Era e dimrit nisi të frynte si e tërbuar që në fillim të nëntorit. Ajo vinte nga majat e larta të mbuluara me borë, duke ulëritur nëpër lugina dhe duke thyer çdo gjë që i dilte përpara. Ishte një erë e akullt, e pamëshirshme, që mburrej se mund të gjunjëzonte çdo krijesë të natyrës.
Në mesin e një lëndine të madhe, qëndronte Lisi i fortë. Ai ishte një pemë shekullore, me rrënjë që depërtonin thellë në zemrën e tokës dhe me degë të trasha që shtriheshin drejt qiellit si krahë gjiganti. Lisi kishte parë dhjetëra dimra, por këtë herë, Era e dimrit të madh kishte vendosur me mendjen e saj se do ta shkatërronte plotësisht.
— “Përulu para meje!” — ulëriti Era, duke u përplasur me të gjithë forcën mbi kurorën e tij.
Flokët e parë të dëborës filluan të binin, të ngrirë e të mprehtë si gjilpëra. Era frynte nga veriu, pastaj kthehej nga lindja, duke e goditur Lisin nga të gjitha anët. Ajo donte t’i shkulte rrënjët, t’i thyente degët dhe ta shihte të shtrirë përtokë, nëse do të mundte.
Lisi nuk lëvizi. Ai thjesht psherëtiu nëpër gjethet e tij të thata që ende mbaheshin fort nê degêt e tij.
Ai e dinte se sekreti i forcës së tij nuk ishte te rezistenca e verbër, por te lidhja e tij me tokën. Sa më shumë që Era e godiste nga lart, aq më fort kapeshin rrënjët e tij pas shkëmbinjve nëntokësorë.
Nata erdhi e zezë dhe e ftohtë. Stuhia arriti kulmin. Pemët e tjera më të vogla rreth lëndinës filluan të këputeshin e të dorëzoheshin. Rrapet e rinj e plepat e gjatë përkuleshin deri në tokë duke qarë. Por Lisi qëndronte si një kështjellë. Madje u jepte zemër dhe kurajo edhe pemëve tê tjera.
Kur Era e godiste me egërsi, ai përkulej pakëz – aq sa për të mos u thyer – dhe pastaj kthehej përsëri drejt, me dinjitet.
— “Pse nuk dorëzohesh?” — thirri Era e lodhur, zëri i së cilës filloi të mekej kur po afronte agimi. “Kam shkulur male e kam ngrirë lumenj, e ndërsa ti po qëndron ende në këmbë!”
Lisi i u përgjigj me një zë të qetë e të thellë që ngjante me murmurimën e tokës:
— “Ti ke vetëm shpejtësinë dhe tërbimin e një çasti, o Erë. Ti thyen ato që përulen kur shikojnë egërsinë tënde të pamëshirshme. Unë kam kohën, durimin dhe rrënjët e thella e tê forta.
Ti kalon, por unë mbetem.”
Kur dielli i parë i mëngjesit doli pas reve të dëborës, stuhia kishte pushuar. Lisi i fortë kishte humbur disa degë të vjetra dhe trupi i tij ishte mbuluar nga akulli, por ai qëndronte krenar dhe madhështor në mes të lëndinës. Era e dimrit të madh kishte ikur, e mundur nga qëndresa e tij e pathyeshme.
Pranvera i ktheu Lisit gjelbērimin e tij dhe ai e shihte veten edhe më të fortê nê mes të pemëve, që e kishin parê qëndrimin e tij me Erên e tërbuar.
Lulet e lëndinës i dhuronin aromēn dhe bukurinë e tyre Lisit shekullor.
Burimi/Facebook


Leave a Reply