tjetër besimtare, Flora Keçin e pastaj Gjon Pjetrin. Të tjerët i bashkangjiten bisedës sonë dhe ne e kemi të pamundur të regjistrojmë në letër fjalët e mira për famulltarin e tyre. Dikush na thotë që ai u paguan dritat disa familjeve të varfëra; disa të tjerëve u shlyen detyrimet e listave të ushqimeve dhe dikujt i paguan ilaçet. Disa vajza të reja na tregojnë edhe për aktivitete edukuese dhe argëtuese që Dom Xhovani organizon për të rinjtë. E çfarë mund të bëjë më tepër një famullitar i thjeshtë që edhe pantallonat e tij, sipas banorëve, ka kohë që s’i ndërron, por kujdeset si nënat tona dikur që t’u zgjasë sa më shumë jetën vetëm me një gjilpërë e një fije pe?!
Ora shkon 11:00 dhe Dom Xhovani, i cili sapo është kthyer nga një tjetër meshë, del para besimtarëve me mantelin e priftit në foltore. Të gjithë ngrihen në këmbë dhe mesha ka filluar. Ndryshe nga herët e tjera, prifti i Kçirës u thotë besimtarëve të vet se ndihet i privilegjuar që në mes tyre ndodhen sot edhe disa gazetarë nga Tirana. Nuk e fsheh që ishte i surprizuar, sepse nuk ishte i bindur që ne do riktheheshim vetëm për një meshë. A nuk kishte ndodhur njëlloj dhe me ne, disa ditë më parë, kur nuk kishim besuar se do gjenim në Pukë një prift të jashtëzakonshëm?
Jetojmë në një vend të vogël dhe e njohim shumë pak njëri-tjetrin. Përhumbur në atmosferën e meshës dhe përfshirë si me magji në njëmendësinë e atyre njerëzve të thjeshtë, na kujtohet shprehja e Dom Xhovanit: “Njerëzit, ndonjëherë, mendojnë që është më mirë një kasolle në Tiranë, sesa një pallat në Pukë.”
Ishte hera e parë që ne u ndjemë pukianë.
http://www.shije.al/produkte-puke-te-bekuara-nga-zoti/
Per “Alba – Dansk” Shkodrani








Leave a Reply