Kjo nuk është më thjesht një rënie politike apo shoqërore, por një tragjedi kombëtare që po na gërryen e po na konsumon çdo ditë e nga pak. Po jetojmë në një teatër absurd ku e vërteta vritet me paramendim, ndërsa publikut i jepet opiumi i radhës për të harruar atë që ka vërtet rëndësi. Tragjedia jonë më e madhe është se kur shteti shkatërrohet, kur paratë publike tjetërsohen pa mëshirë dhe kur emrat e pushtetarëve dalin në dosje të zeza korrupsioni e krimi, ekrani nuk ndriçon të vërtetën, por mbushet me banalitetin më të ulët.
Industria e videove eksplicite, e thashethemeve rozë dhe e sekreteve të shpifura nuk është një dështim i rastësishëm i etikës mediatike, por një strategji e ftohtë, e llogaritur dhe e egër e shpërqendrimit masiv. Ata që vjedhin të ardhmen e këtij vendi ushqejnë ekranet me turp, sepse e dinë mirë se një popull i mpakur e i shpërqendruar nga banaliteti është një popull që nuk proteston dot. Më e dhimbshme akoma është se ata që duhej të ishin zëri i të vërtetës — tregtarët e klikimeve dhe servilët e pushtetit — janë kthyer në bashkëpunëtorë të kësaj ploje morale.
Kjo tragjedi bëhet edhe më e thellë kur sheh se si pafytyrësia kthehet në spektakël të natës. Satira e shitur dhe emisionet e humorit nuk guxojnë më të godasin hajdutët e shtetit, por tallen pa mëshirë me qytetarin e lodhur që del në rrugë për të drejtat e veta. Çdo revoltë e jona po kthehet në shaka, çdo dëshpërim ynë në audiencë, dhe çdo skandal i madh po groposet nën një mal me plehra digjitale.
Më e trishta nga të gjitha është pafuqia jonë përballë këtij degradimi, sepse po na mpihet ndërgjegjja. Po mësohemi me të shëmtuarën, me gënjeshtrën dhe me vjedhjen, derisa po e pranojmë turpin si diçka normale. Kur gazetaria vdes dhe kthehet në mjet shpërqendrimi për pushtetin, shoqëria mbetet krejt e vetme, pa mbrojtje, pa zë dhe e dënuar të jetojë nën hijen e atyre që festojnë mbi rrënojat e së vërtetës sonë.
Paulin Maçaj
Shkodër


Leave a Reply