Namik Selmani
Mirë se të gjej Mitrovicë e librit dhe e Ibrit
Kam sellë shkronjat si farërat e një abetareje
Ah, sikur të isha në konakë miell dasme mes urimit
Apo të isha një krua i ri që hapet mes maleve
Do doja të isha briri sokëllitës që matet me erën
A si fyelltari që shpërndan kudo tinguj mes Lugine
Të gjerboja kafenë në prillin që përuron pranverën
Me bacalokët të bëhem nxënës I zellshëm me kode urtie
Të djersisja pa u ankuar mes minatorësh me rrudha
Të takoja Isën plisbardhë dhe të dehem nga tupani.
Nëse më lodhet dikur gjuri kur të vrapoj te rruga
Dhe në shpinë si vogëlush I pafajshëm të më mbani
Nuk e dua askurrë grinë e qiellit në rrugët e tua
Kreshnikët le të mbesin një çast në strehën e miteve
Këtu, pa piskamë, dua të prek pragjet i malluar
Të shtrëngoj duar vëllezërish si në ditët sublime
Nëse më shkrumbohet buza nga kënga e nisur
Do të marr freskinë e Ibrit e gurrën e shpirtit
Vetëm ti, Mitrovicë, të mbetesh nuse e stolisur
Ëndrra e lirisë të mos rrëgjohet prej vyshkimit.
Ah, të bëja shkronjat librore si buqetëza zemre!
Po askurrë të mos bëheshin epitafe për varre
Në Mitrovicë gjithë stinët të më jepnin buzëqeshje
Ballë historisë që kuvendon me të ardhmen habertare
Burimi/Facebook


Leave a Reply