Autobusi u rrëzua mbrëmë natën në një përrua të thellë, në afërsi të qytetit Monteforte Irpino.
Të afërmit e personave që humbën jetën në aksidentin e autobusit në Italinë jugore u mblodhën sot jashtë palestrës së një shkolle, ku janë vendosur trupat e viktimave.
Të paktën 37 veta gjetën vdekjen mbrëmë kur autobusi ra nga një lartësi prej 30 metrash gjatë udhëtimit në një autostradë kryesore.
Autobusi u rrëzua mbrëmë natën në një përrua të thellë, pasi u përplas me disa automjete që kishin ngadalësuar shpejtësinë për shkak të trafikut të dendur. Udhëtarët ishin nga disa qytete të vogla pranë Napolit dhe po ktheheshin në shtëpitë e tyre pas një ekskursioni.
“Unë pashë se si mjekët dhe zjarrfikësit përpiqeshin për të nxjerrë trupat. Pashë mjekët me batanije plot gjak. Ishte e tmerrshme,” thotë Antonio De Stefano, Kryetar bashkie i Monteforte Irpinos.
Ekipet e emergjencës që shkuan në vendin e ngjarjes thanë se 11 njerëz ishin shpëtuar dhe ishin dërguar në spital, disa prej tyre me plagë të rënda.
Sipas njoftimeve, në autobus kishte rreth 50 vetë – kryesisht italianë. Mjeti goditi një barrierë anësore dhe u rrëzua në humnerë nga një lartësi prej 30 metrash, pranë një zone me pemë. Gjatë rënies, ai shkatërroi një pjesë të mirë të barrierës prej betoni. Sipas policisë, shoferi i autobusit ishte mes viktimave.
Autobusi humbi kontrollin në afërsi të qytetit Monteforte Irpino në një zonë kryesisht bujqësore rreth 60 kilometra larg Napolit.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply