Beteja mes një brezi që duan “liderin” dhe e një tjetri që do mirëqënien dhe Shqipërinë.Kam bërë një gabim këto kohë. Kisha menduar se kur flet për pensione më të larta, për ilaçe në spitale, për mjekë që nuk duhet t’u marrin para pacientëve, për ujë në rubinet dhe për një shtet që nuk i detyron fëmijët të largohen nga vendi, pensionistët do të ishin të fundit që do të zemëroheshin. (Patjetër që një pjesë)
Gabim i madh.
Mjafton të hapësh komentet poshtë postimeve të mia dhe të shohësh një kategori mbrojtësish të pushtetit. Të njëjtit njerëz, pothuajse i njëjti brez, shumë prej tyre pensionistë, një pjesë në Shqipëri e një pjesë tjetër prej vitesh që jetojnë në Itali e Greqi, të cilët sapo shkruaj diçka kundër Edi Ramës dhe pushtetit të tij, mobilizohen sikur u ka ardhur kush te porta e shtëpisë për t’u marrë pronën.
Çfarë krimi kam kryer?
Kam thënë se pensionet janë qesharake përballë kostos së jetesës.
Kam thënë se një pensionisti, pasi paguan dritat, ujin, ushqimet dhe ilaçet, nuk i mbetet pension, por vetëm data kur duhet të presë pensionin tjetër.
Kam thënë se shëndetësia jonë “falas” ka një zakon të çuditshëm: sa herë sëmuresh, duhet të marrësh portofolin me vete. Dhe kur pensionisti nuk ka, merr në telefon djalin në Itali apo vajzën në Greqi, pikërisht ata fëmijë që Shqipëria e 36 viteve i përzuri jashtë.
Kam thënë se në Shqipërinë që pretendojmë se është në prag të Europës ka ende njerëz që presin ujin me orar.
Dhe, mbi të gjitha, kam bërë mëkatin më të madh. Kam thënë se Edi Rama duhet të largohet, e jo vetëm ai, por të gjithë pushtetarët e 36 viteve.
Këtu mbaron diskutimi për pensionin, ilaçet, spitalin, ujin dhe fëmijët e ikur. Këtu zgjohet Partia.
Dhe fillojnë sharjet.
Është një paradoks pothuajse i frikshëm. Unë them se pensioni i tyre duhet të jetë më i lartë, ndërsa ata më shajnë mua. Unë them se nuk duhet t’i japin lekë mjekut për të marrë një shërbim që shteti ua garanton, ata më shajnë mua. Unë them se fëmijët e tyre nuk duhet të detyrohen të emigrojnë që pastaj t’u dërgojnë para prindërve për ilaçe, përsëri më shajnë mua.
Me pak fjalë, po të vazhdoj kështu, një ditë do të më duhet t’u kërkoj falje që dua të jetojnë më mirë.
Por pjesa më interesante janë disa prej atyre që jetojnë në Itali dhe Greqi.
Kanë ikur nga Shqipëria se këtu nuk kishin mundësi të ndërtonin jetën e tyre, dhe sot marrin rrogën apo pensionin e një shteti tjetër, kurohen në sistemin e një shteti tjetër, pinë ujin e një shteti tjetër, shohin çdo ditë se si mund të funksionojë një administratë normale dhe, pasi mbarojnë punët atje, hapin Facebook-un për të na shpjeguar neve këtu se sa mirë funksionon Shqipëria.
Është një lloj patriotizmi shumë komod. Europën për vete, Ramën për ne.
Ata jetojnë atje ku kërkojnë llogari për taksën, shërbimin dhe pensionin, por për Shqipërinë standardi ndryshon. Këtu mjafton Partia të jetë mirë. Populli pret. Ose s’duhet të ankohet.
Dhe pikërisht këtu nuk kemi më të bëjmë me Edi Ramën.
Kemi të bëjmë me një mentalitet shumë më të vjetër se Rama, i cili e ka ndjekur Shqipërinë nga diktatura në tranzicion dhe nga tranzicioni deri sot. Bindjen se pushteti nuk gjykohet, por adhurohet, se udhëheqësi nuk mbahet përgjegjës, por mbrohet, se ai që kritikon qeverinë nuk është qytetar që mendon ndryshe, por armik që duhet sharë.
Emrat e partive ndryshuan. Flamujt ndryshuan. Udhëheqësit ndryshuan.
Refleksi mbeti.
Prandaj, kur shoh disa prej këtyre profileve, mendoj se po t’u jepej mundësia të kërkonin një mrekulli, nuk jam i sigurt se do të kërkonin pension 700 euro, shëndetësi dinjitoze apo kthimin e fëmijëve nga emigracioni.
Kam frikë se disa do të kërkonin diçka shumë më të madhe:
“Aman, po Enverin, a e ngjallim dot?”
Sepse diktaturat mund të vdesin, diktatorët mund të përfundojnë nën dhè, monumentet mund të rrëzohen dhe partitë mund t’i ndërrojnë emrat, por shumë më e vështirë është të vdesë nevoja e njeriut për t’u përkulur para pushtetit.
Prandaj sharjet e tyre nuk më shqetësojnë. Përkundrazi, më kujtojnë pse duhet vazhduar.
Sepse Shqipëria nuk do të ndryshojë vetëm ditën kur të ikë Rama.
Shqipëria do të ndryshojë ditën kur qytetari që nuk ka para për ilaçet të zemërohet me atë që e ka lënë pa ilaçe, dhe jo me atë që guxon t’ia thotë.
Deri atëherë, mund të ndërrojmë kryeministra sa të duam. Do të kemi rrëzuar udhëheqësin, por jo regjimin që kemi ende në kokë.
Mua më shani sa të doni. Shëndet më bëhet, sa unë kurrë nuk do ta shes atdheun, besimin se ky vend do të bëhet, dinjitetin tim. Dhe dinjiteti im në këtë jetë nuk ka çmim.
Burimi/Facebook


Leave a Reply