Publikimi dhe shpërndarja e videove intime të këngëtarëve dhe personazheve të shoubizit që mbushën rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve është pa dyshim diçka e ndyrë. Publikimi i mëkateve të fshehta të tjetrit, kur kjo nuk lidhet absolutisht me asnjë interes apo përgjegjësi publike, është mëkat edhe më i madh se vetë ajo që publikohet.
Dëshira për tiu futur të tjerëve në krevat e për ti shikuar ata në momente intime, është perversion dhe ata që e bëjnë këtë janë perversë. Por përdorimi i këtij perversioni si instrument për të goditur dhe denigruar figurën e tjetrit, duke ua hedhur atë turmave për ti shqyer është, përveç kësaj, edhe poshtërsi. Ata që kënaqen duke turpëruar të tjerët, duke iu nxjerrë atyre sekretet pa pyetur për faktin se, përtej dobësive, ata kanë fëmijë, prindër, familje, sigurisht që janë njerëz me probleme të thella morale.
Nëse dikush diskuton sot mbi kurvërinë, kurvëria më e madhe është pikërisht publikimi dhe shpërndarja e këtyre videove. Sado i pavirtytshëm të jetë veprimi i personazheve të filmuara, në momentin që denigrohen publikisht, kthehen në viktima dhe debati mbi moralin e tyre nuk ka asnjë vlerë. Imoraliteti real që duhet dënuar është ai i agresorëve të cilët publikuan videot, si dhe kujtdo që hodhi gurin e vet në këtë poshtërsi, qoftë edhe me një koment të pamenduar në rrjete sociale.
Edhe në tekstet e shenjta dënohet ashpër publikimi i mëkatit. Në traditën profetike myslimane transmetohet se të gjithë besimtarëve do t’iu falen mëkatet përveç atyre që i publikojnë ato, dhe se kush ua mbulon mëkatet të tjerëve Zoti do t’ia mbulojë atij mëkatet e veta në ditën e gjykimit.
Nevoja për të masakruar tjetrin publikisht është tregues i një perversioni të brendshëm të njerëzve që vuajnë nga boshllëku i jeteve të tyre dhe helmimi i brendshëm nga ndjenja e të qenit dështak. Fakti që kjo shoqëri kultivon kaq shumë helm, tregon për një psikozë sociale nën peshën e një boshllëku të thellë kulturor.
Një shoqëri që nuk mbron dinjitetin njerëzor, që nuk reagon ndaj denigrimit të figurës së tjetrit dhe nuk e dënon përhapjen e poshtërsive të tilla, por ku gjithkush turret të bëhet spektator apo edhe pjesëmarrës në spektaklin e poshtërimit publik të tjerëve, është një shoqëri e mbërthyer nga instiktet më primitive, e cila nuk mund të bëjë përpara.
Burimi/Facebook


Leave a Reply