QËLLOVA NË NJË ambient diskutimi me tre profesorë të angazhuar në universitete perëndimore. Njëri prej tyre ishte serb, kurse dy të tjerë nga shtete të BE-së.
Serbi fillimisht nuk e kishte kuptuar se unë isha shqiptar.
„Mirë që Perëndimi dhe SHBA-ja ka filluar tash ta kuptojë se sa i ka hyrë në hak serbëve. Na kanë sakatuar, krejt viteve ’90 kanë qenë kundër nesh… Na bombarduan edhe shtetin, duke e thyer ligjin ndërkombëtar. Na morën Kosovën“, po na mbante leksion serbi.
„Edhe këtë e dëgjova“, s’u përmbajta. „Erdhi dita që serbët të shiten viktima dhe Perëndimi të heshtë“.
Dy profesorët perëndimorë – asnjë fjalë.
„More ju serbët i keni shkaktuar katër lufta në ish-Jugosllavi. Ju keni bërë që 130 mijë njerëz ta humbin jetën. Me miliona kanë lëshuar vendin e tyre. Me vjet e keni mbajtur të rrethuar Sarajevën dhe keni mbytur civilë me granatime e snajperë. Me mijëra gra i keni dhunuar në mënyrë sistematike. Në Kosovë, qysh në vitet ’90, na kishit hedhur jashtë vendeve të punës dhe jashtë shkollave veç pse ishim shqiptarë. Kur përfundoi gjithçka me Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni, u kthyеt në Kosovë edhe vratë fëmijët e gratë e familjes Jashari e plot masakra të tjera. Në fund shtetet më demokratike të botës u çuan dhe ju bombarduan se bëtë masakra, dogjët, dëbuat. Latë mijëra të vrarë, gati një milion të dëbuar prej Kosovës“, po ia numëroja krimet.
„Mos më lodh! Përralla! Asgjë s’kemi bërë çka është dashur të bëjmë“, tha me mllef.
„Ti s’qenke normal! A e di ti që nuk ka një familje në Kosovë që nuk është prekur nga krimet e Millosheviqit, krimet e pushtetit tuaj. Unë jam gjeneratë që kam shkuar në shkolla shtëpi veç pse kam qenë shqiptar, më janë përjashtuar nga puna prindërit, më janë vrarë familjarë, më është djegur shtëpia, më është dëbuar familja…“.
„I kemi dëgjuar këto shpesh“, ma ktheu, pa e prishur terezinë. „A po thoni që bota perëndimore ka sjellë drejtësi me bombardimet ndaj Serbisë. Ja tash kjo botë demokratike e ka parë se ka gabuar dhe ka filluar t’i korrigjojë gabimet e veta“
„Jo, unë me njerëz si ti nuk diskutoj. Ti qenke vetë kriminel, the që pak ju kemi bërë çka është dashtë t’ju bëjmë. Dmth pak ju kemi vrarë sa është dashur!“
Ma ktheu:
„Jo, unë me ty nuk diskutoj. Ju jeni kriminelë. Tash po dalin gjërat… E kanë parë edhe këta (shtetet perëndimore) se kush keni qenë ju. Ne serbët nuk e kemi asnjë president të dënuar për krime lufte në Kosovë, ju shqiptarët po!“
Njëri, nga dy profesorët e huaj u kthye nga unë:
„Unfortunately, he has a point!“
Eca.
PËR ATA QË kanë harruar, Slobodan Milosheviq vdiq në Hagë, para se t’i shqiptohej verdikti. Milan Milutinoviq u lirua si i pafajshëm.
Kushdo që mendon se verdikti dënues i Trupit Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë mund të shihet vetëm si dënim i individëve dhe jo ish-krerët e lartë të UÇK-së dhe Ish-Presidentin dhe dy ish-Kryetarë të Kuvendit nuk merr shumë erë në luftën e narracioneve.
Serbët po shiten si viktima. Ky është narracioni që po bëhet përpjekje të shtyhet përpara. Po synohet të tjetërsohet e vërteta historike dhe faji.
Nëse shqiptarët sot nuk arrijnë të bashkohen dhe ta kuptojnë qartë se çka na ka ndodhur – akti final duke qenë dënimi në shkallë të parë ndaj Katërshes së Madhe të luftës për liri – nuk do të dinë as edhe si të mundohen ta përmirësojnë.
©️ Adriatik Kelmendi, gazetar
Burimi/Facebook/Puls News


Leave a Reply