KISHA KATOLIKE NE SHKODER MESAZH QEVERISE E BASHKISE SHKODER: REFLEKTONI E MERRNI PERGJEGJESITE. PAKENAQESIA NE KULM
MESAZHI:
Kisha Katolike nuk pretendon të zërë vendin e institucioneve civile dhe as synon të ngatërrojë fushat dhe rolet përkatëse. Por çdo besimtar, i krishterë apo mysliman, si qytetar, është i thirrur ta jetojë me përgjegjësi qytetarinë e vet, duke sjellë në shoqëri dritën e besimit të tij përmes zgjedhjeve, punës, ndershmërisë dhe shërbimit të tij. Besimi nuk na largon nga qyteti, por na bën më të përgjegjshëm për të; besimi nuk na shkëput nga jeta e bashkësisë, por na nxit të marrim pjesë me më shumë vetëdije në ndërtimin e së mirës së përbashkët.
Në këtë frymë, Kisha, sa herë që ndërhyn publikisht për çështje që prekin jetën dhe të mirën e përbashkët, udhëhiqet nga përgjegjësia e saj morale dhe ungjillore për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më njerëzore.
Edhe përballë krizës shoqërore me të cilën po përballet këto ditë vendi ynë, bashkësitë fetare nuk mund të qëndrojnë indiferente. Përkundrazi, ato kanë përgjegjësinë të kontribuojnë në formimin e ndërgjegjes së qytetarëve, në mënyrë që vendimet e atyre që ushtrojnë përgjegjësi publike të orientohen drejt së mirës së të gjithëve.
Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura. Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personale.
Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj.
Në këtë drejtim, domethënës është edhe termi që përdoret për të treguar qendrën e jetës qytetare: “Bashkia”. Fjala bashkia shpreh pikërisht atë që është e përbashkët, atë që u përket të gjithëve dhe për të cilën të gjithë jemi të thirrur të kujdesemi.
Qyteti është një e mirë e përbashkët, pra u përket të gjithëve. Qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij. Nuk u përket vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike. Nuk u përket vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Shkodra nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Shkodra u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Shkodra është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për të.
Duhet të theksojmë edhe se qytet nuk ndërtohet vetëm në tryezat e zyrave publike, por ndërtohet çdo ditë në familje, në shkolla, në vendet e punës, në shoqata, në bashkësitë fetare dhe në organizatat e shoqërisë civile. Qyteti ndërtohet përmes mënyrës se si e pranojmë njëri-tjetrin, se si i respektojmë hapësirat e përbashkëta dhe se si i edukojmë fëmijët tanë. Një qytet ndërtohet edhe përmes gjesteve të vogla të ndershmërisë, vëmendjes dhe solidaritetit. Askush nuk duhet t’ua kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta.
Por kjo përgjegjësi na përket edhe neve si Kishë. Famullitë, bashkësitë rregulltare dhe institucionet tona janë të thirrura të jenë vende dëgjimi, mikpritjeje dhe afërsie ndaj njerëzve.
Natyrisht, kjo përgjegjësi u përket në mënyrë të veçantë atyre që kanë marrë një mandat publik. Juve, përfaqësues të institucioneve civile, dëshiroj t’ju shpreh edhe në këtë rast respektin dhe mirënjohjen time për shërbimin që jeni të thirrur të kryeni. Por, duke iu referuar traditës së krishterë, ju kujtoj se autoriteti e gjen dinjitetin e vet në shërbim: autoriteti është, para së gjithash, përgjegjësi dhe jo privilegj. Kush merr një përgjegjësi publike është i thirrur t’i shërbejë shoqërisë dhe ta ruajë të mirën e përbashkët.
Prandaj, institucionet duhet të kenë gjithmonë parasysh jo vetëm shifrat dhe projektet, por njerëzit konkretë: familjet në vështirësi, të rinjtë në vështirësi që e shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut, të moshuarit e vetmuar, të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara. Prandaj, një shoqëri tregon madhështinë e saj kur di t’u japë zë edhe atyre që askush nuk i dëgjon. Çdo person, pavarësisht gjendjes apo mundësive të tij, ka dinjitet dhe të drejtën për t’u dëgjuar e për të kontribuar në të mirën e përbashkët.
Nëse duam ta kuptojmë vërtet qytetin tonë, duhet të mësojmë ta shohim jo vetëm nga qendra, por edhe nga periferitë e tij, si ato gjeografike, ashtu edhe ato njerëzore e shoqërore. Pikërisht aty duhet të dëgjohet zëri i atyre që kërkojnë më shumë drejtësi dhe barazi shoqërore, mundësi të barabarta për arsimim dhe kujdes shëndetësor, si dhe shërbime sociale të drejta e të barabarta për të gjithë, pa korrupsion dhe favorizime
Burimi/Facebook/Portali i Veriu Sot


Leave a Reply