IMZOT ERNEST M. ÇOBA, IPESHKVI I SHKODRËS
(1913-1980)
Me datën 8 të mujit janar 1980 vdes në spitalin e burgut të Tiranës Imzot Ernest M. Çoba, Ipeshkëv i dioqezës së Shkodrës.
Kur asht shkëputë Shkodra nga Arkidioqeza e Tivarit, asht ba arqipeshkvia e Shkodrës që ka qenë dikur, tue fillue tashti me arqipeshkvijt Imzot Karl Poten, Imzot Pashko Guerinin, Imzot Jak
Serreqin, Imzot Lazer Mjeden, Imzot Gasper Thaçin për të arrijtë te i gjashti Ipeshkvi Ernest M. Çoba.
I biri i Luigj Çobës dhe i nanës shumë të divoçme Ursolinës, e mbesa e piktorit të permendun të Shkodres Kolë Idromenos. Me rastin e largimit nga Shkodra, per shkak se Shkodra u rrethue nga Mali i Zi, familja banoi deri në mbarim të luftës në Laç të Vaut të Dejës. Këtu leu monsinjori me 16 fruer 1913, ku edhe u pagëzue.
Një fëmijë me një natyrë shumë të mirë. Në moshën 7 vjeç do të merrte krezmimin. Ka hy në shkollën fillore nder jezuitë. Aty pati thirrjen për urdhnin e meshtarisë në Seminarin e Jezuitëve.
Mbasi ka marrë maturën ndoq mësimet e nalta për filozofi e teologji. Gjatë studimeve, daja i nanës së tij, Kolë Idromeno ka pasë një dëshirë të madhe ta kishte pranë vetes në shtëpinë e tij, që e donte aq fort. Me lejën e jezuitëve, ai jetonte në shtëpi dhe ditë për ditë shifte meshën dhe vinte në seminar për studime. Asht shugurue meshtar në kishen e jezuitëve nga Imzot Della Pietra me 9 fruer 1936 e me 11 fruer 1936 ka çue meshen e parë, ditën e Zojës Lurdë, në kishen e jezuitëve. Në këtë ditë, 9.II.1961 jam shugurue edhe unë prej Tij e kam thanë edhe unë meshen e parë, pse ka qenë dëshiri i Tij që të më shuguronte edhe mue në këtë datë, mbas 25 vjetësh. Kam shumë gjana për t’iu falë nderës këtij Imzoti, personë që ka pasë aq cilësi të mira në jetën e vet.
Ka qenë ndihmës famullitar i Shkodrës, kur ishte famullitar Dom Mikel Koliqi. Një punëtuer i shkathtë në sherbim të famullisë, Dom Ernestoja sherbente në kishë, sherbim tek të sëmurët, në vorrime në të gjitha nevojët që kishte kisha. Kur Dom Mikeli mori revisten e permendun “Kumbona e së diellës”, Dom Ernestoja ishte punëtuer i zellshëm i saj. Ishte redaktori i revistes dhe shkruente artikuj me pseudonimin Erba.
Kur asht ba statuti i Kishës Katolike në Shqipni, Kisha donte të kishte ipeshkvij, se i kishin pushkatue, si: Imzot Frano Gjini dhe Imzot Gjergj Volaj , ndërsa Imzot Gasper Thaçi vdiq heret nga një sëmundje e randë. Atëherë, Mons. Bernardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit kërkonte të baheshin katër ipeshkvij të cilët i caktoi dhe detyrimisht do t’ia jepte kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehut që t’ ia përcillte për t’ia dërgue Selisë Shejte. Papa Piu XII nuk aprovoi ata të katër, por dy tjerë që nuk ishin në listë që do të ishin: Imzot Ernest Çoba për arkidioqezën e Shkodrës me titull dhe Ipeshkëv, Imzot Pjeter Dema për arqipeshkvinë e Durrësit me titull ipeshkvi i dioqezës së Durrësit. Këta do t’i shuguronte Mons. Bernardin Shllaku që u ba simbas statutit, kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë, që do ta mbante deri në nanduer të vjetit 1956, kur Imzoti do të vdiste e vendin e tij do ta kishte Imzot Ernest M. Çoba.
Mons. Çoba ka pasë një trup të shkurtë, dy sy të shkathtë, ku mbante perherë syze të zeza në kishë, në sherbime dhe në zyre dhe kishte një të ecun të ngadalshëm. Mons. Çoba ka qenë ipeshkvi ma i sprovumi në njenën anë e ma fatlum në anën tjetër, se gjindej ndër dhimbjet ma të fortat të Kishës e të idealit të saj për të qenë martir. Një periudhë e vështirë për atë në të gjitha punët që kishin me i përkitë për të krye detyrën e lartë si duhet, një misionar i përgjakun në tokën e vet.
Kishte cilësi fort të mira. Unë kam qenë një personë fort e afërt e tij. Ishte i pervujtë, i qetë, i mbatun, i qeshun, i papritueshëm e i dashun me të gjithë, tue i respektue të gjithë, me një qëndrim nderimi ndaj të gjithëve. Fillonte, së pari, ipeshkvijtë, meshtarët, popullin e sidomos të vobektit. Ishte i palodhun në sherbime, deri te ata që nuk i perkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, veç të diellesh dhe festave të urdhnueme, mbasi mbaronte meshen e orës gjashtë të mengjesit, dimen e verë, me vizitat që i bante të sëmurëve të qytetit, ma tepër nder koliba e baraka, lagjeve të humbuna të qytetit, për t’u dhanë sakramendet shejte, veprime këto e sa tjera që e kishin ba të fitojë popullaritet të madh e një simpati e dashuni nga ana e të vorfenve, të cilët me ata çka kishte, i ndihmonte. Nderonte të gjithë, edhe fëmijtë e vogjel, krejt popullin e njerëzit e çdo besimi që njifte. Nuk bante dallim. I begenisun me folë me të gjithë, me të madhin e me të voglin.
Ishte një ipeshkëv, që, megjithëse nuk e lejonte diktatura të shkonte në Koncilin II të Vatikanit, bani që të hynte shpirti e fryma e koncilit ndër disa veprime, kështu që e kishte anticipue atë ndër ne. Nisi të thohej mesha në lterin me fytyrë kah populli në gjuhën shqipe dhe ndonjë njoftim tjetër.
Një njeri që, tue kenë qytetar, kuptonte ma së miri jetën e qytetit dhe kohën. Jo vetëm ata që e kanë njoftë, por sidomos ata që kanë ndejë pranë tij, siç më ka tokue mue të punoj me të ç’prej vjetit 1958 deri në vjetin 1976 që jam arrestue, kam pa një personë me shumë njohje dhe një njeri, çuditnisht, largpamës.
Monsinjori ishte guximtar per punët e mëshehta dhe me rrezik, deri sa aty me shugurue mësheftas disa meshtarë, deri në shtatë, e një ndër ata do të ishe edhe unë që u shugurova në dhomën e tij personale. Kishte marrëdhanie të rregullta me klerin e sidomos konfidenca me disa meshtarë per probleme serioze të Kishës me shtetin. Lidhej shumë me Pader Pjeter Meshkallen e Dom Gjon Kovaçin, ordinarin e Zadrimës. Donte shumë Pader Anton Lulin, Dom Injac Gjokën që e mbante shembull të lartë e meshtar shejt e sa e sa tjerë. Monsinjori e shifte mirë gjendjen e Kishës në Shqipni e kishte shumë nevojë me vu në dijeni Selinë Shejte. Për këtë do ta ndihmonte e motra, e cila ishte e martueme me një italian që qe i detyruem nga shteti të mos rrinte në Shqipni, pse donte të mbante nënshtetësinë italiane. Atëherë, me largimin e të shoqit, e motra mbas do kohet, merrte prej tij një pension mujor dhe shkonte çdo muej në ambasadën italiane për ta marrë. Atëherë, Monsinjori pregaditëte një material ndër letra cingareje me probleme vetëm kishtare, por tue vu në dijeni nëpunësin e sigurtë të ambasadës per t’ia dergue.
Një ngjarje shumë e randësishme, shugurimi i kishës katedrale me aq pompozitet. Kjo ndodhte me rastin e 100-vjetorit të kishës. Për t’i dhanë hov jetës e religjionit, në ato kohë aq të vështira, nisën pregaditjet disa kohë përpara, si zbukurimi i kishës me afreske të Testamendit të Vjetër e ttë Ri, një udhëkryqe të re nga skulptorë të ndryshëm, me lterin e ri, ashtu si asht sot, me pregaditjen e korit. Festa u ba shumë e bukur me pjesëmarrjen e madhe të popullit e të meshtarëve të të gjitha dioqezave, me daten 19 prill 1958.
Kur ishte ndihmës famullitar, punonte me zell në Shoqninë e vogël të kryqtarëve, pranë etenve jezuitë, që kishte drejtor At Jak Gardinin S.J. dhe që i ndihmonte frateli jezuit, Françesk Ljarja.
Monsinjori, kur ishte ndihmësfamullitar, jepte mësimin e katekizmit nder shkolla shtetnore dhe ma vonë, kur ishin kishat ende të çiluna, deri në shkurt 1967, e jepte në Kishë të Madhe për pregaditjen e Kungimit të Parë dhe Krezmimit dhe te diellave jepte orë besimi për fëmijë që ishin krezmue. Mbasdite jepte per popull, me shumë interesim, shpjegimin e Tetamendit të Vjetër e të Ri. Ishte njohës i mirë i tri gjuhëve: latinisht, italisht, frengjisht dhe një ekspert i teologjisë morale dhe i landëve të religjionit. Ishte shumë praktik në punët e fesë. I aftë të punojë në kohë normale e providencial në epokën e terbueme të komunizmit shqiptar.
Po avitej koha e mbylljes së kishave dhe i të gjitha komuniteteve fetare. Shteti e trazonte shumë kishën. Filluen të baheshin kontrolle kush vjen në kishë dhe kishte roje që merrshin shënime e bajshin gjithfarë dredhishë nga shteti permes organizatës së Frontit, të rinisë, të pionierit. Gjithmonë gjithçka në drejtim të Sigurimit. Nuk lejoheshin mësuesit dhe njerëzit që punojshin në zyre, të shkojshin në kishë. Ndalohej ramja e kumbonëve nga Tirana deri që do të vinte shpallja e fletërrufeve kundra fesë, klerit, zakoneve të quejtuna mbrapanike. Fletërrufetë u vunë në tanë Shqipninë, mbas Fjalimit të 6 shkurtit 1967. Me datën 24 shkurt, Monsinjori qe thirrë në Komitetin Ekzekutiv të qytetit dhe unë e përcolla. Aty, në komitet, kemi gjetë P. Agostin Ashikun, provincialin e françeskanëve, të cilin e urdhnuen të lironte kuvendin, me perjashtim të 4 dhomave. Ndërkohë, nësa ishim ne në komitet, forcat e Sigurimit erdhën në Arqipeshkvi, ku priten Monsinjorin. Mandej ushtruen kontroll të rreptë. Mbasdreke sollën makinat për të çue materialet e Arqipeshkvisë te kuvendi i françeskanëve te Arra e Madhe. Me këtë rasë e urdhnuen Monsinjorin të braktisë Arqipeshkvinë e të shkojë në Kuvendin e Fretenve te Arra e Madhe. Ne e nesre, Monsinjori më tregoi një shkresë që famullia e Stajkes protestonte për mbylljen e kishës së Stajkes, të firmosun nga anëtarët e këshillit të kishës, në emën të fshatarëve. Kjo shkresë mund të gjindet ndër arkiva të shtetit. Ndërsa “mbledhjet e popullit” vazhdojshin, ku elementë komunistë kërkojshin mbylljen e kishave.
Ndërsa mbledhja kundër klerit u ba tek ndërmarrja e ujnave, në një sallë të madhe që gjindej karshi vorreve katolike. Aty u thirrën Imzot Ernest Çoba, D.Mark Hasi e D. Kolë Shkoza famullitar. Salla ishte e mbushun plot me popull e në tribunë ishin të dërguarit nga Komiteti i Partisë së Rrethit, të Frontit e të tjerë. Qellimi ishte kryesisht mbyllja e Kishës së Madhe. Referuesit folën për rolin reaksionar të fesë dhe i banë Monsinjor Çobës shumë pyetje të cilave iu pergjigj. Pati edhe sharje e fjalë vulgare kundër fesë dhe klerit. Një qytetar, Dedë Gjushi, gjallë ende, tue mos durue këto shamje tendencioze e fyese, u ngrit e i doli zot Kishës e Monsinjor Ernestit.
Ndërkohë, kur mbledhja vazhdonte, shteti mbylli Kishën e Madhe, të cilën, për çudi të të gjithëve e hapi përsëri mbasdreke. Nuk e harroj kurrë, një popull i madh, me shumë divocion, mori pjesë në kishë.
Me daten 5 mars 1967, ora 5 mbasdite, një grumbull 15 personash, deklaruen se kjo kishë i dorëzohet popullit dhe shndërrohet në muze. Monsinjori njoftoi Dom Mark Hasin të merrte sakramendin nga tabernakulli e ta dërgonte te Kuvendi i Françeskanëve te Arra e Madhe.
Me daten 18 mars 1967 thirren Monsinjorin në Front të Lagjes dhe një grup meshtarësh të cilëve u kërkohej të mohojshin detyrën meshtarake. Asnjë nuk pranoi. Mbasditen e kësaj dite mbyllën kishën e Zojës Rruzare te Arra e Madhe dhe kuvendin. Monsinjori kje percjellë me taksi te shtëpia e motres, tue kalue mes një populli të madh me lot në sy.
Te shtëpia e motrës do të jetonte e do të bante shërbime të mëshehta per disa vjet deri që do të arrestohej me 3 prill 1976. Gjyqi u ba mbas një vjeti, tue qenë edhe unë i arrestuem me të dhe me dy meshtarë tjerë. Monsinjori në gjyq foli mirë, ndonëse torturat e kishin ba dyfish. Kje dënue per dy nene, per marrëdhaniet e fshehta që kishte pasë me Selinë Shejte dhe per axhitacion e propagandë dhe kje dënue 25 vjet. Monsinjor Çoba do të vdiste misteriozisht në burgun e spitalit të Tiranës, pas një inxheksioni sekret që iu ba rreth festës së Shën Ernestit, me datën 8 janar.
Shumë vjetë ma vonë, mbas rihapjes së kishave, i vëllai zbuloi vorrin e Monsinjor Çobës në Tiranë. Atëherë, unë e Z. Lec Çoba dhe shoferi im Zef Gajtani morëm eshtnat, i sollëm në Shkodër, në Katedrale. Të nesërmën, u celebrue mesha nga Nunci Apostolik Ivan Diaz dhe unë, që mbajta edhe predkun e rastit. Në meshë asistuen të afermit e tij, e motra e nipat dhe një popull i tanë.
Ernesto Andracchios
Me kërkesën e autorit nuk është ndërhyrë në gjuhën e artikullit.
Redaksia
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply