I pambrojturi ministër i Mbrojtjes, z. Nufi,Deklarata juaj në korrikun e vitit 2026, se Shqipëria, siç ju thoni, ka kontraktuar 3 avionë zjarrfikës dhe ata do të jenë pjesë e strukturave të mbrojtjes brenda vitit, po kthehet në gënjeshtrën e vitit të tretë radhazi, nga 3 ministra të mbrojtjes radhazi.
Ish-ministri i Mbrojtjes, z. Peleshi, sot Kryetar i Kuvendit të legjislaturës më të turpshme në 36 vite, deklaronte në janar 2023 se qeveria do të blinte 2 avionë shumërolesh, të përdorshëm edhe për zjarret.
Vjen gushti 2025. Ish-ministri i Mbrojtjes, z. Vengu, sot deputet i Kuvendit, i cili mbron Belinda Ballukun nga arrestimi i kërkuar nga SPAK, deklaronte se procesi ishte kryer, avionët janë blerë, por, njësoj si inceneratori i Tiranës, nuk janë fizikisht në dispozicion.
E çfarë ndodhi në verën e 2025?
Më 25 e 26 korrik 2025, në Delvinë u evakuuan nga zjarret mbi 2,000 qytetarë, teksa 3 u lënduan nga djegia dhe asfiksia, ndërsa u dogjën 11 shtëpi dhe një kishë.
Më 12 gusht, zjarret rinisën në Finiq dhe Delvinë, duke rrezikuar spitalin e Delvinës, çka solli ndërprerjen e shërbimeve mjekësore si pasojë e largimit të bombolave me oksigjen dhe pacientëve.
Më 13 gusht, zjarri hyri në lagjen Kasapaj të Delvinës, duke rrezikuar përsëri qytetin, shtëpitë dhe vetë qytetarët. E, para se të flisni për heroizma të zjarrfikësve, më lini të ndaj një dëshmi personale të datës 13 në Delvinë.
Më 13 gusht 2025, ishte një ditë me diell në Shqipëri, përveç Delvinës. Që në orën 11 të paradites, dielli ishte i eklipsuar nga tymi i djegies së qindra hektarëve tokë. I eklipsuar nga djegia e qindra rrënjëve të ullinjve, të investuara me djersë nga qytetarët atje.
Qyteti ishte i boshatisur nga jeta dhe aty gjendeshin vetëm njerëz në hall, të lënë vetëm. Qytetarë, zjarrfikës dhe ushtarë. Njësoj të braktisur nga shteti, njësoj të papërgatitur, njësoj të lodhur nga fikja e zjarreve të vogla që era mbillte në çdo anë të qytetit, e njësoj të dëshpëruar si pasojë e pamundësisë për të ndalur zjarrin e madh që zbriste nga mali në drejtim të lagjes Kasapaj.
Helikopteri i Forcave të Armatosura Shqiptare erdhi 1 herë, 2 herë, 5 herë, por ishte e kotë. Zjarri ishte i madh dhe, kur komunikuam me një efektiv të ushtrisë, kuptuam se tragjedia në pritje e djegies së qytetit mund të paraprihej nga një tragjedi e aksidentimit të helikopterit dhe pilotit, i cili po rrezikonte edhe jetën e tij pa dobi, pasi zjarri ishte më i madh se ç’mund të fikte kova e Ministrisë së Pambrojtur.
Shpëtimi, z. ministër, erdhi nga “agjenturat e huaja”. Po, madje nga ato agjenturat e tmerrshme greke që ndezën edhe protestën në qershor 2026 në Tiranë. “Armiqtë e kombit”, siç i cilëson kryehajduti, hajdutët, maskarenjtë, kriminelët dhe idiotët e dobishëm që mbajnë në këmbë pushtetin e tranzicionit të kalbur shqiptar, shpëtuan qytetin e Delvinës falë aktivizimit të mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së, që solli me urgjencë avionin zjarrfikës grek Canadair CL-415. Me kapacitet ujëmbledhës prej 6,137 litrash dhe teknologjinë unike të avionit, i cili rimbushet në det ose liqene të mëdha pa u ulur, arriti të shpëtojë Delvinën.
Ju, demek patriotët që i keni kthyer dinjitetin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, a nuk keni turp?
A nuk keni turp, i pambrojturi z. ministër i Mbrojtjes, që qeveria juaj, në vitin me humbjet më të mëdha nga zjarri, në 2025, reduktoi fondin e emergjencave civile nga 5.4 miliardë lekë në 3.9 miliardë lekë? Kujt faqeziu ia dha qeveria ato para, teksa Shqipëria digjej në 2025, se këtë vit e kuptuam kush ishte faqeziu që i mori.
A nuk keni turp, i pambrojturi z. ministër i Mbrojtjes, që i komentoni si heronj policët dhe zjarrfikësit që rrezikojnë jetën në fikjen e zjarreve në Krujë dhe Tiranë, sepse qeveria juaj shpërdoron, vjedh dhe abuzon me paratë publike që duhet t’i shkonin emergjencave civile për këto raste.
A nuk keni turp, i pambrojturi z. ministër i Mbrojtjes, që, teksa të gjitha studimet tregojnë rrezikun e shtuar të zjarreve si pasojë e temperaturave që rriten nga viti në vit, vazhdoni të lini të painvestuar mbrojtjen civile e të pamotivuara komunitetet për t’u organizuar në struktura vullnetare.
E pikërisht paturpësia e klasës politike që ju zgjodhi edhe ju ministër të Mbrojtjes po na lë pa mbrojtje të gjithëve. Sepse zjarri, tërmeti dhe përmbytja, kur vijnë, nuk pyesin sa para ke në bankë apo në dollap. Nuk të pyesin a je me apo kundra pushtetit, por vijnë dhe të marrin pasurinë e jetën.
Uroj që Shqipëria të mos shohë kurrë më asnjë fatkeqësi natyrore, por e vërteta është se ato ndodhin dhe studimet thonë se po përshpejtohen në frekuencën e tyre. E, për hir të jetës që më kanë falur, jetës së familjarëve dhe qytetarëve të mirë të këtij kombi, do të duhet që shtetin ta kemi të fortë, të mirëpajisur dhe të gatshëm, që ata heronj të na gjenden vërtet në periudha të vështira e t’i lartësojmë me paga dhe mirënjohje, siç u takon.

Burimi/Facabook/Shqipëria Bëhet


Leave a Reply