ZVICER – Zvicra ka shuar entuziazmin shqiptar, duke zbritur me këmbë në tokë kuqezinjtë në sfidën e dytë të grupit E, zhvilluar mbrëmë në Lucernë. Në një stadium të ngjyrosur kuqezi, fituese ka dalë skuadra zviceriane e drejtuar nga Otmar Hitcfeld, e cila ka triumfuar 2-0, duke marrë e vetme kryesimin e grupit. Ndeshja është vendosur sërish nga gabime foshnjarake në mbrojtje, ndërkohë që protagonistë ashtu siç pritej, kanë qenë shqiptarët që luajnë me fanelën e Zvicrës. Xherdan Shaqiri ka qenë i papërmbajtshëm, duke treguar se është një futbollist i klasit botëror, ndërsa Xhaka e Behrami i kanë bërë më së miri detyrat e tyre. Një disfatë e hidhur ajo e kuqezinjve, që largon entuziazmin e krijuar pas fitores 3-1 me Qipron dhe tregon se skuadra kombëtare ka ende shumë punë për të gjetur ekuilibrat e saj.
Ndeshja nisi me një Zvicër agresive, por i pari që rrezikoi ishte Alban Meha me një goditje nga 35 metra, që u grushtua nga portieri Diego Benaljo. Në minutën e 23-të, një gabim në mbrojtje i Mavrajt dhe Canës, por edhe një prekje me dorë nga Shaqiri, solli golin e parë për Zvicrën me autor lojtarin kosovar nga Gjilani. Zvicerianët kanë lëshuar disi në lojë, por Shqipëria ka krijuar shumë pak në sulm. Në minutën e 38-të, Xhaka për pak dyfishon shifrat, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Në pjesën e dytë, De Biazi largon Bogdanin e Vilën, për Çanin dhe Roshin, megjithatë Zvicra ka qenë shumë e kujdesshme. Minuta e 67-të sjell gabimin tjetër në mbrojtje, ku Dallku ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Stoker dhe arbitri rumun jep penallti. Inler e dërgon topin në rrjetë për herë të dytë, duke vulosur shifrat. 10 minuta para fundit, Lorik Cana për pak nuk shënoi me një gjuajtje nga jashtë zonës, por portieri Benaljo ka grushtuar. Ndeshja u mbyll kështu, me Zvicrën që ka marrë tre pikë të tjera, duke u ngjitur në kuotën 6, ndërsa Shqipëria mbetet në kuotën e 3 pikëve.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply