Më 7 tetor 1945, në Tiranë u themelua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, organizatë që bashkonte shkrimtarë, kompozitorë, artistë të arteve figurative dhe krijues të tjerë. E nisur me 70 anëtarë, ajo u shndërrua në një nga institucionet kryesore të jetës letrare dhe artistike në vend.Gjatë periudhës së realizmit socialist, krijimtaria letrare dhe artistike u ndikua nga orientimet kulturore të regjimit. Në kongreset e viteve 1957, 1969 dhe 1984 u përcaktuan drejtimet që duhej të ndiqnin letërsia dhe artet, duke kërkuar respektimin e parimeve të realizmit socialist dhe një nivel më të lartë artistik.
Këto zhvillime u shoqëruan edhe me një veprimtari të gjerë botuese. Përmes gazetës “Drita”, revistës “Nëntori” dhe revistës “Les lettres albanaises”, Lidhja mundësoi botimin dhe diskutimin e krijimtarisë letrare e artistike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në jetën kulturore të vendit.
Pas vendosjes së pluralizmit politik në vitet ’90, Lidhja hyri në një periudhë të re, me ndryshime në jetën kulturore dhe hapësira të reja për shprehjen krijuese.
📚 Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1510-1511.
Burimi/Facebook/Muzeu Historik Kombetar


Leave a Reply