Pasi përfunduam punimet në Seminarin XIX Mbarëkombëtar të Mësuesve në Brezovicë, bashkë me bashkëshorten time, Kimeten, shkuam në Pejë (nga ku është edhe ajo me origjinë) për të vizituar prindërit e saj të ndjerë në varrezat e qytetit.
Në Pejë pamë varreza të rrethuara me mur, me një dhomë të veçantë për veglat e punëtorit të mirëmbajtjes. Gjithçka e pastër, ku mund të ecje si në park. Të gjithë të ndjerët pushonin në pastërti e qetësi.
Pas dy ditësh erdhëm në Dibër. Si çdo herë, në mëngjes u bëmë gati dhe shkuam të vizitojmë edhe prindërit e mi te varrezat e qytetit.
Ndryshe nga Peja, këtu nuk mund t’u afroheshe varreve nga ferrat! Ndërhyra disi me vështirësi dhe pastrova varrin e nënës e të babait. U vendosa nga një lule dhe pastaj shkova te varri i motrës sime të ndjerë. Meqë humbja e saj është ende e freskët, varri është ende ashtu si në ditën e varrimit. Përbri saj vura re dy varre të tjera, të mbuluara me kurora, por pa asnjë emër — diçka që do duhej ta kishin shënuar organizatorët e varrimit. Dukej se nuk i kishte vizituar askush.
Nuk munda të mos pyes veten: Përse të vdekurit e Dibrës nuk meritojnë të pushojnë në varreza të pastra?
Më kujtohet para 22 vitesh, kur u ktheva nga Italia, u takova me djalin e tezes, Shpend Hambarin, i cili kishte ardhur nga SHBA. Ai më propozoi të takonim Ruzhdi Latën (i cili gjatë Muajit të Ramazanit shkonte shpesh te Shpendi në Amerikë). E shfrytëzova atë takim në zyrën e tij dhe e pyeta: – “Ti si Kryetar i Bashkësisë Fetare, përse nuk punëson dy persona të kujdesen për mirëmbajtjen e varrezave?” – “Pyetje me vend,” më tha Ruzhdiu, “por këtë duhet t’ia bësh Kryetarit të Komunës.”
Pas disa vitesh, Ruzhdiu u zgjodh vetë Kryetar i Komunës, por fatkeqësisht ky problem përsëri nuk mori zgjidhje.
Sot po u drejtohem publisht si Kryetarit të Bashkësisë Fetare, ashtu edhe Kryetarit të Komunës: Takohuni, merruni vesh dhe zgjidheni këtë problem!
I shqetësuar nga kjo gjendje, bisedova me dy të njohur në qytet. Njëri më tha se varrezat janë pronë e Bashkësisë Fetare dhe ajo kryen shërbimin e varrimit. Tjetri më tha se Komuna duhet të zgjedhë një agjenci të veçantë për mirëmbajtjen. Pavarësisht kompetencave administrative, pyetja ime mbetet po ajo:
A nuk e meritojnë vallë prindërit e dibranëve, që u munduan një jetë të tërë, të pushojnë në qetësi e jo mes ferrave?
N.B. Këtë shkrim nuk e bëj për polemikë, dhe kush më njeh e di mirë se për mua nuk ekzistojnë partitë politike. Synimi im i vetëm është që ky problem njerëzor e qytetar të marrë zgjidhje një herë e mirë.
Ju përshëndes me zemër të gjithë bashkëqytetarët e mi të dashur!

Burimi/Facebook


Leave a Reply