•Tahiri te Ministria e Brendshme, Ditmir Bshati te Ministria e Jashtme, Erjon Veliaj te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Klajda Gjosha te Integrimi, janë disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar Rama.
Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka publikuar sot anëtarët e kabinetit qeveritar.
Qeveria e re e Shqipërisë 2013 – 2017
Kryeministër
Edi RAMA
Zv/Kryeministër
Niko PELESHI
1. Ministër i Financave
Shkëlqim CANI
2. Ministër i Brendshëm
Saimir TAHIRI
3. Ministre e Mbrojtjes
Mimi KODHELI
4. Ministër i Jashtëm
Ditmir BUSHATI
5. Ministre e Integrimit Europian
Klajda GJOSHA
6. Ministër i Drejtësisë
Nasip NAÇO
7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Arben AHMETAJ
8. Ministër i Energjisë dhe Industrisë
Damian GJIKNURI
9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Edmond HAXHINASTO
10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Eglantina GJERMENI
11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave
Edmond PANARITI
12. Ministër i Shëndetësisë
Ilir BEQJA
13. Ministre e Arsimit dhe Sportit
Lindita NIKOLLA
14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Erion VELIAJ
15. Ministre e Kulturës
Mirela KUMBARO-FURXHIU
16. Ministër i Mjedisit
Lefter KOKA
17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ilirian CELIBASHI
18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike
Milena HARITO
19. Ministër për Çështjet Vendore
Bled ÇUÇI
Fjala e Ramës
Sot dua t’ju njoh me emrat e ministrave të qeverisë së re të Shqipërisë.
Po lejomëni më parë, disa konsiderata.
Qeveria e re në nivelin e saj të parë do të jetë mishërim i boshtit strategjik të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”;
I vizionit tonë politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe më shumë përgjegjësi më të rinjve;
I vullnetit tonë qytetar për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile;
I programit tonë qeverisës për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.
Qeveria e re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, po tryeza e punës së palodhur, për të justifikuar me përkushtimin më të madh pritshmërinë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si kryeministër.
Qeveria e re është mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më mirë të detyrave brenda maxhorancës plebishitare të 23 qershorit. E cila do të ketë vetëm një pjesë të vetën pa mandat deputeti në ekzekutiv, ndërsa pjesën tjetër me mandatin e fortë të 23 qershorit në sallën e Kuvendit, për të kthyer në ligj reformat e Rilindjes.
Qeveria e re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e LSI, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Kemi punuar së bashku me qetësi e durim për të ndërtuar një grup njerëzish të përshtatshëm për idenë e një qeverie që duhet të punojë si skuadër, nga dita e parë në ditën e fundit.
I jap shumë rëndësi këtij momenti dhe e nënvizoj, qeverisja që duam do të duhet në radhë të parë të mishërojë vlerat e punës në skuadër, përballë sfidave të jashtëzakonshme që duhet t’i fitojmë medoemos për të mirën e shqiptarëve.
Mjaft më me procesin qeverisës të copëzuar në parcela interesash partiake e vetjake ku s’e merr vesh i pari të dytin, e me mandatet qeverisëse ku qeveria bëhet trup i vetëm për të sharë opozitën në parlament.
Të mos e harrojë askush që do të na gjykojë që nga sot e deri ditën e fundit, atë që unë nuk do ta harroj asnjëherë që nga dita e parë e fitores sonë plebishitare: Shqiptarët nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër me një tjetër dhe një qeveri me një tjetër. As për të ndryshuar kahun politik të qeverisjes. Po për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë duke filluar nga ndryshimi i modelit qeverisës; I vijës sjelljes së kryeministrit e të ministrave me publikun e me interesin kombëtar e publik; I raportit me të vërtetën, me votuesit dhe me ligjin.
Për t’i paraprirë këtij ndryshimi qysh në përzgjedhje, kemi ndërtuar një skuadër me thuajse 90% të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore, dhe me më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë të marra së bashku në këto njëzet vjet.
Për mua këto dy risi të mëdha janë shprehje te diktuara prej revolucionit me votë të 23 qershorit.
Pas pak do të dëgjoni emra që mbase mund të mos prisni t’i dëgjoni apo nuk do të dëgjoni emra që mbase prisni t’i dëgjoni. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë si të dhëna me tapi vetëm për burra, apo do të dëgjoni emra të rinjsh që do të marrin patate shumë të nxehta në dorë.
Por gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për t’u gjetur punëve njerëzit dhe jo njerëzve punë. Për të pasur ministra që në përgjegjësinë e tyre personale do t’i shërbejnë popullit dhe që do të punojnë ditë-natë me një axhendë të vetme: Axhendën e Qeverisë së Re për të ecur më shpejt në rrugën e një Rilindjeje Shqiptare.
Por njëkohësisht, në kushtet e ndarjes së mandateve është menduar me kujdesin më të madh, për të mos e zbrazur sallën e Kuvendit nga zërat e përvojës parlamentare dhe për t’i dhënë eksperiencës rolin që i takon në komisionet parlamentare.
Kështu që asnjë ekuivok: Qeveria s’mund të kryejë me sukses misionin e vet, pa një trupë parlamentare që të çojë përpara me ritëm e cilësi procesin legjislativ. Prandaj edhe risia e madhe e ndarjes së mandateve, duhet parë si zanafilla e një transformimi të thellë të ekzekutivit e të legjislativit dhe të marrëdhënies mes tyre.
Sidoqoftë, duke e lënë në gjykimin tuaj e të publikut shijen e këtij fruti të parë të punës sonë të pas 23 qershorit, dua t’ju siguroj ju dhe publikun për një gjë: Detyra e kryeministrit do të jetë imja po pushteti do të jetë i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder e duar të pastra popullit të vet.
Rama me gazetarët
Çfarë niveli përgjegjësie do ketë avokat Spartak Ngjela?
Avokati Ngjela e ka marrë përgjegjësinë kohë më përpara dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme dhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakort për pozicionin.
Ju keni deklaruar se keni një marrëveshje me të.
Kemi pasur marrëveshje, dhe ne ia kemi propozuar dhe ai e ka refuzuar me lartësinë që e karakterizon.
A mund ta dimë se çfarë posti i keni propozuar?
Të mos kalojmë në kuadër të thashethemeve kalojmë tek pyetja tjetër.
Po ju nuk e krijuat një Ministri Emigracioni ashtu siç e premtuat?
Nuk kam bërë premtim për Ministri Emigracioni mbase e ngatërroni me partinë çame.
Cili do jetë kriteri themelor i qeverisjes suaj? Mos keni shpërfillur aleatët?
Kriteri themelor do të jetë ai që thashë me nder e duar të pastra në nder të popullit shqiptar. Dua t’ju siguroj se me Vangjel Dulen kemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe PBDNJ do jetë partner në mirëqeverisje.
Kemi çmuar se barra e mandatit të 23 qershorit është një barrë që ia ka dhënë PS dhe LSI për ta çuar së bashku në drejtim të BE-së. Nuk është shpërfillje ndaj aleateve por dhe përgjegjësi e imja si kryetar i kësaj mazhorance.
Kreu i ri i PD ka kërkuar transparencë për zgjedhjet. Si i përgjigjeni?
Ne kur ishim në opozitë kemi bërë një luftë madhore ti sigurojmë opozitës sot atë që opozita e djeshme nuk e pati dje. Hap kutitë ka qene deviza e luftës sonë dhe u hapën përmes atij institucioni të KQZ-së që ne na e privoi. Por ne nuk do ia privojmë asnjë të drejtë opozitës.
Aplikimet e CV-ve online
Në lidhje me aplikimet e CV-ve online, Rama u shpreh se “pasuria më e madhe e një populli nuk është uji, deti, por dija. Vendi e ka të domosdoshme të inventarizojë kapitalin njerëzor dhe të ftojë burimet më të mira, që të marrin pjesë në drejtimin e vendit. Deri sot këto janë bërë nga partitë dhe askush nuk është skandalizuar. Dilte një gjysmë analfabet që tundej si flamur dhe emëronte, shkarkonte njerëz. Majfton të shohësh batërdinë, që iu bë LSI pasi doli nga qeverisja e vendit. Por kjo është çështje që e ka zgjidhur populli shqiptar në 23 qershor”, shpjegoi Edi Rama.
Ai shpjegoi se “ne nuk po mbledhim kurrikulume nga partia për partinë, por po mbledhim burime njerëzore, që do jenë baza e të dhënave për kapitalin njerëzor të këtij vendi, që do jenë pronë e qeverisë për të gjitha kohërat që vijnë. Kërto cv nuk merren që të fusin njerëzit nëp unë, pro për të pasur proces transparent me njerëzit kur ka vende të hapruia puna. Pse konkurset duhet të jenë vetëm privilegj i atyre që kanë bllokun e emrave të tij, por konkurse që të kenë dijeni të gjithë, drejtpërdrejt. Nuk e kemi shpikur ne, ne vetëm marrim përsipër të sjellim në Shqipëri praktikat më të mira.
Luis Tanushi
-Kryeministri Edi Rama pritet që të publikojë sot rreth orës 11 anëtarët e kabinetit qeveritar. Ashtu siç kishte premtuar, kreu i ardhshëm i qeverisë ka vendosur që të shpallë emrat e rinj ditën e fundit të korrikut duke zgjidhur edhe dilemën më të madhe për bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për katër vitet në vijim. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se pjesën më të madhe të ministrive do ta ketë Partia Socialiste, ndërsa ashtu siç pritej, jo më pak e shpërblyer do të jetë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Do të jenë disa ministra tepër të rëndësishëm që do të drejtohen prej kësaj të fundit, edhe pse Rama ka preferuar që disa prej dikastereve kryesore si shëndetësia, arsimi, rendi, t’i drejtojë direkt PS-ja, për shkak të reformave rrënjësore që janë premtuar në këto fusha. I sigurt në krye të Ministrisë së Financave do të jetë Shkëlqim Cani, i cili ka qenë edhe Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Për shkak të kriminalitetit të rritur, Rama ia ka besuar një prej deputetëve të tij më të besuar si Sajmir Tahiri, i cili drejtoi suksesshëm edhe fushatën e kësaj force në Qarkun e Tiranës, do të jetë Ministër i Brendshëm. Diplomacia do t’i besohet ish-kryetarit të Komisionit parlamentar të Integrimit në legjislaturën e kaluar, Ditmir Bushati, i cili është parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit që të shoqërojë kryetarin Edi Rama në turin e tij të takimeve me liderët e Europës. Ndërsa Ministria e Integrimit do të drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Klajda Gjosha do të udhëheqë procesin e integrimit të vendit në bisedimet me Bashkimin Europian. Deputeti i porsazgjedhur në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj, do të drejtojë Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ashtu siç pritej, Milena Harito do të jetë një nga tre ministrat e shtetit. Më konkretisht, deputetja Harito do të jetë ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike. Ditën e sotme pritet që të zbardhet i plotë i gjithë kabineti i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, ndërsa pritet që të bëhet publik edhe programi qeverisës i së majtës pas përfundimit të diskutimeve midis grupeve të punës PS-LSI.
Struktura e qeverisë
Organigrama e qeverisë së re do të ketë 16 ministri nga 15 që janë aktualisht, ndërsa janë shtuar edhe tre ministra pa portofol. Qeveria do të ketë një zv/kryeministër që nuk do të ketë asnjë post tjetër. Ministria e Ekonomisë do të ndahet në dy dikastere, atë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Energjetikës e Industrisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pritet të mbulojë sektorët e zhvillimit rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit dhe, mbi të gjitha, do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pritet që të mbulojë me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë. Edhe Ministria e Transporteve do të ndahet në 2, e Transportit dhe Zhvillimit te Infrastrukturës si dhe në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Kabineti i ri do të ketë dhe tre ministra, atë për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministrin për Çështjeve Vendore si dhe ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin. Përsa sa i takon Ministrisë se Financave, asaj te Brendshme, te Mbrojtjes, Ministrisë se Jashtme, asaj të Mjedisit, Integrimit dhe Ministrisë se Drejtësisë, reforma e thelle strukturore do te jete brenda tyre pa prekje te jashtme. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se kabinetet do të kenë 1-2 zv.ministra, në ndryshim nga kabineti i qeverisë Berisha i cili është i tejmbushur me 31 zv. ministra. Vetëm Ministria e Brendshme ka 3 zv.ministra , ndërsa Ministria e Kulturës plot katër të tillë, duke kënaqur të gjithë aleatët e tij të vegjël. Kryeministri deklaroi se kabineti i ri qeveritar do t’i nënshtrohet një reformimi dhe ristrukturimi do të ketë reformim, ristrukturim dhe ndarje të fokusit të punës, me qëllim efikasitetin e lartë dhe shkurtimin e shpenzimeve.
Shekulli
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply